PanoramaSport.al/ Kur Saimir Malko i shënonte Teutës në finalen e Kupës më 28 maj të vitit 1994 dhe i jepte trofeun Tiranës, as që e mendonte se 22 vite më pas do të merrte rrugën për në Amerikë. “Atëherë doja të jetoja në atdhe. Refuzova edhe një ofertë nga Mainci. Por e kam peng që nuk u largova nga Shqipëria që në ato vite”, thotë sot ishmbrojtësi i Kombëtares shqiptare në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”. “Ai gol është momenti më i lumtur në karrierën time, por futbollin duhet ta shfrytëzosh sa je i ri”, shton lushnjari që përveç bardhebluve, në karrierën e tij është aktivizuar edhe me Traktorin, Partizanin, Dinamon, Flamurtarin dhe Lushnjën. Po çfarë bën sot ish-futbollisti që fitoi trofe me Tiranën? Ka ngritur një biznes të vetin në Miçigan dhe dëgjon me ndonjë partizanas, si Paulin Dhëmbi, këngën e Pajtim Strugës “Tirona kampion”…
Saimir, sa vjet keni në SHBA?
Gjashtë vjet mbushen tani më 25 prill.
A jeni përshtatur?
Po, po. Deri tani mirë. Fillimet ishin pak të vështira.
A jeni i kënaqur me jetesën?
Po, sigurisht.
Saimir, një lojtar i rëndësishëm i epokës suaj, në vend që sot ta kishte të garantuar një të ardhme të shkëlqyer në Shqipëri, detyrohet të marrë rrugët dhe të emigrojë. Po në vende të tjera a ndodh kjo me lojtarë cilësorë?
E vërtetë e hidhur, por prandaj futbollin për aq sa të jepet mundësia, duhet ta shfrytëzosh. Luan deri në njëfarë moshe dhe nuk je i përjetshëm. Më pas, po nuk krijove një të ardhme gjatë asaj periudhe, detyrohesh të bësh çfarëdolloj pune si të gjithë në emigracion.
A keni ndonjë peng, sepse një pjesë të madhe të karrierës e keni luajtur pasi ra sistemi komunist? A keni pasur mundësi që të ikni jashtë?
Pengu im i vetëm është që nuk u largova në periudhën kur kisha oferta nga disa ekipe, të paktën në Europë. Bëhet fjalë për Maincin në Gjermani.
Pse nuk u larguat kur i kishit këto mundësi?
Në atë periudhë më pëlqente të rrija në Shqipëri. Pishman i jetës sime ai është. Pastaj për të gjitha të tjerat jam i kënaqur me gjithçka kam arritur, të paktën në sport.
A e ndiqni kampionatin shqiptar, keni ndonjë informacion?
E ndjek. Ma lejon kafja, e ndjek këtu. Madje, pashë edhe Tirana me Skënderbeun 0-4. Tirana në kampionatin shqiptar bën diferencën.
JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL
INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”!
© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al