EKSKLUZIVE/ “Suksesi i Brikenit i pastër, tamam si mjalti pa hile”, trajneri bletërritës, Toska: Ja si doli Calja kampion bote









Shtërmeni, një fshat me rreth 3800 banorë, ka nxjerrë një kampion bote në peshëngritje, Briken Caljen.

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri i kampionit të botës, Gerald Toska, ka zbuluar edhe formulën e suksesit të sportistëve të këtij fshati, ku të gjitha me sa duket burojnë nga bletaria.

GERALD TOSKA

Toska pohoi se veç peshëngritjes ai merret me bletët dhe Caljen e quan bletë punëtore. Trajneri tregoi si Brikeni doli kampion bote, arsyen pse e çuan në dygarësh peshën në 346 kg, ku veç titullit kampion bote në këtë stil, synon edhe thyerjen e rekordit europian. Trajneri Toska u shpreh me bindje se suksesi i Brikenit në botërorin e fundit është i pastër dhe nuk do të njolloset nga përgjigjet e testit anti-doping. Gerald Toska tregoi edhe vështirësitë që ka ky sport, ku si shembull merr atë që ka hequr vetë si peshëngritës në hapat e parë. Apeli i tij është se ky sport elitar mund të çohet më përpara nëse ka mbështetje morale dhe financiare.

Gerald, si është për një trajner që të nxjerrë një kampion bote?

Pa dyshim që ndjehesh i privilegjuar kur nxjerr një kampion bote. Ishim kandidatë për të marrë medalje, pasi pak a shumë e dinim situatën ku ishim. Ky dygarësh duhej futur edhe më parë në lojërat Olimpike. Prova e tretë, ku Brikeni dështoi, ne tentuam të siguronim titullin kampion dhe të thyenim rekordin europian në shtytje. Rekordi europian dhe dygarëshi ishin 345 kg dhe ne kërkuam që ta çojmë në 346 kg.

Cila është pika më e fortë e Brikenit si peshëngritës?

Vullneti është pika më e fortë e Brikenit, pastaj disiplina, qetësia që krijon gjatë garës. Këto shpërblehen pastaj në rezultat.

Mos ndoshta tek arritjet e peshëngritësve ka ndikuar edhe mjalti dhe qumështi i bletëve?

Pa dyshim, edhe kjo ka ndikuar në trajtimin e sportistëve. Edhe unë personalisht merrem vetë me bletët.

Pra, Brikeni i bie të jetë një bletë punëtore me arritjet e tij?

Unë, faktikisht, kështu doja t’ia vija emrin atij, pasi Brikeni është si një bletë punëtore. Suksesi i tij është tamam si mjalti pa hile.

A janë kushtet e vështira në Shqipëri për të nxjerrë një kampion bote?

Sigurisht që është shumë e vështirë për ta arritur këtë gjë. Ndonëse Brikeni arriti majën, e di rrugëtimin e tij, pasi fillimisht kemi qenë sportistë në të njëjtën kohë. E di fare mirë se çfarë kemi hequr për të bërë sport në Shqipëri. Me lekë, pa lekë, ku në fillimet tona nuk kishe mundësi për t’i dhënë një kafe dikujt nga mungesa e financave. Ndaj, të arrish në stadin aktual të Caljes është shumë e vështirë, ku ndeshesh me superfuqi botërore dhe sportistë me supertrajtime.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.