Emërimet në Kuvend për organet e pavarura, peng të “interesave politike”! Deri në fund të vitit duhet të zgjidhen 26 zyrtarë nga 10 institucione








kuvendi

Ndërsa Kuvendi po bëhet gati që të zgjedhë 26 zyrtarë të rinj për dhjetë institucione të pavarura, përvoja e viteve të kaluara tregon se shumë prej posteve mbeten vakante për një kohë të gjatë, për shkak të “lobingjeve dhe interesave politike”.

Ndërsa punon në zyrën e tij në selinë e ish-të përndjekurve politikë, një godinë dykatëshe përballë Parlamentit, Besim Ndregjoni priti më kot prej tre vitesh që emri i tij të votohej si anëtar i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ishSigurimit te Shtetit, AIDSSH. Ndregjoni u propozua si kandidat nga Shoqata e të Përndjekurve Politikë dhe garoi bashkë me 7 kandidatë të tjerë për vendin vakant të krijuar pas dorëheqjes së Daut Gumenit në vitin 2018. Por edhe pse mblodhi dy herë firmat e nevojshme të deputetëve dhe i kaloi të gjitha procedurat parlamentare, votimi i emrit të tij u mbajt pezull nga Kuvendi.

“I kalova të gjitha procedurat parlamentare, seancë dëgjimore në komisionin e Ligjeve dhe votimi për emrin tim u fut edhe në planin 3-mujor të punimeve të Kuvendit, por në fund nuk e di pse nuk e votuan”, tha Ndregjoni për BIRN.

“E fusnin në çdo plan 3-mujor të Kuvendit dhe nuk e votonin”, shtoi ai. Saga e pasuksesshme e Kuvendit për të plotësuar në tre vjet vendin vakant të Autoritetit të Dosjeve nuk është një rast i izoluar. Ndërsa Kuvendi i Shqipërisë po bëhet gati për një raund të ri emërimesh në institucionet kushtetuese, ekspertët paralajmërojnë se nisur nga përvoja e legjislaturave të kaluara, shumë prej pozicioneve të reja rrezikojnë të mbeten bosh për shkak të interesave të ngushta politike.

Sipas drejtorit ekzekutiv të Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, në dy legjislaturat e kaluara Kuvendi ka plotësuar brenda afatit vetëm 40-50% të vendeve vakante dhe i ka justifikuar vonesat me “alibi formale” dhe pa bazë ligjore argumentuese.

“Problemi kryesor është se Kuvendi nuk ka një mekanizëm verifikues, parandalues dhe reflektues, për të nxjerrë përgjegjësitë dhe për të kryer përmirësime në rregullore dhe në praktikën e punës”, tha Krasniqi.

VONESAT, NJË PRAKTIKË E ZAKONSHME

Sipas të dhënave që BIRN siguroi nga Kuvendi i Shqipërisë, deri në fund të vitit duhet të zgjidhen 26 zyrtarë nga 10 institucione kushtetuese apo të krijuara me ligj. Mes zyrtarëve që u mbaron mandati janë edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Juliana Latifi, si dhe kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula. Sipas rregullores së Kuvendit, kandidaturat duhet të propozohen deri 30 ditë përpara mbarimit të mandatit të anëtarit të institucionit dhe jo më vonë se 10 ditë pas shkarkimit të një organi kushtetues apo të krijuar me ligj.

Megjithatë, afatet janë shkelur në një pjesë të madhe të rasteve dhe për gati ¼ e vakancave aktuale, mandatet kanë skaduar që në vitin 2019. Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, duhet të ketë 7 anëtarë, por aktualisht vetëm kryetarja e sapozgjedhur, Armela Krasniqi, është me mandat të rregullt ligjor. Për tre prej anëtarëve të AMA-s, mandatet kanë përfunduar në vitin 2019, ndërsa për dy të tjerë në korrik të vitit 2021. Megjithatë, Kuvendi ka dështuar deri më tani që t’i zëvendësojë anëtarët.

