EKSKLUZIVE/ “Skandal me arbitrat dhe delegatët”, shpërthen presidenti i Bylisit: Drejton Shijaku apo FSHF?









Plas në Kategorinë e Parë! Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, ka shpërthyer dje në akuza të forta për garën që po zhvillohet mes klubit të tij, i cili kryeson renditjen, si dhe Erzenit të Shijakut, skuadrës që ndjek ballshiotët me vetëm 3 pikë më pak. Në një bisedë ekskluzive për “Panorama Sport”, Kapllanaj ka treguar atë që ndodhi me arbitrin Orlando Kuka në ndeshjen e fundit ndaj Butrintit në Sarandë, ku sipas tij Bylisit iu mohuan tri penallti neto. Ai hedh dyshime të forta për favorizimin që po i bëhet klubit shijakas, ndërsa thekson se ka tendencë jo vetëm me arbitrat, por edhe me delegatët që dërgon FSHF-ja. Presidenti i ballshiotëve është i ashpër edhe me shefin e gjyqtarëve, Sokol Jareci, duke thënë se po i bën qejfin çdo javë Erzenit.

Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj logo

AKUZAT DHE ERZENI

Dua të denoncoj me forcë atë që po na bëhet me gjykimin. Vetëm në ndeshjen e fundit në Sarandë na janë mohuar tri penallti neto nga gjyqtari Orlando Kuka. OK, nuk dha një 11-metërsh, por kur janë dy dhe tre, pse nuk i jep, çfarë e pengon këtë arbitër?! Ky gjyqtar duhet të dënohet minimalisht deri në fund të kampionatit të mos arbitrojë asnjë ndeshje ose ne do të bëjmë vetëgjyqësi. Edhe në sezonin e kaluar që ishim në Superiore, na bënë pa fund padrejtësi dhe nuk folëm.

Ndërsa skuadrat e tjera që mbijetuan, e dini shumë mirë se çfarë bënë… I bie të bëjmë edhe ne si ato tani, se nuk mund të tolerojmë kështu. Pastaj më habit edhe diçka tjetër. Luajmë në Pukë, delegati është nga Shijaku. Më pas shkojmë në Sarandë, sërish delegati është nga Shijaku… Po pse nuk mund të çojë FSHF-ja delegat nga Gjirokastra, Vlora apo Fieri, në ndeshjet tona?! Si ka mundësi që na vendosin vetëm delegatë nga Shijaku?! Kjo më bën shumë çudi.

Nuk e kuptojmë çfarë po ndodh, pasi rivali ynë, Erzeni, në çdo ndeshje merr penallti në minutën e 95-të, duke ngrënë nga një karamele çdo javë. Ndërsa neve na bëjnë të kundërtën! Një pyetje kam, garën e Kategorisë së Parë e komandon Shijaku apo FSHF-ja? Bylisi ka barazuar edhe në Pukë, por nuk kemi bërë asnjë ankesë, pasi gjykimi ishte korrekt. Kam 16 vjet që drejtoj klubin dhe e di shumë mirë si funksionojnë gjërat.

Jam realist në këto që po them. Kjo situatë duhet parë me shumë seriozitet dhe mjafton të vëzhgosh se çfarë arbitrash i vendosin çdo javë Erzenit. Gjithashtu, shikoni se cilët caktojnë në ndeshjet e Bylisit. Nuk shkon më kështu, bën arbitri çfarë të dojë, duke na mohuar jo një, por 3 penallti.

Kush e çon këtë arbitër në dëmin tonë? E di mirë ai që i cakton, Sokol Jareci, se çfarë arbitri i ka dërguar Erzenit në Sarandë dhe tani neve…”, ka thënë fillimisht për gazetën kreu i klubit ballshiot.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *