EKSKLUZIVE/ “Partizani nuk ndalet”, Trashi: Ja çfarë i mungon “demave”



Ish-mbrojtësi i Partizanit, Lorenc Trashi, po luan sezonin e tij të parë jashtë Shqipërisë dhe deri më tani, po shkëlqen. Me fanellën e Al Qadsia-s në Kuvajt, anësori i majtë po lufton për titullin kampion. Edhe skuadra e Partizanit po lufton për titullin kampion në Superiore, ku sfidën e radhës e ka kundër Kastriotit. Trashi, golin e fundit me fanellën e Partizanit, e ka shënuar pikërisht sezonin e shkuar kundër Kastriotit dhe në vigjilje të këtij takimi “Panorama Sport” ka kontaktuar me mbrojtësin kuqezi, i cili ka folur për ecurinë e të kuqve deri më tani, garën për titullin kampion, si dhe për golin e fundit të shënuar kundër Kastriotit.

trashi

Lorenc, si po shkon sezoni juaj i parë jashtë Shqipërisë?

Deri tani, çdo gjë po shkon mirë. Jemi në garë për titullin kampion. Kemi dhe 9 ndeshje deri në fund të kampionatit dhe kam besim që në fund, do ta fitojmë ne titullin kampion.

Keni fituar titullin me Partizanin, mendoni se do t’ia dilni edhe në Kuvajt?

Titulli i fituar me Partizanin është diçka që nuk do ta harroj gjithë jetën time dhe është një ëndërr e bërë realitet pas aq shumë vitesh. Sa i përket titullit në Kuvajt, unë mendoj që jemi në rrugën e duhur dhe kam besim që çdo gjë do shkojë mirë, duke parë dhe kualitetet që kemi në ekip. Por, e rëndësishme është që unë tashmë jam ambientuar dhe e njoh më mirë kampionatin këtu.

Vazhdoni ta ndiqni Partizanin dhe si po ju duket ecuria e tyre deri më tani?

Patjetër që e ndjek çdo ndeshje. Më pëlqeu shumë ndeshja fundit e fituar kundër Bylisit, ishte një ndeshje perfekte dhe shoh që po bëhet një punë shumë e mirë nga stafi. Kanë bërë një punë super dhe janë në rrugën e duhur.

Partizani luan sfidën e radhës kundër Kastriotit. Si e shihni këtë përballje?

Partizani çdo ndeshje e ka finale tani dhe nuk duhet të nënvlerësojë asnjë kundërshtar, sepse nuk ka vend për gabime më, pasi koha është shumë e shkurtër dhe nuk rikuperon dot. Do jetë një ndeshje e vështirë, duke parë që dhe Kastrioti ka bërë ndeshje të mira dhe i ka hapur probleme çdo ekipi. Por, kam besim që djemtë do të marrin maksimumin nga kjo ndeshje.

Golin e fundit si “dem”, e keni shënuar kundër Kastriotit. E mbani mend dhe a mendonit se do të ishte goli i fundit me fanellën e Partizanit?

Po sigurisht që e mbaj mend, se nuk është se kam shënuar shumë gola që të mos i mbaj mend (qesh). Të them të drejtën, kurrë nuk e mendoja se do ishte goli fundit, sepse mendoja për ecurinë me Partizanin, duke parë që akoma nuk kisha diçka konkrete për ofertën që më erdhi nga Kuvajti. Edhe shpresoj shumë që të mos jetë i fundit gol me Partizanin, shpresoj ta vesh prapë atë fanellë sepse jam i dashuruar me fanellën e Partizanit.

TRASHI

Me grupin aktual që ka Partizani, mendoni se ka arritur maksimumin e potencialit?

Partizani ka një grup shumë të mirë lojtarësh, ka lojtarë shumë të rinj dhe shumë premtues për të ardhmen. Kanë bërë një sezon shumë të mirë sipas mendimit tim, stafi dhe lojtarët duket që kanë një harmoni të madhe midis tyre. Por, mendoj që nuk është ky maksimumi i grupit, ata kanë më shumë për të dhënë, sepse unë i njoh shumë mirë dhe kam besim që ata do të tregojnë vërtetë potencialin e tyre në këto ndeshje që kanë mbetur.

Çfarë mendoni se i mungon Partizanit?

Partizanit nuk i mungon asgjë, përveçse lojtaret të kenë më shumë besim te vetja dhe te grupi që kanë. Ata janë një grup shumë i fortë dhe në qoftë se ata janë të fokusuar në stërvitje 100% dhe tek detyrat që u jep trajneri, do ta pasqyrojnë në ndeshje këtë gjë.

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *