EKSKLUZIVE/ Partizani me objektiva të qarta në merkato, nisin bisedimet zyrtare me dy mbrojtësat






Partizani ka kthyer sytë nga mbrojtja në këtë merkato vere dhe ka piketuar dy lojtarë. Bëhet fjalë për Bekim Didën, shtatlartin e Korabit dhe Andi Hadrojn, anësorin e Bylisit. Dida është një qendërmbrojtës tipik, shtatlartë dhe shumë i saktë në duelet ajrore, ndërsa Hadroj ka treguar energji dhe shtysë pozitive përpara nga krahët e mbrojtjes.

bekim dida

DIDA – 23-vjeçari është një lojtar shumë i ngjashëm me Eneo Bitrin, që u largua nga Partizani në fund të sezonit për të firmosur për Astanën në Kazakistan. I gjatë 1.91 m, Dida ka treguar një performancë të mirë për Korabin në Kategorinë e Parë, duke tërhequr edhe vëmendjen e Partizanit. Aktualisht, mbrojtësi është me pushime, por pritet të rikthehet ditën e sotme në Tiranë për të pasur një takim nga afër me drejtuesit e kuq, të cilët po ashtu do të jenë në kryeqytet pas përfundimit të fazës përgatitore në Ohër. Bisedimet paraprake mes menaxherit të Didës dhe drejtuesve të kuq kanë qenë pozitive. Sezonin e shkuar Dida luajti 20 ndeshje me Korabin në Kategorinë e Parë, duke i ndihmuar të renditen në vend të dytë dhe duke kapur fazën “play off”. Dida është produkt i akademisë së Kukësit, ku u aktivizua për ekipet zinxhir dhe për ekipin e parë, për të vijuar më pas karrierën te Besa e Kavajës e së fundmi te Korabi.

dida

HADROJ – Është vetëm 22 vjeç, por Hadroj bëri një sezon shumë të mirë në Superiore me fanellën e Bylisit. Anësori i djathtë është produkt i akademisë së Laçit, ku arriti të luajë edhe me ekipin e parë, para se të transferohej në janar të 2019-ës te Bylisi. Në Ballsh 22-vjeçari u shndërrua në një titullar në krahët e mbrojtjes, duke luajtur plot 34 ndeshje, duke shënuar 2 gola dhe duke asistuar një tjetër.

Andi Hadroj

Andi Hadroj mund të luajë në të dyja krahët e mbrojtjes dhe shihet si një alternativë shumë e mirë nga drejtuesit e stafit teknik të Partizanit, që e konsiderojnë si projekt për të ardhmen. Bisedimet mes Hadrojt dhe Partizanit janë konkrete, por mbetet për t’u parë se kur mbrojtësi do të zyrtarizohet si afrimi i radhës në kampin e kuq.

hadroj

MERKATO – Deri më tani Partizani ka afruar katër lojtarë zyrtarisht. Musta, Shehi, Marku dhe Rrapaj janë afrimet e të kuqve deri më tani, ndërsa dhe Paterni ka qenë pjesë e klubit në fazën përgatitore. Emrat që qarkullojnë për t’u afruar te Partizani janë disa, por ai i Shqiprim Taipit duket më konkreti. Gjithashtu, u përfol edhe për Eni Imamin, por kjo pistë duket larg.

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *