EMA: S’ka fakte që lidhin AstraZeneca me trombet

20:17 16/03/2021

“Ekipet e ekspertëve vijojnë punën për rastet në fjalë”

Vaksinat e firmës AstraZeneca nuk rezultojnë të jetë shkak i trombozave tek të vaksinuarit në vendet europiane, një konstatim ky i Agjencisë Europiane të Barnave EMA.

“Nuk ka asnjë tregues se vaksinimi ka shkaktuar këto kushte. Numri i rasteve të tromboemboliteve tek të vaksinuarit nuk duket se është më i lartë se rastet e shfaqura tek popullata e përgjithshme”.

Gjatë një konference për shtyp, drejtorja ekzekutive e kësaj agjencie tha se ekipet e ekspertëve do të hetojnë një nga një të gjitha rastet e pacientëve që kanë zhvilluar trombe pas vaksinimit me AstraZeneca e po ashtu edhe seritë e vaksinave që janë pezulluar nga shumë vende europiane, me dyshimin se shkaktojnë tromboza.

Një vendim përfundimtar për këto raste pritet të jepet të enjten. Ekspertët e kësaj agjencie thonë se benefitet me imunitetin që krijon vaksina AstraZeneca janë shumë herë më të larta se problemet e dyshuara.

18 vende europiane mes të cilave Gjermania, Franca e Italia pezulluan vaksinimin pas disa rasteve të vdekjeve nga trombozat të disa personave të vaksinuar me AstraZenecan.

Deri më 10 Mars janë regjistruar 30 persona të vaksinuar që pësuan tromboza, mes 5 milionë të vaksinuarve në total nga vaksina e kësaj firme. Nëse do të vërtetohej lidhja mes vaksinës dhe trombozave, sipas këtyre të dhënave, ato zhvillohen në një nivel jashtëzakonisht të ulët prej 0.0006% të rasteve.

Tv Klan









Të ngjashme Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *