“El Clasico” për Halandin, gazetari italian zbulon prapaskenat e merkatos









Kilië Mbape nuk është emri i vetëm “big”, i cili mund të bëjë bujë që në merkaton e dimrit. Sulmuesi i PSG-së është kthyer në një mollë sherri mes klubit të tij dhe Realit të Madridit. Por, rreth 600 kilometra më në veri të kryeqytetit francez, pikërisht në Dortmund një tjetër emër i rëndësishëm pritet të trazojë ujërat e merkatos.

HALAND

Bëhet fjalë për yllin e verdhezinjve dhe të kombëtares norvegjeze, Erling Haland. Ndonëse nuk pritet ndonjë “bombë” në janar, sulmuesi i Dortmundit pritet të trazojë jo pak ujërat e merkatos që tani. Klubet e interesuara për shërbimet e tij janë gati të përgatisin që në janar terrenin e përshtatshëm për të finalizuar gjithçka në verën e ardhshme.

Jo më larg se të dielën, mediat në Angli raportonin se Mançester Siti i Pep Guardiolës ishte gati të ndërmerrte çdo aventurë të mundshme për të firmosur një parakontratë me sulmuesin e Dortmundit.

Madje, mediat në ishull bënin me dije se Mançester Siti kishte vendosur dhe kontaktet e para me përfaqësuesit e lojtarit.

Një ditë më vonë ka ardhur dhe përgënjeshtrimi nëse mund ta quajmë kështu. Gazetari i mirënjohur i merkatos së lojtarëve Xhanluka di Marcio ka deklaruar me siguri se e ardhmja e Erling Halandit nuk do të jetë diku tjetër veç Spanjës!

BARÇA VS REAL
Duke folur për “Wettfreunde”, gazetari i “Sky”-it ka thënë:

“Erling Halandit nuk është se i pëlqen shumë Premier Liga. Kampionati anglez nuk është ëndrra e tij. Të paktën për momentin nuk përbën kampionatin e preferuar për të. Nga çfarë di dhe kam mësuar, ai është më i hapur për t’u transferuar në Spanjë. Mendoj se La Liga është kampionati ideal për të.

Nëse nuk shkon në La Liga ai mund të qëndrojë në Gjermani”. Di Marcio ka saktësuar gjithashtu se në garë në Spanjë janë dy gjigantët, Reali dhe Barça.

“Reali do të ishte një mundësi, por nëse firmosin me Mbapenë më duket e vështirë, kështu që në lojë mbetet Barcelona”, ka thënë Di Marcio. E në fakt, gazeta “Sport” ka bërë me dije se presidenti i Barçës, Joan Laporta, është i fiksuar pas norvegjezit.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.