Po ashtu, zgjedhja e anëtarëve në Këshillin Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar ka krijuar prej vitesh probleme me vakancat dhe është bërë shkak i përplasjeve politike. Në maj të këtij viti, në Këshillin Drejtues të RTSH-së u plotësuan 4 vakanca, të cilat kishin ngecur në rrjetën e procedurave të Kuvendit që në vitin 2019. Aktualisht, janë dy vende që duhen plotësuar në këtë Këshill, pas dorëheqjes së Thanas Gogës dhe ndarjes së parakohshme nga jeta të Petrit Rukës.

Autoriteti i Konkurrencës, një tjetër institucion i krijuar me ligj për mbikëqyrjen e tregut, do të ketë më në fund anëtaren e re Rezana Konomi, e cila u votua në seancën e datës 14 tetor 2021. Megjithatë, procedura parlamentare për votimin e saj zgjati një vit kalendarik dhe dy seanca dëgjimore, ku kandidatja tha se “po detyrohej të përsëriste veten”. Gjithashtu, mandati i kryetares së Autoritetit, Juliana Latifi përfundon në 15 dhjetor.

Pas një korrespondence të gjatë me Kuvendin për të plotësuar anëtarin e pestë dhe pas bllokimit të kuorumit në prill të këtij viti, Autoriteti i Dosjeve pret gjithashtu të rinovohet deri në fund të vitit përmes procedurave parlamentare. Mandatet e kryetares Gentiana Sula dhe tre anëtarëve Altin Hoxha, Marenglen Kasmi dhe Simon Mirakaj përfundojnë në 17 nëntor të këtij viti. Në të njëjtën procedurë pritet të plotësohet edhe vendi i lënë vakant prej vitit 2018 nga Gumeni.

Kuvendi pritet që të zgjedhë gjithashtu nënkryetarin e Komisionit të Prokurimit Publik, një anëtar në Këshillin Drejtues të Institutit të Statistikave si dhe dy anëtarë të Institutit të Studimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Ndërkohë, Kuvendi ka nisur në kohë procedurat për zëvendësimin e dy anëtareve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilëve u mbaron mandati në dhjetor 2021.

“INTERESA POLITIKE”

Drejtuesi i Unionit të ishtë Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni priti tre vjet pa sukses për t’u votuar për Autoritetin e Dosjeve. Zëvendësimi i vendeve vakante në organet kushtetuese dhe të zgjedhura me ligj nga ana e Kuvendit është një proces, që në vend të ecë në binaret e rregullores së Kuvendit dhe ligjeve përkatëse, bëhet shpesh pjesë e interesave të politikës. Sipas Krasniqit, për disa poste ka interesa politike dhe vonesat shkaktohen për shkak të negociatave për emrat, ndërsa për disa poste të tjera zvarritjet lidhen edhe me interesa të palëve të treta.

“Shumica e vendeve vakante ose me mandate të skaduara që vijojnë të ushtrojnë detyrën lidhen me dy faktorë, lobingjet dhe interesat politike ose nga grupe në konflikt interesi”, tha Krasniqi për BIRN. Koston më të madhe të këtyre vonesave e vuajnë institucionet përkatëse, që si në rastin e Autoritetit të Dosjeve, nuk arrijnë të jenë funksionalë apo marrin vendime të debatueshme apo jotransparente.

“Kur vijojnë të marrin vendime individë me mandate të skaduara, është e pritshme që ata të mendojnë për të ardhmen e tyre dhe të përdorin votën për vendime jo transparente”, shtoi Krasniqi. Pavarësisht zhgënjimit që provoi duke pritur 3 vite që emri i tij të votohej në Kuvend, Besim Ndregjoni i tha BIRN se do të tentojë sërish për t’u bërë anëtar i bordit drejtues të Autoritetit të Dosjeve.

“Nuk ka asnjë arsye ligjore që më ndalon të kandidoj përsëri”, tha Ndregjoni, ndërsa shtoi: “Nëse nuk votohem, janë vetëm arsye politike”.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *