EKSKLUZIVE/ “Partizan, duhet ta harrosh titullin! Pres më shumë nga Zhuniori”, Asani: Çfarë më thonë Hoxha dhe Kaçe (E PLOTË)








Jasir Asani la Partizanin në verë, për të kaluar te Kis varda në Hungari, ku ka mundur të shënojë një gol dhe një asist. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, sulmuesi ka folur për transferimin e dështuar tek AIK-u, aventurën e re dhe nisjen e dobët të këtij sezoni nga Partizani.

JASIR ASANI

Pas eksperiencës pafund të lumtur tek AIK-u për shkak të kushteve që dihen tashmë, arritët të transferoheni në një ligë mjaft të fortë si ajo hungareze. Si po ju duket ky fillim i ri, si ju kanë pritur atje?

Kur shkova tek AIK-u isha shumë i lumtur sepse është nder dhe kënaqësi të luash me një ekip të tillë. Janë klub shumë i madh, bëra gjithçka të qëndroj, por ndonjëherë duhet të kesh edhe fat. Fati im i keq që ndodhi pandemia dhe më prishi shumë punë. Erdhi në momentin tim më të mirë, po luaja shumë dhe po shënoja. Gjithsesi, tashmë më takon të punoj fort dhe asnjëherë nuk dorëzohem. Do të doja të kthehesha një ditë tek AIK-u dhe besoj se do t’ia arrij. Te Kisvarda më kanë pritur shumë mirë lojtarët dhe klubi. Tashmë jam ambientuar shumë mirë. Në fillim, normalisht e kisha të vështirë të ambientohem, por falë Zotit shokët e ekipit, Prenga dhe Camaj, më kanë ndihmuar shumë dhe tani çdo gjë është në rregull. Këtu është ligë shumë e fortë, por jam përshtatur shumë mirë edhe me ekipin dhe po shkon gjithçka mirë.

Ende nuk keni arritur të zini një vend titullari, megjithëse keni shënuar dhe asistuar në ato mundësi që ju janë dhënë. Çfarë ka ndikuar që ende nuk keni minuta të rrjedhshme?

Shumë shpejt do t’ia arrij të jem titullar sepse në ndeshjet që kam luajtur kam bërë shumë mirë. Besoj se e meritoj të luaj titullar, por në fund vendos trajneri. Unë do të bëj çdo ditë e më shumë dhe pastaj t’ia lëmë gjithçka kohës. Është ende herët për të bërë përcaktime, por jam i sigurt se shpejt do të jem titullar.

Kisvarda këtë sezon po ecën mirë dhe po konkurroni për kreun. Cili është objektivi i ekipit dhe çfarë kërkoni të arrini ju personalisht si lojtar?

Mendoj se do të bëjmë maksimumin për të arritur kreun e renditjes, por objektivi i vendosur është kualifikimi në kompeticionet europiane. Kemi ekip të mirë, besoj do t’ia arrijmë, por sezoni është i gjatë dhe do t’i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës.

Në skuadër keni Prengën e Camajn, që ju ka dhënë asist, të tjerë shqiptarë luajnë në të njëjtën ligë. Mblidheni ndonjëherë për të bërë një “bandë shqiptarësh” mes Hungarisë?

Mund të them se Prenga është një nga lojtarët më të mirë këtu në Superligën hungareze. Lojtar me teknikë shumë të mirë për një qendërmbrojtës, i ka të gjitha. Gjithashtu, Camaj është lojtar shumë i shpejtë dhe teknik. Është lojtar që mund të ndryshojë rrjedhën e ndeshjes. Bën gjithmonë shumë mirë kur futet në lojë. Edhe pse në ekip tjetër, kam komunikim edhe me Ramadanin, Grezdën e Lirim Kastratin. Jemi shokë shumë të mirë dhe flasim thuajse çdo ditë. Jemi si vëllezër, të tre janë në ekipe shumë të mira dhe iu uroj suksese. Ende nuk jemi mbledhur të hamë një darkë bashkë, por do të doja, pse jo, të bashkoheshim në një ekip dhe të formonim një “bandë shqiptarësh”, të gjithë do të na kishin frikë (qesh). Besoj se shpejt do të bëhemi bashkë për një darkë.

Si ju duket futbolli hungarez. Ka edhe shumë rrugë Shqipëria për të kapur nivelet e tyre?

Futbolli hungarez është më lart se ai shqiptar, por përse të mos e kapë edhe Shqipëria nivelin e tyre. Besoj dalëngadalë edhe futbolli shqiptar do të rritet dhe do e barazojë ose parakalojë nivelin e atij hungarez

Si ju duket Partizani në këto javë të para?

E kam ndjekur shumë Partizanin, vetëm goli u ka munguar. Kanë ikur shumë lojtarë dhe të tjerë të rinj kanë ardhur. Ndoshta ende nuk janë njohur tamam me njëri-tjetrin, por besoj se shpejt do të bëjnë mirë.

Janë një nga skuadrat që kanë shënuar më pak gola, çka do të thotë se vuajnë në sulm. Nga cili prej sulmuesve atje kishit pritur të shënonte më shumë dhe cili mendoni ju se është paraqitur më mirë?

Nga sulmuesit mendoj se Zhunior duhet të kishte bërë më shumë gola sesa ka aktualisht. Por sulmuesi ka nevojë edhe për pasime e asiste dhe ndoshta nuk ka pasur furnizimin e duhur. Gjithsesi, nuk është e lehtë të shënosh. Në tërësi janë ekip i mirë, por shpresoj ta marrin veten shpejt dhe të shënojnë sa më shumë. Zhunior dhe Cara më bëjnë më shumë përshtypje në sulmin e Partizanit dhe janë ata që kanë bërë më mirë.

A flisni me ish-shokët e skuadrës?

Ju kanë thënë ndonjë gjë për këtë ecuri? Flas vazhdimisht me disa nga ish-shokët e ekipit te Partizani. Flas me Albanin (Hoxhën) dhe pjesëtarët e stafit, Vini Hajdarin dhe Neri Sinën, që janë dy nga miqtë më të mirë që kam pasur atje. Kemi kaluar çdo sekondë së bashku. Flas shumë edhe me Ergys Kaçen për çdo ndeshje dhe stërvitje. Më thonë se do të rriten nga ndeshja në ndeshje.

Me kaq sa ka treguar, a mendoni se Partizani ka një skuadër të denjë për të fituar titullin kampion, a mund ta përmbysin situatën që ndodhen tani?

Mendoj se Partizani e ka të vështirë të dalë kampion, por të mos dorëzohen asnjëherë për faktin se kanë pak pikë sepse asnjëherë nuk i dihet. Dua shumë t’i bëjnë të lumtur tifozët dhe veten e tyre, por duhet ta dinë shumë mirë se çfarë do të thotë ajo fanellë. Janë klub shumë i madh dhe duhet shumë punë e sakrificë për Partizanin.

Cili ju duket ekipi më i kompletuar i Superiores këtë sezon?

Mund të them se Kukësi ka bërë shumë mirë, Egnatia gjithashtu. Mendoj se Vllaznia dhe Partizani kanë gjithashtu ekipe shumë të mira. Tirana gjithashtu. Gjithsesi, mendoj se është kampionat i ndryshëm nga vjet. Edicioni i kaluar kishte shumë rivalitet dhe barazi. Dëshira ime është që Partizani të kthehet sa më shpejt aty ku i takon.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *