EKSKLUZIVE/ “Qamë kur ushtarët na prishën fushën me urdhër të Safet Zhulalit”- Rrëfimi i ish-sulmuesit të Teutës: Kishim frikë të gjuanim…









PanoramaSport.al/ E mbani mend Elton Koçën? Në Durrës sigurisht kanë shumë nostalgji për sulmuesin virtuoz të viteve ’90, që pasi fitoi titullin dhe Kupën me Teutën, më pas luajti një sezon me Lushnjën e Mario Kempesit. Por, ngjarjet e vitit 1997 bënë që Koça të largohej në Greqi, ku deri në 2004-ën u aktivizua për skuadra si Ajos Nikolaos, Panegalios, Kalithea dhe Levadhiakos. Sot 48- vjeçari durrsak jeton me familjen në Kanada dhe në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, rikthen për të gjithë nostalgjikët detaje pikante të titullit të parë në historinë e Teutës. Ai flet për pengun që ka nga futbolli, atë që i del ende në ëndërr, por gjithashtu komenton ecurinë e ekipit durrsak.

277822434_400271658171369_8280738962668560567_n

Elton Koça gjatë një dueli me Luan Zmijanin në një ndeshje të vitit 1995 në Durrës, Teuta-Vllaznia 3-1, ku ish-sulmuesi shënoi dy gola

U bënë 25 vite nga periudha kur luanit në Shqipëri. Ku është sot Elton Koça dhe sa i lidhur jeni me futbollin?  

Po, u bë një kohë e gjatë, pasi kam 17 vjet që jetoj në Toronto të Kanadasë. Kam formuar familjen time këtu, kam dy vajza të mrekullueshme, Xhenifer, 17 vjeçe dhe Megan, 12 vjeçe. Për sa i përket futbollit, sigurisht që ndjek gjithnjë ndeshje. Kryesisht përmes rrjeteve sociale dhe gazetës suaj shikoj çfarë ndodh në kampionatin shqiptar dhe në veçanti Teutën time. Prej kohësh jam totalisht në një fushë tjetër, pasi punoj si menaxher restorantesh këtu në Toronto, por sërish jam shumë i lidhur me gjithçka që ndodh, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në kampionate të ndryshme në Europë.

Elton, ju keni qenë pjesë e brezit që shpallët kampion për herë të parë Teutën. Cila ishte ndjesia në vitin e kaluar, kur ekipi durrsak fitoi për herë të dytë titullin?

Na u kthyen emocionet e vitit 1994. Në fakt, Teuta pas viteve ‘90 i është afruar shumë herë titullit, por pa sukses. Besoj se me kampionatin e fituar vjet ishin pjekur kushtet, pasi e kishte bërë nxehmjen me Kupën dhe Superkupën. Kështu që i kishte ngelur vetëm kampionati për ta fituar dhe e realizuan me sukses misionin. Na kthyen atë krenarinë e dikurshme dhe besimin se “djemtë e detit” janë aty.

277077829_422498786348396_1161460746594090296_n

Na bëni një krahasim me ekipin që fitoi titullin e parë në histori dhe atë të vjetshmin që përsëriti suksesin…?

Janë dy periudha të ndryshme, jo thjesht në kohë, por edhe në të luajturit futboll. Mos të harrojmë që në atë kohë, pikërisht në vitin 1994, mungonte baza materiale dhe për më tepër fushat ishin në gjendje të mjerueshme. Mbaj mend që kishim vetëm një top të markës “Tango Adidas” dhe me të bënim ndeshjet e kontrollit dhe luanim takimet zyrtare në kampionat të dielave. Topat e tjerë ishin sa për garniturë, por unë dhe brezi im kishim pasionin dhe mbi të gjitha tifozët në stërvitje, që e mbushnin tribunën kryesore në çdo seancë që bënim. Ata ishin shtysa më e madhe për ne. Kishim grupin me në krye kapitenin legjendar, Ardian Abazi, i cili na mbante të bashkuar si familje.

Ndryshimi më i madh, cili ishte?

Kishim lojtarë kampionë që në atë kohë gjashtë luanin me U-21 dhe 4-5 të tjerë me Kombëtaren e madhe. Ishte një ekip që në Durrës e mbajnë si më të mirin e të gjitha kohërave. Bëmë një qytet të tërë të flinte dhe të zgjohej me Teutën. E kam të vështirë të bëj krahasimet, jo nga modestia, por nga vështirësia e të parit të skuadrës kampione nga afër. Por, mendoj se titulli ishte më se i merituar dhe një bravo të madhe djemve dhe stafit drejtues të sezonit të kaluar.

277291199_663752971579190_6933124398867421453_n

Si e shpjegoni faktin që Teuta pati një rënie të lirë këtë sezon?

Është e njëjta gjë që i ndodhi edhe ekipit të vitit 1994 në sezonin pasues. Ndërrimet e trajnerëve nuk bëjnë mirë. Miku im i mirë, Edi Martini, kishte bërë një punë kolosale, duke ndërtuar një super ekip, që duhej të kishte vazhdimësi. Nuk jam në brendësi, por them që largimet e disa lojtarëve kryesorë që kishin mbajtur peshën e kampionatit të fituar, ishin të gabuara. Disa ikin për më mirë dhe disa i larguan, por nuk është e lehtë të krijohet grupi përsëri. Ajo që më bën përshtypje është se Teuta aktuale nuk po e gjen dot forcën për t’u ngritur, ndryshe nga ekipi kampion i brezit tim, që me gjithë ato probleme që u krijuan, e kishim fituar eksperiencën e duhur prej kampioni dhe në përfundim të sezonit tjetër zumë vendin e dytë.

277225947_794157288630021_2156462555238509980_n

Ju mendoni se u gabua vetëm te largimet e lojtarëve apo pati diçka tjetër që nuk u bë si duhet?

Sa më lart të ngjitesh në pemë, aq më shumë fryn era. Jam çuditur vërtet për ecurinë e Teutës këtë sezon, sepse asnjë nuk e priste që ekipi të shpërfytyrohej në këtë mënyrë. Ne si natyrë shqiptare që jemi, duam të biem në gjumë të varfër dhe të çohemi në mëngjes të pasur pa punuar. Me këtë dua të them që nuk arrihet çdo gjë me fitimin e një kampionati. Nuk vijnë të tjerë tituj pa punë dhe djersë. Ndoshta klubi mendoi se bazat e ekipit u ndërtuan dhe tani çdo gjë do të shkojë mirë. Largimet dëmtuan ekipin, ndërsa afrimet nuk ndihmuan në ecurinë e Teutës. Gjithsesi, meqë më jepet rasti, presidenti Hasanbelliu duhet falënderuar për kontributin financiar në gjithë këto vite të vështira që ka kaluar ekipi. Nuk është e lehtë për kushtet dhe ekonominë që kalon Shqipëria të gjenden njerëz të tillë që e dashurojnë lojën e futbollit. Respekt maksimal, pasi ai është presidenti më jetëgjatë i Teutës dhe kampionatit shqiptar.

277315387_989796005257066_6281689725100550418_n

Me cilin nga bashkëkohësit tuaj te Teuta i ruani ende kontaktet?

Teknologjia ka bërë të sajën tashmë. Me të gjithë kampionët e sezonit 1993-1994 jam në “Facebook”. Madje, në kohën e pandemisë krijuam edhe grupin tonë. Në fakt, jemi shpërndarë si zogjtë e korbit. Në Itali janë Qëndro, Xhakoni, Mehmeti dhe Bushi, ndërsa në Gjermani jetojnë Zalla, Dashi dhe Disha. Në Poloni është Dobi, por boshtin ama e kemi në atdhe me Abazin, Furrxhin, Begejën, Kapllanin, Vilën, Shtamën, Alliun dhe Frahollin. E kemi lënë që së shpejti do të mblidhemi dhe me nostalgji do të kujtojmë vitet e Teutës së madhe. I përqafoj me mall të gjithë kampionët e 1994-ës.

A ka ndonjë gol që nuk do ta harroni kurrë nga karriera juaj dhe që lidhet me tifozët durrsakë?

Ka shumë, por më i veçanti është ai që na shpalli automatikisht kampionë në vitin 1994. Luanim në Durrës me Vllazninë dhe fituam 1-0. Janë emocione të papërsëritshme.

Keni luajtur në kohëra të vështira, kur terrenet kanë qenë jo të mira. Kur i shikoni tani fushat komode që janë bërë në disa stadiume, çfarë mendoni për veten, deri ku mund të shkonte karriera juaj?

Nuk e di ku mund të shkonte si karrierë, por si cilësi futbolli të luajtur do të ishte shumë më i lartë. Na kapte frika të gjuanim topin, sepse vetëm kërcente. Kur niste kampionati, fushat ishin mirë në javët e para, pastaj ktheheshin në kullota. Mbaj mend në kampionatin e sezonit 1995-1996, në stadiumin e Durrësit u zhvillua një ndeshje ushtrie. I ndjeri Safet Zhulali ka qenë Ministër i Mbrojtjes në atë kohë dhe dha urdhër që kjo ndeshje të luhej në stadium, edhe pse ishte dimër dhe kohë me shi. Me gjithë kundërshtimin e klubit, ndeshja u bë në stadium, me ushtaret që luanin me kambale. Kemi qarë atë ditë si fëmijë, pasi fusha nuk e mori më veten për 2 vjet. Vetëm baltë kishte brenda saj.

ELTON KOCA

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.