EKSKLUZIVE/ “Suksesi i Brikenit i pastër, si mjalti pa hile”, flet trajneri bletërritës nga fshati i “të fortëve”: Asgjë nuk e bën pis këtë arritje (E PLOTË)









Shtërmeni, një fshat me rreth 3800 banorë, ka nxjerrë një kampion bote në peshëngritje, Briken Caljen. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri i kampionit të botës, Gerald Toska, ka zbuluar edhe formulën e suksesit të sportistëve të këtij fshati, ku të gjitha me sa duket burojnë nga bletaria. Toska pohoi se veç peshëngritjes ai merret me bletët dhe Caljen e quan bletë punëtore.

Trajneri tregoi si Brikeni doli kampion bote, arsyen pse e çuan në dygarësh peshën në 346 kg, ku veç titullit kampion bote në këtë stil, synon edhe thyerjen e rekordit europian. Trajneri Toska u shpreh me bindje se suksesi i Brikenit në botërorin e fundit është i pastër dhe nuk do të njolloset nga përgjigjet e testit anti-doping. Gerald Toska tregoi edhe vështirësitë që ka ky sport, ku si shembull merr atë që ka hequr vetë si peshëngritës në hapat e parë. Apeli i tij është se ky sport elitar mund të çohet më përpara nëse ka mbështetje morale dhe financiare.

Gerald, si është për një trajner që të nxjerrë një kampion bote?
Pa dyshim që ndjehesh i privilegjuar kur nxjerr një kampion bote. Ishim kandidatë për të marrë medalje, pasi pak a shumë e dinim situatën ku ishim. Ky dygarësh duhej futur edhe më parë në lojërat Olimpike. Prova e tretë, ku Brikeni dështoi, ne tentuam të siguronim titullin kampion dhe të thyenim rekordin europian në shtytje. Rekordi europian dhe dygarëshi ishin 345 kg dhe ne kërkuam që ta çojmë në 346 kg.

A ju ngelet peng që vetëm për 1 kg humbët medaljen e artë në dygarësh?
Faktikisht ishte një mundësi për të dalë kampion bote duke ngritur peshën 188 kg, por duke ditur që peshëngritësi indonezian ishte mirë në shtytje, ne kërkuam që të thyenim edhe rekordin europian, duke çuar shtangën në 190 kg. Por kjo nuk u bë e mundur edhe për faktin se Brikeni pati një dëmtim te kofsha e djathtë.

Mund të themi se kjo arritje është edhe kulmi i karrierës suaj?
Normal, unë kam 5 vite që merrem me Brikenin dhe ky është suksesi më i madh që kemi arritur bashkë. Unë si peshëngritës dhe Brikeni kemi dalë nga një trajner tjetër, i cili ka në dorë një sportist premtues.

Cila është pika më e fortë e Brikenit si peshëngritës?
Vullneti është pika më e fortë e Brikenit, pastaj disiplina, qetësia që krijon gjatë garës. Këto shpërblehen pastaj në rezultat.

Ju si trajner keni ndonjë Briken tjetër që mund t’ia afroni peshëngritjes shqiptare?
Kjo puna e Brikenit tjetër kërkon punë që të dalë. Ky rezultat është i artë. Duhen shumë vite që të dalë një tjetër Briken. Nuk mund ta dimë nëse do të nxjerrim apo jo një kampion tjetër si ai.

Çfarë ndodh me Shtërmenin e famshëm. Kaq të fortë jeni si fshat?
Në fakt, fshati Shtërmen mbahet për kulturë, sport dhe intelektualë. Cërriku gjithmonë kryetarët e bashkisë nga Shtërmeni i ka pasur. Normal që jemi edhe fshat i fortë…(qesh). Por jemi një fshat me famë edhe për rritjen e bletëve. Nuk ka fshat në Shqipëri që të ketë aq bletë sa Shtërmeni. Këtu mjalti është pa fund

Mos ndoshta tek arritjet e peshëngritësve ka ndikuar edhe mjalti dhe qumështi i bletëve?
Pa dyshim, edhe kjo ka ndikuar në trajtimin e sportistëve. Edhe unë personalisht merrem vetë me bletët.

Pra, Brikeni i bie të jetë një bletë punëtore me arritjet e tij?
Unë, faktikisht, kështu doja t’ia vija emrin atij, pasi Brikeni është si një bletë punëtore. Suksesi i tij është tamam si mjalti pa hile.

A janë kushtet e vështira në Shqipëri për të nxjerrë një kampion bote?
Sigurisht që është shumë e vështirë për ta arritur këtë gjë. Ndonëse Brikeni arriti majën, e di rrugëtimin e tij, pasi fillimisht kemi qenë sportistë në të njëjtën kohë. E di fare mirë se çfarë kemi hequr për të bërë sport në Shqipëri. Me lekë, pa lekë, ku në fillimet tona nuk kishe mundësi për t’i dhënë një kafe dikujt nga mungesa e financave. Ndaj, të arrish në stadin aktual të Caljes është shumë e vështirë, ku ndeshesh me superfuqi botërore dhe sportistë me supertrajtime.

Si mund të zhvillohet peshëngritja, e cila mbetet nga sportet e vetme që i siguron medalje Shqipërisë në arenën ndërkombëtare?
Ky sport individual mund të ecë vetëm duke u mbështetur. Duhet çuar rinia te ky sport vetëm duke u mbështetur, qoftë edhe pak financiarisht në hapat e parë. Them kështu se e mbaj mend vetëm time kur kam qenë sportist. Imagjino një sportist që të mos ketë lekë në xhep për të marrë një pije apo të ulet në lokal për të pirë një kafe. Që këtu sportisti vritet moralisht. Pa i hyrë më tej mundësive për të blerë medikamente për dëmtimet e dhimbjet që ke. Peshëngritja ecën përpara vetëm me mbështetje morale dhe financiare, pasi kushte stërvitore gradualisht po krijohen. Ne si ekip i Shtërmenit kemi palestër model për stërvitje.

Në disa raste arritjet e peshëngritjes janë njollosur nga testet anti-doping. Besoni që ky rezultat i Brikenit do të mbetet i pastër dhe kur pritet që të dalin rezultatet e kontrollit anti-doping?
Përgjigjet e testit anti-doping dalin 21 ditë pas përfundimit të garës, ku menjëherë i nënshtrohesh analizave. Analizat sigurisht që do të dalin të pastra, pasi Brikeni i ka dhënë provat, që nga 2017-ta kur ka nisur me mua bashkëpunimin. Ka dalë kampion Europe, nënkampion Europe në Rusi, i katërti në lojërat Olimpike dhe gjithnjë ka dalë i pastër në testime. Kështu që edhe kjo arritje historike e Brikenit është shumë e pastër, nuk ka asgjë për ta bërë pis.

Keni bërë kontrolle para se të shkonit në botëror?
Ne nuk kemi bërë kontrolle përpara se të shkonim atje, pasi e dimë se çfarë kemi marrë. Duke ditur se çfarë proteinash dhe vitaminash kemi konsumuar, nuk ka arsye që të kemi frikë për të bërë kontrolle dhe për të mos besuar tek arritjet tona. Sportisti është i vetëdijshëm për atë që merr dhe konsumon.

A ju ndihmoi mospjesëmarrja e Kinës në Botëror, pasi në peshën e Caljes ata kanë një peshëngritës që fitoi të artën në Olimpiadë?
Mungesa e Kinës mbase ka qenë një arsye, por një sportist nuk paraqitet në garë gjithmonë kur nuk është i përgatitur për atë veprimtari. Me sa di unë, kundërshtari ynë nga Kina në peshën e Caljes, pas Olimpiadës u martua dhe mbase ai i është përkushtuar më shumë dasmës sesa përgatitjeve për botërorin. Kemi pasur kandidat edhe një bullgar që e kemi sfiduar më parë, por nuk u paraqit as ai në Botëror dhe nuk i di arsyet e tij. Ne nuk marrim parasysh ata që nuk janë, pasi garën e bëmë me ata që ishin prezent, ndonëse ne ishim përgatitur për të marrë rezultatet tona, duke mos u ndikuar nga prezenca e kundërshtarëve. Madje, ai që nuk vjen i bie që të mos jetë mirë për të konkurruar në garë. Por konkurrentët ishin pa fund, rreth 40 vetë.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *