EKSKLUZIVE/ “Të lumtur për titujt”, rrëfehet Shkëlqim Muça: Ja si e rikthyem Partizanin në superfuqi



Edicioni 2021 për Partizanin në volejboll ka qenë perfekt, teksa klubi kryeqytetas ka regjistruar dopiodopietë, duke fituar Kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë si për femra ashtu edhe për meshkuj. Përveç protagonistëve në parket, meritë për suksesin e Partizanit ka edhe drejtori i klubit Shkëlqim Muça.

muca

I ardhur në krye të të kuqve në fund të 2015-ës, në një periudhë kur klubi ishte inekzistet, tashmë Partizani është kthyer në superfuqi në volejbollin shqiptar. Në një intervistë për “Panorama Sport” Muça ka komentuar edicionin fantastik të skuadrave të volejbollit, por gjithashtu ka folur edhe për ekipet e basketbollit.

Muça, si do ta komentonit këtë sezon të jashtëzakonshëm të Partizanit në volejboll?

Natyrisht që është një sezon i mirë për të dyja ekipet tona që u shpallën kampione, si për femra dhe për meshkuj. Kemi vite që e dominojmë volejbollin edhe te meshkujt edhe te femrat. Natyrisht që ky ishte një vit i vështirë, pasi vinim nga një edicion i papërfunduar si 2020-ta. Skuadrat mbetën për një kohë të gjatë pa stërvitje për shkak të pandemisë, por arritëm të mbyllnim një sezon të vështirë me sukses.

Vetëm në vitin e largët 1954 në të gjithë historinë e klubit, Partizani kishte bërë dopietë në të njëjtin sezon si për meshkuj ashtu edhe për femra…

Po sigurisht ai ka qenë sezoni i vetëm që klubi kishte arritur një rezultat të tillë, shumë vite më parë. Me ardhjen në detyrë në fund të vitit 2015 te Partizani, objektivi im ishte të rilindim lojërat me dorë, të cilat ishin inekzistente në atë kohë dhe jam shumë i lumtur që ia arritëm.

Fillimisht formuam ekipin e meshkujve me trajnerin Ylli Tomorri, i cili me skuadrën e tij nisi menjëherë të punonte fort. Më pas me Roland Tarjen, i cili gjithashtu punoi mjaft mirë me femrat. Kështu që skuadrat kanë ardhur gjithnjë në rritje si në lojëra ashtu edhe në rezultate.

Ju si drejtues e prisnit një sezon të tillë?

Për ekipet e volejbollit kemi qenë optimistë që në fillim, ashtu si edhe një vit më parë ku pretendonim të ishim kampionë, por ai sezon siç dihet u mbyll pa fitues. Natyrisht ne e vazhduam punën që t’i fitonim të gjithë trofetë, si Kampionatet ashtu edhe Kupat. Kështu që jemi shumë të lumtur që i kemi fituar të gjitha kupat mundshme në volejboll.

Me dominimin në volejboll, tashmë tifozët kanë vetëm një peng: rikthimin e Partizanit në basketboll…

Tani na mbetet basketbolli, ku me ekipin e femrave pretendojmë të jemi në finale me Flamurtarin dhe natyrisht edhe me meshkujt të jemi mes 4 apo 5 ekipeve më të mira. Ia kemi arritur deri diku që t’i ringremë edhe ekipet e basketbollit. Skuadra e meshkujve në vitet e fundit në drejtimin e të ndjerit Arben Fagu arriti të renditej deri mes 3 ekipeve më të mira të Shqipërisë. Tani na duhet të punojmë dhe të afrojmë sponsorë ashtu siç kanë ekipet e tjera si Teuta, Vllaznia apo Goga Basket, të cilat janë në një nivel tjetër në krahasim me ne.

Gjatë karrierës tuaj si sportist apo edhe si trajner, keni qenë pjesë e futbollit.  Si është tani që drejtoni një klub shumësportësh?

Unë jam në rolin e menaxherit dhe të drejtuesit, rol që e kam pasur rreth 7-8 vite edhe te Tirana. Pothuajse problematikat janë të njëjta dhe nuk ka qenë e vështirë për mua për t’u ambientuar në komunitetin lojërave me dorë. Problemi është te gjetja e sponosorëve që është pak e vështirë, sepse pjesën më të madhe të tyre i merr futbolli, ndërsa te lojërat me dorë afrohen më pak. Natyrisht presim që edhe ligji i sponsorizimit të jetë më shumë në favor të sportit, që të ketë edhe më shumë investime.

Me gjithë mbështetjen e shtetit apo të bashkive, që të rrisësh cilësinë në një nivel më të lartë duhen sponsorizimet. Nevojitet përfshirja e bizneseve, të cilat duhet të kenë lehtësira fiskale. Na është premtuar që do të rishikohet ligji i sponsorizimit, i cili do të sillte edhe rritjen e investimeve në sport. Në fund dua ta mbyll me një falënderim për sponsorët tanë te të dyja ekipet, të cilat kanë një meritë kryesore në rezultatet e arritura, pasi na kanë ndihmuar me afrimin e lojtarëve cilësorë duke i rritur ekipet edhe profesionalisht.

PANORAMASPORT.AL – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *