Ekzekutimi i të riut shqiptar në mes të rrugës, Prokuroria gjermane jep detaje: Krimi pas një zënke, autori është serb

Një mosmarrëveshje mes dy shoferëve në udhëkryqin ndërmjet dy rrugëve të Hannoverit të Gjermanisë përfundoi me vrasje, mesditën e së enjtes së kaluar. Atje mbeti i vdekur një 30-vjeçar nga Kosova, me inicialet A.N.

I dyshuar për vrasjen e tij është një 32-vjeçar me shtetësi gjermano-serbe, me iniciale R.Z, për të cilin mediat raportojnë se është me prejardhje poashtu nga Kosova.

Sipas dëshmitarëve, zënka nisi mes personave që ndodheshin në dy vetura, një Porsche Cayenne dhe një Mercedes-Benz S500.

Por, cila ishte arsyeja e zënkës?

Nga Prokuroria e Hannoverit kanë thënë se hetimet për rrjedhën e saktë të ngjarjeve dhe prapavijën janë duke vazhduar.

Kathrin Söfker nga zyra e shtypit të prokurorisë ka deklaruar se 32-vjeçari i dyshuar për vrasje tashmë është dorëzuar në Polici dhe se ndodhet në paraburgim, në bazë të një urdhërarresti nga Gjykata e Qarkut në Hanover.

“Hetimet mbi rrjedhën e saktë të ngjarjeve dhe prapavijën janë duke vazhduar. I dyshuari, një 32-vjeçar me shtetësi gjermano-serbe, që po kërkohej, u paraqit pasdite dhe u arrestua nga oficerët e policisë së Hanoverit. Ai ka qenë në paraburgim që prej ditës së djeshme në bazë të një urdhër arresti nga Gjykata e Qarkut në Hanover, nën dyshimet për vrasje”, ka deklaruar Söfker.

Viktima ka qenë i njohur për organet e drejtësisë, shkaku i një rasti që kishte ndodhur në vitin 2017. Ai ka qenë i përfshirë në një mosmarrëveshje në të njëjtin qytet, ku kishte qëlluar me armë një burrë tjetër në vetëmbrojtje.

Mbetet ende e paqartë nëse vrasja e A.N lidhet me këtë incident.

Sipas Söfker, atij i ishte shqiptuar atëherë një dënim me kusht për shkelje të ligjit për Armët.

“Viktima është një 30-vjeçar me kombësi kosovare. Emrat e plotë të të dyshuarit dhe viktimës nuk mund të zbulohen. Viktima ishte përfshirë në një mosmarrëveshje në Hanover në 2017, në të cilën ai qëlloi një burrë tjetër në vetëmbrojtje. Viktimës më vonë iu dha një dënim me kusht për shkelje të ligjit për armë”, thuhet në përgjigjet e Prokurorisë së Hannoverit.

Detaje se si ka ndodhur vrasja ka dhënë Prokuroria edhe përmes një njoftimi për shtyp.

“Fillimisht u dëmtuan vetëm dy makinat, të cilat ishin duke qëndruar para semaforit në Weidendamm, në drejtim të rrugës Herschelstrasse. Mosmarrëveshja eskaloi në atë shkallë që së paku një e shtënë u bë nga vetura Mercedes-Benz. Pak kohë më pas, vetura Porsche përshpejtoi, e kaloi udhëkryqin dhe goditi një shenjë trafiku në anën e kundërt të rrugës. Pak më vonë, personi 30-vjeçar në Porsche doli nga vetura dhe ra në tokë. Pavarësisht përpjekjeve për ndihmë nga shërbimi i shpëtimit, burri vdiq në vendin e ngjarjes. Shkaku i saktë i vdekjes fillimisht ishte i paqartë”, thuhej në njoftimin e prokurorisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *