El Salvadori, “vendi më i rrezikshëm në botë” për gratë, si u bë shtëpia e tmerrit prona e ish-policit brenda të cilës u gjetën 40 kufoma

Zyrtarët e El Salvadorit, janë munduar ta paraqesin ish-policin, brenda shtëpisë së të cilit janë gjetur 40 kufoma, shumica prej tyre femra – si një psikopat, pavarësisht faktit se janë arrestuar edhe nëntë tjerë si të dyshuar.

Dita-ditës njerëzit po mblidhen para shtëpisë së gjelbër në rrugën Esteves, me shpresën se do të marrin ndonjë informacion për më të dashurit e tyre që janë zhdukur pa gjurmë, transmeton Telegrafi.

“Thonë se ka shumë, ndoshta 40”, thotë Jesenia Elizabet Francisa, 38-vjeçe, e cila erdhi nga qyteti fqinj në Chalkuape me shpresën që do ta gjejë të birin e saj Luis Fernando që u zhduk shtatë vite më parë, kur ai ishte vetëm 16-vjeç.

“Dua të paktën të gjej eshtrat për t’i varrosur dhe të gjej qetësinë”, thotë ajo derisa mban në dorë fotografinë e të birit të zhdukur.

Të tjerët janë në kërkim të vajzave apo bashkëshorteve, për të cilat frikësohen se janë viktima të Uga Ernesto Osorio Chavez, ish-polic dhe njëherit vrasës serik që viktimat e tij i ka varrosur përreth shtëpisë.

“Ishte vetëm 24-vjeçe”, thotë Kandelaria Karanco Castro, një nënë, bija e të cilës u zhduk në korrik të vitit 2015. “Vetëm dua ta gjej”, shtoi ajo.

Varreza masive është gjetur në këtë rrugë në natën e 7 majit, kur fqinjët i telefonuan policisë pasi dëgjuan britmat e një gruaje.

Kur policia mbërriti në vendin e ngjarjes, gruaja dhe e ëma e saj ishin të vdekura – ato ishin goditur me shufër të metaltë nga Orosio që ka pranuar se i ka kryer këto krime.

Derisa po e arrestonin, policia hasi në trupat gjysmë të djegur të dy burrave para shtëpisë, e kur filluan të gërmojnë kishte kufoma në shumë gropa.

Numri i saktë i kufomave ende nuk dihet, por besohet se mund të jenë rreth 40. Në çdo rast. Jo më pak se 15.

Zyrtarët besojnë se shumica e viktimave janë gra të reja, të cilat Orosio i joshi duke u premtuar ndihmë të gjejnë punë në Meksikë. E të paktën tre viktima janë fëmijë të moshës dy, shtatë dhe nëntë vjeç.

Lidhur me këto vrasje të shumta janë arrestuar edhe nëntë të dyshuar, në mesin e të cilëve janë kontrabandist dhe pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë – gjë që nxiti spekulime që Orosio ka përdorur pronën e tij si varrezë e fshehtë për viktimat e vrasësve tjerë.

“Diçka të tillë nuk kemi pritur nga ai”, ka thënë Arnoldo Gonzalez, 40-vjeç, familjar i të dyshuarit i cili me fytyrë të skuqur shikonte familjarët e viktimave, derisa prisnin në afërsi të shtëpisë në një fshat në afërsi të Chalkuape.

“Dukej i zakonshëm dhe plotësisht normal. Nganjëherë na thoshte se po punon si detektiv privat apo truprojë, por kurrë nuk kemi dyshuar në të pasi që ishte polic”, ka thënë Gonzalez, njëri prej të rrallëve që nuk hezitoi të flet me gazetarët.

E ky rast ka shokuar El Salvadorin, por në anën tjetër ka vënë në pah rritjen e përqindjes së vrasjeve të femrave në Amerikën Latine, nga Argjentina deri te Meksika – ku vetëm gjatë vitit 2019 janë vrarë 400 femra.

El Salvadori prej vitesh konsiderohet si një prej vendeve më të rrezikshme në botë për femrat, e ky realitet detyron shumë të ikin në veri në kërkim të një jetë më të mirë në Shtetet e Bashkuara.

Vitin e kaluar 541 femra janë zhdukur në këtë vend ku jetojnë 6.7 milionë njerëz, ka bërë të ditur Organizata për Gra dhe Paqe në Salvador.

“Vrasësi serik i femrave nga Chakluape nuk është rast i izoluar”, ka thënë aktivistja Morena Herrera.

“Ky incident ka rrënjët e mbështetua në dy fakte: gatishmërinë e shoqërisë që të lejoj dhunë mbi gratë dhe mos reagimin e institucioneve.

“Institucioneve të El Salvadorit nuk u bënë fare përshtypje jeta e femrave – dhe këtu nuk po flas vetëm për policinë”, ka shtuar Herrera.

Nga ardhja në pushtet dy vite më parë, populisti Nayib Bukele pretendon se përqindja e vrasjeve në këtë vend ka rënë nën mesataren prej nëntë sa ishte më parë në vetëm tri viktima brenda 24 orëve. Por shtrohet pyetja nëse kjo rënie e numrave është rezultat i politikave të qeverisë apo një marrëveshje e fshehtë e bandës më të madhe kriminale të El Salvadorit, Mara Salvaturcha (MS-13).

Vitin e kaluar, grupi medial i Salvadorit, El Faro ka publikuar një sërë dokumentesh, të cilat pretendohet që tregojnë se zyrtarët shtetërorë kanë bindur bosët e arrestuar të “qetësojnë ushtarët” e tyre, në këmbim të një tretmani më të mirë në burg.

Të tjerët thonë se derisa numri i rasteve ka rënë, përqindja e të zhdukurve është rritur në vend gjatë luftës qytetare që zgjati nga viti 1979 deri më 1992, ku u zhdukën mijëra njerëz.

E varreza masive hedh poshtë pretendimet e 39-vjeçarit Bukele, qeveria e të cilit ka shkaktuar nervoz tek komuniteti ndërkombëtar, duke bërë thirrje që El Salvadori të jetë një vend më i sigurt për të jetuar.

Zyrtarët po mundohen që këtë ngjarje ta paraqesin si aksion kundër psikopatëve – pavarësisht që po u pengon fakti që janë arrestuar edhe ish-pjesëtarë të organeve të sigurisë.

“Falë veprimit të shpejtë të policisë tonë, do t’i kalojë të paktën 100 vite në burg”, ka shkruar në Twitter presidenti i vendit duke premtuar që Osorio kurrë më nuk do ta sheh dritën me sy.

Javën e kaluar, gjykatësi Rodolfo Delgado ka kritikuar raportimin “morbid” të mediave, derisa ministri i Mbrojtjes, Gustavo Vilatoro, ka vlerësuar se gazetarët po tentojnë që nga ky rast të përhapin konkluzione për situatën e sigurisë në vend – duke raportuar për numrin e madh të njerëzve të zhdukur.

Për familjarët e të zhdukurve, zbulimi në këtë shtëpi ju ka dhënë shpresë se do të marrin të paktën disa përgjigje. Një polic që ruan vendin e krimit thotë se në një mesatare prej 15 njerëzve vijnë çdo ditë, duke kërkuar më të dashurit e tyre.

Gazetarët e The Guardian gjatë javës së kaluar kanë takuar gjashtë familje që kishin shkuar në Chalkuap, me shpresën se më në fund do të gjejnë të zhdukurit e tyre.

Derisa qëndron e ulur në një copëz druri pranë shtëpisë së Osorios, Francia kujton 30 gushtin e vitit 2014, kur e dërgoi të birin që të blejë ushqim në Ahuachapan, qytet 30 minuta larg Chalkuapes.

“Shkoi dhe kurrë më nuk e pashë. E kam kërkuar nëpër spitale, morgje, kudo, por asgjë”, thotë Francia, derisa pranë saj futeshin në shtëpi hetuesit e veshur me rroba të bardha.

E Karanca thotë se i kanë treguar fotografitë e gjësendeve që i kanë gjetur në shtëpi, por asnjë prej tyre nuk i përkiste bijës së saj të zhdukur Arli Arasli Antilon.

“I kam parë rrobat, këpucët dhe stolitë”, thotë gruaja që në detaje kujton se çfarë kishte veshur vajza e saj në ditën kur u zhduk.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *