EKSKLUZIVE / Përplasje para derbit, milioneri i Superiores mund të largohet nga Partizani









Ergys Kaçe erdhi te Partizani si një prej përforcimeve më të bujshme të kampionatit shqiptar, duke pasur parasysh CV-në e tij dhe për më tepër aktivizimin ndër vite me Kombëtaren, teksa ka qenë pjesë edhe e debutimit historik në Europian të kuqezinjve.

ergys kace 2

Mirëpo, pas 13 ndeshjeve të luajtura me “demat” në këtë pjesë të parë të kampionatit, zhgënjimi ka qenë i madh për performancën e 28- vjeçarit.

Klubi i kuq pretendonte se me Kaçen në mesfushë do të bënte diferencën në çdo takim, por kjo nuk ndodhi dhe lojtari korçar më tepër ka qenë jashtë forme dhe vetëm në ndeshje të veçanta ka shfaqur pak nga cilësitë që ka.

Në derbin e fundit ndaj Tiranës mesfushori e nisi nga stoli, diçka që mësohet se e ka mërzitur shumë. “Panorama Sport” zbulon se pasi Kaçe ka mësuar që nuk do të jetë titullar, ka shfaqur hapur mërzinë me trajnerin Ilir Daja.

Mësohet se ka pasur një debat mes tyre, në një kohë që kreu i pankinës ka qenë i vendosur për të mos e nisur me korçarin nga minuta e parë, duke i besuar më tepër në mesfushë lojtarëve si Arinaldo Rrapaj dhe Herald Marku.

Kaçe u aktivizua vetëm në fundin e lojës, por pa lënë asnjë gjurmë në derbi, për më tepër që aktivizimi i tij, si për ironi të fatit përkoi edhe me pësimin e golit të dytë.

E ARDHMJA
Mesfushori nuk ka qenë i pranishëm në stërvitjen e djeshme, pasi që prej përfundimit të derbit ka udhëtuar drejt familjes së tij në Greqi. Gazeta zbulon se në orët e fundit drejtuesit e Partizanit kanë diskutuar me Kaçen për të ardhmen, pasi me ecurinë jo të mirë të ekipit, edhe qëndrimi i korçarit është në pikëpyetje.

Së pari, mesfushori është lojtari më i paguar në Superiore, pasi përveçse ka marrë një shumë të madhe “kesh” në momentin e firmës, ka edhe një rrogë prej 12 mijë eurosh në muaj.

Në këtë situatë interesi i Partizanit është të gjejë një zgjidhje me konsensus për prishjen e kontratës me Kaçen, por gjithsesi për momentin nuk ka ende garanci se çfarë mund të ndodhë.

Në të njëjtën kohë, dje mediat greke kanë shkruar për mesfushorin, pasi klubi i Superligës në vendin fqinj, Apollon Smirni, ka pasur së fundmi një interesim konkret për Kaçen.

Në rast se ai prish kontratën me Partizanin, atëherë klubi nga Athina është i gatshëm t’i shtojë rrogën lojtarit për ta afruar në ekip.

Por, mësohet se edhe vetë Kaçe është shumë i dyzuar në këtë moment për të ardhmen. Kjo varet shumë edhe nga vendimi që do të marrë Partizani, që dukshëm në këtë moment nuk ka interes të paguajë rroga kaq të majme.

JORGIS MEMO-PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.