“Ekspertiza e keqe të varros!”- Spartak Braho: Mos u nxitoni, duhet të caktojmë njerëz me autoritet të lartë, po gjykojmë Presidentin







Spartak Braho, një nga anëtarët e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta të martën theksoi se procedura e ekspertimit të shkeljeve që pretendohet se ka kryer Presidenti i Republikës është momenti më i rëndësishëm i Komisionit Hetimor.

Në fjalën e tij, Braho i bëri thirrje anëtarëve të këtij komisioni që të mos nxitohen, pasi pjesa dërrmuese e këtij komisioni e di se çfarë do të thotë një ekspertizë e mirë dhe një ekspertizë e keqe.

Sipas tij, një ekspertizë e mirë të hedh matanë dhe një e keqe të varros.

“Ekspertët duhet të jenë njerëz me autoritet të lartë profesional, pasi po gjykojmë Presidentin e Republikës”, tha ai.

Ai theksoi se në të njëjtën kohë, ky komision gjykon nëse Presidenti e ka shkelur rëndë apo jo Kushtetutën.

“Që do të thotë, se ne do të përballemi me interpretimin e Kushtetutës, me interpretimin e shumë akteve të Gjykatës Kushtetuese, me interpretimin e gjithë vendimeve të Komisionit të Venecias dhe me interpretimin e saktë të ekspertëve, pasi ky përfundim, do të jetë edhe përfundimi i komisionit tonë”, u shpreh Braho.

Një nga pikat kryesore që u miratua pa asnjë votë kundër, është caktimi i ekspertëve për marrjen e ekspertizës që kërkon njohuri të posaçme lidhur me objektin e hetimit, që është nëse Meta ka shkelur apo jo Kushtetutën me deklaratat e tij para dhe gjatë procesit zgjedhor.

Kryetari i Komisionit Alket Hyseni tha se këtë fundjave do të dorëzohen të gjitha raportet e kërkuara nga institucionet lidhur me objektin e hetimit, ndërsa më 20 maj do të jepen konkluzionet e raportin përfundimtar dhe do i lihen katër ditë kohë të shkruhet në mënyrë që më 24 maj të bëhet prezantimi përfundimtar i tij në Komisionin hetimor dhe më pas t’i çohet Kuvendit.

Në mbledhjen që u zhvillua në Kryesinë e Kuvendit, komisioni njoftoi se Presidenti do të marrë pjesë në seancë dëgjimore më 18 maj.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *