EKSKLUZIVE/ Penallti polemikash, rasti shkon në UEFA. Ja prapaskenat e vendimit të Jorgjit






Partizani-Vllaznia ishte kryendeshja e javës së parafundit në Kategorinë Superiore. “Demat e kuq” kishin në dorë fatet e titullit kampion dhe luanin për dy rezultate, fitoren dhe barazimin. Por, në fund, ishin shkodranët ata që triumfuan në “Air Albania” me rezultatin 0-1, falë një goli të shënuar me penallti nga mesfushori Herald Marku. Pikërisht kjo penallti e akorduar, ka shkaktuar shumë debate ditët e fundit…

Jorgji

VENDIMI – Penalltia shumë e diskutueshme që akordoi kryesori Enea Jorgji në ndeshjen Partizani-Vllaznia, e mbyllur me rezultatin 0-1 në favor të shkodranëve, nuk ishte ekskluzivisht një vendim i Jorgjit. Edhe pse duhet të ishte pikërisht Jorgji që duhet të merrte një vendim, madje shpejt dhe nuk kishte pse të vonohej, kryesori priti konsultimin me asistentët e tij. Gazeta “Panorama Sport” ka zbardhur prapaskenat se çfarë ndodhi në atë 1 minutë e 20 sekondat që u deshën për të marrë vendimin përfundimtar. Jorgji fillimisht ka akorduar korne, nuk ka dhënë penallti, por pas protestave të lojtarëve të Vllaznisë, është konsultuar me asistentët e tij. Fillimisht, Jorgji ka pyetur arbitrin e linjës pas porte, Kreshnik Barjamaj. Ky i fundit i ka komunikuar dy herë Jorgjit në kufje: “Ishte dorë, ishte dorë, por nuk e them dot me siguri nëse është penallti”. Më pas, Jorgji është konsultuar edhe me anësorin Nertil Bregasi, i cili i ka thënë: “Për mua është penallti”. Jorgji e ka pyetur sërish: “Je i sigurt?” Bregasi i është përgjigjur sërish: “Po, për mua është penallti”. Pas këtij konsultimi, Jorgji ka marrë më pas edhe vendimin final për të dhënë penallti në favor të Vllaznisë.

DYSHIMET – Ka pasur një revoltë nga ana e Partizanit dhe dyshimet më të mëdha, janë pikërisht për shkak të vonesës së vendimit. Shumë njerëz e kanë lexuar vonesën e Jorgjit sikur ka marrë urdhër nga dikush në kufje. Por, e vërteta është që e gjithë vonesa e Jorgjit për të marrë vendimin përfundimtar, ka ardhur për shkak të konsultimit me dy asistentët e tij, pasi dhe vetë Enea Jorgji ka qenë i pavendosur.

Jorgji Partizani=Vllaznia

RASTI NË UEFA – Burime të “Panorama Sport” pranë FSHF-së, bëjnë me dije se rasti do të çohet në UEFA për shqyrtim, për të pasur dhe ata një opinion më të specializuar. Ajo që është evidente, edhe vetë zyrtarët, të paktën publikisht në daljet e fundit mediatike, shumica kanë thënë se nuk është penallti. Rasti është me të vërtetë shumë i kontestueshëm dhe edhe me VAR do të ishte tepër e vështirë për t’u vendosur. E kur merr parasysh se sa ndikoi edhe në fatet e sezonit për Partizanin, merr edhe më shumë vëmendje, normalisht…

VERONIK ISTREFAJ-PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *