EKSKLUZIVE/ “Pse vendosa të kthehesha në Superiore”, rrëfehet Liridon Latifi: Vllaznia për titull, mund të bëhemi si… Skënderbeu










Liridon Latifi shënoi golin e parë me fanellën e Vllaznisë në miqësoren e së martës ndaj Tërbunit. Goditja më e madhe në merkato e klubit shkodran duket se po merr veten plotësisht dhe është gati për të nisur një sezon me pritshmëri të larta me fanellën kuqeblu. 

LATIFI

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 27-vjeçari që u rikthye në Kategorinë Superiore pas katër viteve mes Hungarisë dhe Moldavisë, në klube si Pushkash dhe Sherif Tiraspol, tregon pse bëri këtë zgjedhje dhe pikërisht vendimin për të luajtur me Vllazninë.

Edhe pse e shikon të vështirë, ai beson se klubi shkodran mund të hapë një cikël fitues dhe të bëhet si Skënderbeu i artë, ku Latifi shkëlqente deri në vitin 2018. Sulmuesi i krahut beson se me paraqitjen që do të bëjë këtë sezon me Vllazninë, do të grumbullohet sërish nga Kombëtarja shqiptare.

Liridon, goli i parë për ju me fanellën e Vllaznisë vjen në një miqësore. A ka diçka të veçantë që kërkoni ta ndani me lexuesit e gazetës?

Po, sepse unë jam bërë baba javën e kaluar dhe normalisht që ky gol i parë shkon për djalin e sapolindur. Pavarësisht se ishte thjesht një miqësore, sërish mund të them se ishte një ndeshje e vështirë për ne, pasi vijmë nga stërvitje me shumë ngarkesa. Ishte një fitore e ëmbël për mua dhe tashmë po përgatitemi për finalen e Superkupës me Teutën.

Riktheheni në kampionatin shqiptar pas katër vitesh, atëherë kur tifozët mbajnë mend një Latif në superformë. Mendoni se mund të jetë ky sezoni që do të rikapni formën që keni pasur dikur?

Shpresoj që po. Jam duke punuar për këtë, por siç e patë edhe ju, në miqësoren e fundit isha jashtëzakonisht i lodhur për shkak të ngarkesave të mëdha që kam pasur së fundmi, por unë besoj shumë se do të vij në ditët e mia më të mira.

Kush ju bindi për të vazhduar karrierën me Vllazninë?

Ishin insistimi i presidentit Xhaferi dhe puna që trajneri Brdariç ka bërë me skuadrën në sezonin e kaluar. Kjo më bindi mua të jem me Vllazninë këtë sezon. Por, një shtysë e madhe ishin edhe disa miq të sponsorit, të cilët kanë negociuar vazhdimisht me menaxherin tim për ardhjen në Shkodër. Kjo ishte e gjitha dhe unë vendosa të firmosja.

Në këtë periudhë ka pasur klube të tjera të Superiores që ju kanë bërë ofertë konkrete?

Po, ka pasur edhe klube të tjera që janë interesuar për mua. Megjithatë, në fund pasi u mendova mirë, vendosa të firmos me Vllazninë dhe të vazhdoja punën.

Besoni se nga ky transferim karriera juaj mund të marrë një ngritje të madhe si në kohën kur luanit me Skënderbeun?

Për të qenë i sinqertë, do të jetë e vështirë që karriera ime të ecë si në kohën kur luaja për Skënderbeun. Ajo ka qenë një skuadër e artë dhe i kishte të gjithë lojtarët cilësorë, prandaj dhe mendoj se do të jetë e vështirë. Gjithsesi, nuk është e pamundur të kap ato nivele, pasi edhe tani kemi një staf të mirë dhe lojtarë cilësorë, ku mund të bëjmë një mentalitet fitues.

Latifi

Sa shanse ka që Vllaznia të bëjë atë që bëri Skënderbeu, duke hapur një cikël fitues?

Po, ka shumë shanse. Normalisht nuk është asgjë e pamundur që Vllaznia të ketë një cikël fitues. Unë mendoj se siç është duke u ndërtuar skuadra më pëlqen shumë dhe mund të jemi një grup me mentalitet fituesi.

Në sezonin e kaluar Vllaznisë i iku titulli kampion nga duart vetëm për shkak golavarazhi. Si e shikoni tashmë skuadrën në krahasim me rivalët?

Normalisht që e shikoj pretendente Vllazninë, pasi presidenti ka punuar në këtë drejtim dhe uroj që të ketë edhe ndonjë afrim të ri. Unë shpresoj shumë se do të dalim aty ku po mendojmë.

E nisni me Superkupën ndaj Teutës më 28 gusht…

Besoj që do ta nisim me trofe. Normalisht që jemi duke punuar për datën 28 dhe personalisht kam bindjen se do ta mundim Teutën.

Prej kohësh nuk grumbulloheni në Kombëtare, tani që u transferuat te Vllaznia çfarë prisni?

Shpresoj që me lojërat e mira që do të bëj dhe me golat e shënuar në sezonin e ri, të jem përsëri pjesë e Kombëtares.

Cili është pengu juaj nga aventura në Hungari dhe pse nuk shkuan gjërat ashtu siç e mendonit në fillim?

Të them të drejtën, që në vitin e parë në Hungari kisha probleme fizike. Kjo erdhi prej ndryshimit të ambientit dhe stërvitjes. Ashtu më shkoi gjithë sezoni dhe kontrata te Pushkash.

Gjërat nuk ishin ashtu siç e mendova. Ishte një hap i keq i karrierës sime. Megjithatë, kam ende kohë dhe do të punoj fort për të kapur një kontratë tjetër të re në të ardhmen.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *