EKSKLUZIVE/ “Shqiptar i çmendur”, rrëfimi unik i Rudi Vatës: Si i bëra grekët në Qipro të këndonin për mua, sot Vllaznia duhet të…








Rudi Vata është nga të vetmit ish-futbollistë shkodranë që ka kaluar dy vite të karrierës në Qipro, pikërisht në qytetin e Limasolit, aty ku sot skuadra e tij e zemrës, Vllaznia, përballet ndaj AEL-it për turin e dytë të Ligës së Konferencës.

RUDI VATA

Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare ka qenë dy sezone radhazi në vendin ishullor (1996-1997 dhe 1997-1998) me fanellën bardheblu të Apollon Limasolit, kundërshtarit të “urryer” të AEL-it. Plot 23 vite më parë Vata iku nga Qipro me pengun e mosfitimit të Kupës në finale me Anorthosis, por gjithsesi më pas u transferua në Bundesligë tek Energia Kotbus.

Në prag të ndeshjes AEL Limasol-Vllaznia, “Panorama Sport” kontaktoi shkodranin e njohur, i cili tregoi detaje të pathëna nga aventura në Qipro. Ai foli ekskluzivisht për gazetën rreth shanseve që kanë kuqeblutë për një kualifikim, por edhe për klubet e tjera shqiptare që marrin pjesë në Ligën e Konferencës. Në fund, ish-trajneri bëri një koment edhe për zvarritjen që po i bëhet privatizimit të klubit shkodran.

Rudi, Vllaznia luan kundër një skuadre qipriote në Europë, pikërisht AEL Limasolit. Ju keni qenë dy sezone në këtë qytet, por si pjesë e Apollonit. Çfarë ndjesie keni kur kujtoni aventurën në shtetin ishullor?

Unë kam shkuar në Qipro në vitin 1996, menjëherë pasi u largova nga Sëlltiku. Në atë periudhë ka pasur një rregull në Qipro, që nuk lejoheshin më shumë se tre lojtarë të huaj në skuadër. Ishin vite ku ky shtet i vogël kishte marrë zhvillim të madh dhe tre lojtarët e huaj që vinin në klubet aty, paguheshin sa për 10-15 futbollistë vendës së bashku. Pra, nga tre të huajt pritej që të ndikonin direkt në fitimin e kampionatit apo të ndihmonin ekipin që të merrte pjesë në Europë etj. Një i huaj atëherë në Qipro shikohej si yll dhe ishte e pamundur të mbijetoje, qoftë edhe 2-3 muaj, nëse nuk bëjë dot diferencën te ekipi që luaje. Kam pasur fatin të kem një trajner të madh serb, Moca Vukotiç, duke kaluar një eksperiencë shumë të mirë me të në Limasol.

Nga Skocia në Qipro, duket si kontrast edhe tani. Pse ndodhi ashtu?

E vërteta është se e bëra këtë kalim aksidentalisht, sepse nuk do të lija Sëlltikun për Apollonin. Pasi u largova nga Skocia, kisha rënë dakord të firmosja për AEK-un e Athinës në verën e vitit 1996. Më afër isha me Olimpikun e Marsejës, por menaxheri im grek në atë kohë, Paskalis Papdopulos, insistoi që të firmosja me AEK-un. Kam qëndruar 10 ditë në Athinë, në Glifadha, duke pritur zyrtarizimin. AEKu ishte shumë i fortë në atë periudhë dhe drejtohej nga trajneri serb Dushan Bajeviç. Nga klubi do të largohej qendërmbrojtësi i njohur grek, Manolos, por ndodhi diçka e papritur, sepse ai vendosi të qëndronte. Klubi ia rinovoi kontratën dhe kjo më penalizoi mua. Dëshira ime ishte të luaja me AEK-un, për më tepër që isha afër Shqipërisë. Në minutat e fundit u prish gjithçka. Më pas, isha i detyruar të vendosja për opsionin e Qipros, sepse menaxheri kishte lidhjet e veta. Ishte eksperienca ime e parë dhe e fundit me një menaxher. Aty kuptova gjithçka, por shpesh lojtari mund të bëhet edhe viktimë. Personalisht u menaxhova në atë periudhë më tepër për interes të agjentit tim.

rudi vata 1

Si ishte të luanit në një qytet ku derbi Apollon-AEL është shumë i zjarrtë?

Ka qenë histori më vete edhe kjo. Shkova në një vend ku duhet të fitoja me patjetër simpatinë e tifozëve, që ishin grekë të Qipros. Apollon-AEL ishte pak a shumë si një derbi i vogël Rejnxherës-Sëlltik. Në qytetin e Limasolit ka qenë luftë dhe urrejtje. Kjo vazhdon edhe sot e kësaj dite, historikisht. Kam bërë dy sezone mjaft të mira tek Apollon, duke luftuar shumë, sepse për t’u pranuar në Qipro si shqiptar duhet të kaloje shumë barriera. Isha i vetmi i huaj që mbijetova, sepse dy të tjerët që erdhën, u larguan pa lënë gjurmë pas vetëm 4 muajsh. Luajta të gjitha ndeshjet dhe u vlerësova si lojtari më i mirë i huaj në kampionatin e Qipros në një prej sezoneve. Peng më ka mbetur vetëm finalja e Kupës, ku humbëm me Anorthosis dhe luajta si mesfushor para mbrojtjes. Në ato dy kampionate dolëm në vend të dytë. Unë vërteta kam luajtur në Qipro mbi 20 vite më parë, por kam lënë shumë miq aty. Edhe presidentin aktual të Apollonit e kam mik, madje është i biri i pronarit të klubit në kohën time.

Vllaznia sfidon AEL-in, çfarë i pret sot shkodranët në stadiumin “Cirio”?

Vllaznia do të gjejë në stadiumin e AEL-it ultras të tërbuar. Janë shumë fanatikë dhe siç e thashë më lart, në derbin ndaj Apollonit kishte luftë dhe urrejtje. AEL-i i ka shumë agresivë tifozët dhe nëse do të lejohen këto fishekzjarrët, me siguri ndeshja do të ndërpritet disa herë. Tifozët e Apollonit ku unë luaja, ishin më të kulturuar. Kam emocion të mirë për Qipron, sepse më kanë trajtuar me shumë respekt. Nuk mund të harroj brohoritjet në greqisht të tifozëve: “Ine trelos, ine trelos o alvanos”. Pra, më quanin të çmendur, pasi më donin për atë që jepja në fushë dhe jashtë saj. Të respektohej një shqiptar në Qipron greke në ato vite kishte një probabilitet të vogël, por kjo ndodhi me mua, sepse fitova gjithçka me punë dhe sjellje.

A mund të themi se diferencat mes dy skuadrave janë të vogla dhe të besuarit e Brdariçit kanë shanse të mëdha?

AEL ka një klub shumë të organizuar, një ekip kompakt, të investuar për të shkuar larg në Ligën e Konferencës. Kanë një buxhet shumë të mirë dhe në sezonin e fundit i kam ndjekur 2-3 herë. Janë skuadër solide dhe një shkallë më lart se Vllaznia. Megjithatë, do të luhen dy ndeshje në një periudhë ku kampionati s’ka nisur as në Qipro dhe as në Shqipëri. Varet shumë nga interpretimi që do t’u bëjnë situatave të dyja skuadrat, edhe pse në letër AEL-i është më i fortë. Me atë që Vllaznia bëri ndaj Shirokit në Shkodër, duke përmbysur rezultatin, duhet të futet në fushë me besimin që pse jo mos të bëjë një tjetër surprizë.

Çfarë duhet të ketë më shumë kujdes në këtë ndeshje të parë?

Vllaznia ka humbur lojtarë të rëndësishëm si Marku, Isaevski etj. Unë mendoj se sot i duhet të jetë së pari shumë e përqendruar në fushë dhe mos të bëj gabimet në Bosnjë, ku pësoi gola naivë. Në shumë situata kanë qenë të papërqendruar, madje edhe në ndeshjen e kthimit në Shkodër me Shirokin. Por, duhet të dinë se tani kanë përpara një ekip shumë më të mirë se boshnjakët, që nuk të fal. Fati të ndihmon një herë apo dy herë, por me kualitetet që ka AEL-i, duhet kujdes i madh. Për Vllazninë është arritje e mirë që ka mbërritur në këtë tur, por sërish duhet të provojë shanset, përderisa janë dy ndeshje për t’u luajtur.

Nëse flasim me përqindje, si i shikoni mundësitë për kualifikim?

Vllaznia nuk ka se çfarë humbet fare në këto dy ndeshje. Shkodrën e kanë bërë krenare me përmbysjen ndaj Shirokit, duke kënaqur tifozët pas më shumë se 10 vitesh pa Europë. Në një ndeshje si kjo e sotmja, unë mendoj se në këtë situatë vetëm AEL-i ka për të humbur, jo Vllaznia. Në aspektin e arritjes së objektivave, vetëm qipriotët kanë për të humbur, pasi presioni bie mbi ata si favoritë. Vllaznia nuk futet me presionin e rezultatit dhe këtë duhet ta shfrytëzojë.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *