EKSKLUZIVE/ Paraqitja historike e Briken Caljes, Gjoza në delir: E mbajtëm premtimin, medaljet ia kishim borxh Shqipërisë









Menjëherë pas mbylljes së garave në kategorinë e peshave 73 kg në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes, presidenti i FSHP-së, Elez Gjoza, komentoi paraqitjen historike të Briken Caljes. Në një prononcim për “Panorama Sport” kreu i shtangës shqiptare deklaroi:

ELEZ GJOZA 1

“Unë vetëm disa ditë më parë në një intervistë për ju e parashikova që Briken Calja do të jetë qershia mbi tortë dhe në mënyrë të padiskutueshme do të merrte medalje. Nuk ishte eufori, pasi këto rezultate vijnë pas një stërvitjeje shumë serioze dhe sistematike.

Një punë e palodhshme nga sportisti me famë botërore Briken Calja, si dhe nga trajnerët e tij. Gjithashtu, federata u ka dhënë një mbështetje të padiskutueshme të gjithë ekipit, por në mënyrë të veçantë Caljes dhe Qerimajt. Ishte kurorëzimi i një pune të mrekullueshme. Briken Calja dhe Federata e Peshëngritjes ia kishin borxh një medalje ari dhe dy argjendi Shqipërisë”, tha Gjoza, i cili më pas komentoi edhe paraqitjen e shkëlqyer të Erkand Qerimajt:

“Ne kishim dy sportistët tanë si kundërshtarë, por që garuan në mirëkuptim me njëri-tjetrin si vëllezër. Erkandi pati një bllokim në kofshën e djathtë, pasi edhe ai ishte i sigurt në zonën e medaljeve. Por edhe gara e tij ishte e shkëlqyer, pasi vendi i katërt në botë është një arritje e madhe”, deklaroi Gjoza, i cili ndau medaljet për fituesit në kategorinë e peshave 73 kg.

Më pas, presidenti i federatës u shprehu falënderimin personave që e kanë mbështetur në realizimin e këtij suksesi të jashtëzakonshëm:

“Presidenti i Komitetit Olimpik, z.Fidel Ylli, ka treguar një gatishmëri dhe i ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme si nga ana financiare ashtu edhe morale. Gjithashtu, dua të falënderoj kryetarin e Bashkisë Tiranë, z.Erion Veliaj, i cili vazhdimisht ka sponsorizuar dhe mbështetur.

Dua të përmend me shumë respekt ministren e Arsimit dhe Sportit, znj.Evis Kushi, e cila mundësoi ardhjen tonë në Uzbekistan”, tha drejtuesi i shtangës, i cili në fund ndau një lajm për gazetën:

“Dua ta mbyll duke iu dhënë një lajm, që në muajin prill zgjedhjet për presidentin e Federatës Botërore të Peshëngritjes do të bëhen në Tiranë. Kryeqyteti ynë do të presë 215 presidentë nga e gjitha bota”, përfundoi Gjoza.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *