EKSKLUZIVE/ Tri medalje në Europian, Kofsha flet pas suksesit në Poloni: Kurorëzuam punën


















Vetëm 17 vjeç, por Ertjan Kofsha po konfirmohet garë pas gare si e ardhmja e madhe e peshëngritjes shqiptare. Triumfi i fundit për peshëngritësin e talentuar shtërmenas erdhi në Kampionatin Europian U-17 që u mbajt në Poloni. Kofsha, i kthyer me tri medalje të arta në atdhe, duke nderuar Shqipërinë, rrëfen për “Panorama Sport” emocionet e garës.

kofshaaa

“Normalisht jam shumë i kënaqur, pasi kemi bërë një punë të gjatë dhe ia dolëm që të merrnim rezultatin që dëshironim, duke u shpallur kampion Europe”, janë fjalët e para të Ertjanit, i cili thotë se ishin arritje që i priste: “E prisja, sepse siç e thashë kemi bërë një punë intensive për vite me radhë dhe ishte kurorëzimi i mundit dhe djersës”.

Për sa i përket dedikimit për titullin e trefishtë kampion Europe, Kofsha shprehet: “Në radhë të parë ia dedikoj familjes sime, profesorit dhe të gjithë dashamirësve të sportit që më kanë ndihmuar”.

Peshëngritësi më tej flet edhe për strategjinë e ndryshimit të peshës, duke kaluar në kategorinë 89 kg. “Ishte strategjia e profesor Nardit dhe mendoj që bëmë zgjedhjen e duhur. Ndoshta niveli ishte pak më i lehtë në kategorinë 89 kg”, deklaron kampioni i ri i shtangës.

Kohët e fundit Ertjan Kofsha ka qenë pa fat, pasi ka humbur pjesëmarrjen në dy gara të mëdha siç ishte Europiani i vitit të kaluar apo Botërori i Meksikës.

Në rastin e parë për mungesën e plotësimit të dokumentacionit të sistemit antidoping Adams, ndërsa në rastin e dytë për shkak të mosmarrjes së vizës.

I pyetur nëse triumfi në Europian vjen si një çlirim për të, duke sfiduar edhe tersin që e përndiqte, Kofsha nuk ka dyshim: “Po, patjetër. Humba pjesëmarrjen në dy gara shumë të rëndësishme ndërkombëtare, por për asnjë moment nuk u ndala dhe vazhdova stërvitjet për të arritur medalje në Kampionatin Europian U17”.

Në fund Kofsha rrëfen edhe çelësin e suksesit të Shtërmenit në shtangë, një fshat i vogël që nxjerr kampionë të mëdhenj: “Çelësi i suksesit mendoj që është trajneri Leonard Toska, i cili ka shumë vite që merret me këtë sport dhe ka nxjerrë kampionë të mëdhenj, ashtu sikurse shpresoj edhe unë të bëhem”, përfundon prononcimin e tij peshëngritësi i talentuar.

Pas kthimit nga Europiani, Ertjan Kofsha dhe trajneri i tij Leonard Toska janë pritur nga kryebashkiaku i Cërrikut, Andis Salla, i cili u shprehu mirënjohjen dhe i përgëzoi për paraqitjen e shkëlqyer.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.