Në Presidencë u zhvillua sot procedura e hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që do të funksionojë përgjatë vitit 2022.
Presidenti Ilir Meta në një reagim në rrjetet sociale u ka uruar suksese anëtarëve të sapozgjedhur.
“Dhe përmbushjen e detyrës, me përgjegjësi dhe integritet të lartë, ashtu siç ligji dhe Kushtetuta sanksionon”, shkruan kreu i shtetit.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbehet nga 9 anëtarë të përhershëm dhe 6 anëtarë zëvendësues. Ata u zgjodhën të gjithë me short, që u hodh në ambientet e Presidencës.
Nga Gjykata Kushtetuese anëtarë të KED u zgjodhën, Marsida Xhaferllari dhe Elsa Toska. Nga Gjykata e Lartë, Sokol Binaj. Nga Prokuroria e Përgjithshme, anëtare e përhershme do te jetë Anila Leka.
Nga Gjykatat e Apelit në vend anëtarët e përhershëm të KED u zgjodhën Edlira Petri dhe Enton Dhimitri. Nga Zyrat e Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit, anëtarët e përhershëm do te jeten Arta Marku dhe Edien Kapo. Klodiana Mema (Veizi) u zgjodh anetare e KED nga Gjykatat Administrative.
POSTIMI I PLOTE I ILIR METES
Me transparencë të plotë, në prani të përfaqësuesve të të gjitha institucioneve të përfshira në proces dhe me pjesëmarrjen e mediave të interesuara, që transmetuan live gjithçka, zhvilluam sot në Institucionin e Presidentit të Republikës procedurën e hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që do të funksionojë përgjatë vitit 2022.
Ju uroj anëtarëve të sapozgjedhur të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, shumë suksese dhe përmbushjen e detyrës, me përgjegjësi dhe integritet të lartë, ashtu siç ligji dhe Kushtetuta sanksionon. ⚖️🇦🇱
© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al