EKSKLUZIVE/ Partizani-Tirana, Stenio Zhunior: Fitojnë “demat”, derbin e kryeqytetit e vendos…












Panoramasport.al/ Partizani luan sonte në “Air Albania”, duke nisur nga ora 19:00 derbin e parë të këtij sezoni ndaj Tiranës, një nga më të rëndësishmit, pasi mund të ndikojë direkt në rrugën e dy skuadrave për te titulli kampion. 

Stenio Zhunior

Para kësaj ndeshjeje në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ka folur Stenio Zhunior, ish-sulmuesi i Partizanit në sezonin e shkuar dhe golashënuesi i katërt më i mirë (25 gola, 61 ndeshje) i “demave” që nga rikthimi në Superiore në vitin 2013.

Braziliani, i cili qëndroi për një sezon e gjysmë te Partizani, këtë verë u transferua në ligën e dytë të Tajlandës në ekipin e Çiangmai. Me ekipin e ri ai numëron 4 gola dhe 1 asist në 6 ndeshjet e para. Zhunior flet gjerë e gjatë për derbin dhe tregon për aventurën e re. Sipas tij, Partizani është më favorit për ta fituar këtë sfidë, teksa ka besim te aftësitë e Skukës për ta zgjidhur ndeshjen.

Stenio, si po ju shkon në Tailandë? Kemi parë që keni shënuar dhe asistuar rregullisht.

E kam nisur mirë, po bëj paraqitje pozitive. Jam përshtatur si duhet dhe kam numra të mirë në kampionat. Do të punoj që të vazhdoj të bëj akoma më mirë në çdo ndeshje.

Ku është diferenca mes futbollit atje dhe këtu në Shqipëri?

Në Kategorinë Superiore në Shqipëri luhet futboll i fortë. E kam fjalën për dyluftimet gjatë ndeshjes. Këtu në Tailandë janë më të mbështetur te teknika, duke u nisur edhe nga karakteristikat që futbollistët kanë.

Si është të jetosh në qytetin e Çiangmait?

Shumë më ndryshe se në Shqipëri. Jeta këtu është shumë e qetë, Çiangmai është një qytet i mrekullueshëm.

E keni ndjekur ndopak Partizanin në këtë sezon? Si u janë dukur?

Nuk kam mundur ta ndjek shumë, sepse orari është shumë i ndryshëm. Nuk mund t’i shoh ndeshjet direkt, por me aq sa kam parë nga ajo çfarë shkruhet dhe videot, po më duken një ekip i mirë. Janë të parët në renditje dhe vijnë pas një serie rezultatesh pozitive.

Të dielën ata luajnë përballë Tiranës, çfarë emocioni është të luash në këtë derbi?

Çdo derbi, sidomos ndaj Tiranës është një emocion krejt ndryshe nga ndeshjet e tjera dhe në këto sfida skuadra mund të marrë një shkëndijë tjetër për të shkuar drejt rrugës së titullit.

Cilin nga këto ekipe shikoni si favorit për të fituar derbin?

Unë nuk kam arritur t’i shoh me aq detaje ndeshjet e të dyja skuadrave sa të jap një përcaktim të saktë, kështu që nuk kam shumë për të thënë rreth kësaj, por duke parë rezultatet besoj se Partizani është pak më favorit, jo aq shumë, por një lloj avantazhi e ka.

Cili nga lojtarët e Partizanit ka potencialin për të vendosur i vetëm këtë ndeshje?

Besoj se Skuka është një futbollist i rëndësishëm i Partizanit dhe mund ta bëjë këtë. Vjen nga ndeshje të mira dhe është i motivuar të shënojë pas rinovimit të kontratës. Kam besim se ai mund të bëjë diferencën në derbin e nesërm ndaj Tiranës.

Ju e keni provuar shijen e golit ndaj Tiranës, çfarë ndjesie është?

Siç e thashë, është një emocion dhe gëzim krejt tjetër. Të luaja dhe të shënoja në derbin më të madh në Shqipëri ishte diçka shumë e rëndësishme dhe speciale për mua.

A keni ndonjë këshillë për ish-shokët të skuadrës për derbin?

Kam besim se ata kanë kualitetin e duhur për ta luajtur dhe për ta fituar derbin. U uroj të gjithë atyre sa më shumë fat!

Cilin nga të ardhurit në merkaton e verës shihni si pasuesin tuaj?

Apo ata nuk mundën ta gjejnë një lojtar të ngjashëm me ju? Mendoj se Da Silva ka një rol të rëndësishëm për skuadrën. Shumë shpejt ai do të arrijë të jetë në ritmin e duhur dhe kur gjërat të nisin të shkojnë mirë në këtë aspekt, ai do të spikasë. Ne të gjithë i dimë cilësitë e tij të mëdha.

Mendoni se Partizani i këtij sezoni është më i fortë se i vitit të shkuar, kur ju ishit gjithashtu pjesë?

Nuk mendoj kështu, por gjëja më e rëndësishme e tyre në këtë moment është të vazhdojnë me rezultate pozitive, në mënyrë që të mos ndodhin të njëjtat gabime të së shkuarës.

Belica dhe Mehmeti u larguan pas jush nga klubi. U surprizat kur lexuat në media për këto zhvillime?

Për Belicën nuk u surprizova, sepse ne ndërkohë po flisnim rreth dëshirës së tij për të ndërruar skuadër. Por për Mehmetin u befasova. Gjithsesi, kjo është diçka e zakonshme në futboll. Ndryshime do të ndodhin gjithmonë dhe ne do të duhet të vazhdojmë përpara.

Do të riktheheshit ndonjëherë në Shqipëri te Partizani apo në ndonjë skuadër tjetër?

Të them të drejtën, nuk kam në plan të rikthehem në Shqipëri, por në karrierën e një futbollisti mund të ndodhë gjithçka. Ne kurrë nuk e dimë se ku do të na dërgojë e nesërmja, por punojmë gjithnjë fort për të qenë në një pozicion sa më komod dhe të përgatitur për çdo gjë.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *