EKSKLUZIVE / “Skënderbeu ‘universitet’, Takaj ‘pedagog’”, rrëfimi special i Memellit: Skuadra nuk bie, ju tregoj çfarë i thashë Gegës






Migen Memelli nuk është bërë pishman për largimin nga Skënderbeu. Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, ai rrëfen arsyet e këtij vendimi dhe zbulon se çfarë i ka thënë trajnerit të ri të skuadrës korçare, Skënder Gegës. “Po shkon në një klub të madh, jam i bindur që do t’ia dalë”, thotë ndër të tjera Memelli për gazetën.

memelli

Përse vendosët që të merrnit këtë vendim?
Duke parë ecurinë e 12 javëve pa fitore, vetëm një barazim, normalisht unë jam një njeri që kam ndjenjë përgjegjshmërie shumë të madhe dhe mendova se ishte më mirë që unë të hapja rrugën dhe të mos bëhesha barrë. Janë edhe 36 pikë në lojë, janë shumë, më besoni.

Po pse nuk e provuat deri në fund meqë janë kaq shumë pikë në lojë?
Sepse gjërat nuk po funksiononin dhe njeriu i parë që sulmohet apo kritikohet në të tilla raste është trajneri. Kur nuk ka rezultate paguan gjithnjë trajneri. Kështu funksionon në gjithë botën me këtë profesionin tonë.

A ka pasur ndonjë arsye tjetër pse u larguat?
Jo, asnjë arsye tjetër.

Çfarë përfiton Skënderbeu nga largimi i trajnerit në këtë moment?                                                                                           Mendoj që lojtarët mund të çlirohen disi nga presioni i rezultateve. Pamë që ndryshime të tilla shërbejnë edhe si një valvul shkarkimi, nëse mund ta quaj kështu. Një trajner i ri, mund të sjellë frymë tjetër. Ka raste që lojtarët ndonjëherë nuk e ndjekin dot trajnerin se nuk kanë mundësi, ose nuk kanë as dëshirë.

Ju, a e hasët këtë problem së fundmi?                                                                                                                                                        Po, ka shumë raste në botë që ndodh, por te Skënderbeu nuk ishte ky rasti. Aty janë të gjithë djem shumë të mirë dhe unë punova aty për më shumë se një vit.

Çfarë nuk shkoi sipas jush?                                                                                                                                                                          Shikoni, ajo që nuk shkoi sipas meje është fakti i mungesave të shumta. Jo vetëm gjatë sezonit, por mbi të gjitha gjatë fazës përgatitore. Ne e nisëm kampionatin pa të gjithë grupin e lojtarëve që kishim nga viti i kaluar. Që do të thotë: Mensah dhe Dumfur erdhën tri javë para fillimit dhe humbën fazën përgatitore.

Vangjel Zguro kishte dëmtimin e lënë nga finalja e Kupës dhe për tre muaj mezi u rikuperua, madje ndeshjen e parë ka luajtur me gjilpëra. Jorgo Meksi nuk ka dashur të kthehet në klub për arsyet e tij dhe iu bashkua ekipit vetëm 5 ditë para se të niste kampionati. Sadriu dhe Rexhepi kanë qenë me Shkëndijën e Tetovës në Europë dhe që të dy kanë ardhur në fillim të kampionatit. Elvi Berisha ka vuajtur gjithnjë nga dëmtimi në ndeshjen me Laçin, ku barazuam 0-0 dhe pësoi një rupturë të gradës së dytë. I duheshin 45 ditë të rikuperohej.

MIGEN MEMELLI

Atëherë unë në këtë pikë, duke bërë analizën time, them se një trajner që nuk ka pasur në fazë përgatitore rreth 70% të grupit, atëherë është e vështirë që të punosh në kushte normale. Ah, se harrova, edhe Moraesh që ka qenë te Kastrioti erdhi vetëm 4 javë pas fillimit të sezonit. Besoj e kuptoni gjendjen time dhe të skuadrës. Nëse 70% e grupit nuk bën fazën përgatitore prej 40 ditësh, atëherë është e vështirë të jesh në nivelin e duhur.

Keni vuajtur shumë edhe nga dëmtimet… Pse?                                                                                                                                      Po, edhe kulmi ishte në ndeshjen kundër Egnatias, ku mungonin 8 titullarë. Natyrisht, nuk dua të justifikoj veten time dhe të gjej alibi, por realiteti ky është. Shikoni pak çfarë ndodh me Laçin…

Çfarë ndodh me Laçin?                                                                                                                                                                                        Kam dëgjuar që e kritikojnë ekipin kurbinas se nuk po merr rezultate dhe përmendin mungesat e dy lojtarëve të rëndësishëm si Lushkja dhe Deliu. Po kur të mungojnë 8 titullarë çfarë bëhet pastaj…

A keni një peng për eksperiencën tuaj te Skënderbeu?                                                                                                                  Pengu i vetëm ishin mungesat e shumta gjithnjë. Peng tjetër ishte që do të doja ta mbyllja deri në fund, por ja që nuk shkoi gjithçka sipas planit

Keni pasur një bisedë të fundit me Takajn, çfarë i thatë njëri-tjetrit?
Shiko, marrëdhënia ime me Ardjanin, sepse kështu më pëlqen ta thërras, ka qenë e shkëlqyer. Unë i jam mirënjohës për mundësinë që më dha për të drejtuar skuadrën e Skënderbeut. E them këtë, sepse për mua Skënderbeu ka qenë “universiteti” më i mirë se si mund ta filloja unë karrierën si trajner. Dhe nuk mund të kisha “pedagog” më të mirë sesa Takaj në këtë drejtim.

Në ç’kuptim e quani “pedagog”: që ju mbështeste apo që ju ndërhynte në formacion?
Nuk më ka ndërhyrë kurrë në vendimet si trajner dhe as në formacion, por më ka ndihmuar më së shumti të kuptoj dinamikën e klubit dhe se cila duhet të ishte qasja ime në marrëdhëniet me shumë të tjerë.

Jam kurioz ta di se çfarë i thatë njëri-tjetrit?                                                                                                                                  Asgjë të veçantë. Kemi folur dhe jemi përshëndetur. Raporti ynë miqësor dhe tepër korrekt është aseti ynë më i madh në këtë bashkëpunim. Më duhet ta them gjithashtu se Takaj ka këmbëngulur vazhdimisht që unë të qëndroja.

MEMELLI

Po pse ikët atëherë?                                                                                                                                                                                            Sepse unë jam njeri shumë i sinqertë dhe jam i ndërgjegjshëm se duhej një trajner i ri në ekip.

Ka ardhur trajneri i ri dhe quhet Skënder Gega… A keni një koment për të?                                                                          Kam raporte shumë të mira me Skënderin dhe është një njeri shumë i mirë. Ai futet te njerëzit që më ka mbështetur në punën time.

Çfarë do t’u thoshit ishlojtarëve tuaj për Gegën?                                                                                                                                  Unë kam folur me lojtarët kur u largova, para se të vinte trajneri i ri dhe u kam thënë: Ju lutem shumë, mbështeteni trajnerin e ri dhe mos u dorëzoni, sepse janë edhe 36 pikë në lojë. Unë kam bindjen se Skënderbeu do të shpëtojë.

Pse jeni kaq i bindur?                                                                                                                                                                                        Sepse faza e katërt është faza më e lehtë…

Vërtet?                                                                                                                                                                                                                      Po, dhe po ua shpjegoj: dy rivalet direkte i pret në shtëpi, plus që edhe grupi më në fund do të kthehet i plotë. Nuk do të ketë më aq shumë mungesa. Kjo më bën të besoj se gjërat do të përmirësohen. Aty ka një grup profesionistësh të shkëlqyer dhe unë gjej rastin t’i falënderoj që nga Liço, Llapanji e deri te punëtori i fushës dhe tifozët. Kanë qenë të jashtëzakonshëm me mua dhe u jam mirënjohës.

Cili ka qenë momenti më i mirë për ju te Skënderbeu?                                                                                                                    Kur shkuam në finale të Kupës në sezonin e kaluar.

Po më i vështiri?                                                                                                                                                                                                      Kur luajtëm me Kukësin në Shkodër. Krijuam 12 raste për gol dhe në fund humbëm 1-0. U mërzita jashtë mase dhe u binda që në futboll duhet patjetër të kesh edhe fat.

memelli2

A është e vërtetë që ju kanë bërë oferta nga Kosova dhe ku do ta shohim Memellin në të ardhmen?                          E sigurt është që këto 3 muaj derisa të mbyllet sezoni do të rri me familjen dhe me miqtë e mi, duke u përpjekur të çlirohem pak edhe nga stresi që të shkakton ky profesion… (qesh). Dua t’u kërkoj ndjesë edhe arbitrave apo atyre ndaj të cilëve kemi lëshuar ndonjë kritikë publike, por pa pasur qëllim të keq. Në punën tonë nuk jemi asnjëherë perfektë.

Nëse Gega ju telefonon dhe ju kërkon një këshillë, çfarë do t’i thoshit?                                                                                Mua më ka telefonuar Skënderi sot (dje) dhe e urova për detyrën e re. Ai nuk ka nevojë për këshilla, sepse është një trajner me emër të madh dhe ka dalë kampion me Partizanin. Atij i them vetëm një gjë: po shkon në një klub të madh me njerëz për së mbari dhe kam besim se do t’ia dalë.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.