Emigrantët mësyjnë kufirin polak

09:15 09/11/2021

Qindra në mos mijëra migrantë u përpoqën të kalonin kufirin nga Bjellorusia drejt Polonisë të hënën, duke prerë telat me gjemba dhe përdorur mjete rrethanore për të kapërcyer kufirin. Kjo ka shkallëzuar krizën disa mujore përgjatë kufirit lindor të Bashkimit Evropian.

Ministria e Brendshme polake tha se ka ndalur fluksin e migrantëve dhe e ka situatën nën kontroll. Në një video të postuar në rrjetet sociale nga zyrtarët polakë shihen punonjës të rendit të armatosur duke spërkatur me kimikate migrantët që po përpiqeshin të prisnin telat me gjemba në kufirin Poloni-Bjellorusi. Disa migrantë goditën policët me sende të forta.

Pamjet filmike nga media bjelloruse tregojnë njerëz që përdornin shtylla të gjata druri ose degë pemësh në përpjekje për të kapërcyer vijën kufitare ndërsa helikopterë të policisë vëzhgonin situatën.

“Sapo ka filluar një përpjekje e koordinuar për futjen masive të migrantëve në territorin e Republikës së Polonisë, si mjet i përdorur nga Bjellorusia për sulme hibride kundër Polonisë”, tha në një deklaratë Stanislaw Zaryn, zëdhënës i forcave të sigurisë të Polonisë.

Duke vënë në dukje se vija kufitare është gjithashtu kufiri lindor i NATO-s, zëdhënësi Zaryn theksoi se “grupet e mëdha të migrantëve kontrollohen plotësisht nga shërbimet e sigurisë dhe ushtria bjelloruse”.

Ai akuzoi presidentin e Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, se po vepron për të destabilizuar Poloninë dhe vendet e tjera të BE-së për t’i bërë presion bllokut që të heqë sanksionet ndaj Minskut. Sanksionet u vendosën pasi Bjellorusia shtypi me dhunë protestat në mbështetje të demokracisë.

Zëdhënësi i qeverisë polake, Piotr Mueller, tha se rreth 3,000 deri 4,000 migrantë ishin në anën bjelloruse të kufirit me Poloninë.

Verifikimi i të dhënave në mënyrë të pavarur është i pamundur pasi gazetarët kanë liri të kufizuar në Bejllorusi dhe gjendja e jashtëzakonshme në këtë zonë kufitare të Polonisë ka detyruar largimin e gazetarëve dhe veprimtarëve të të drejtave të njeriut.

Anton Bychkovsky, zëdhënës i Komitetit Shtetëror të Rojës Kufitare të Bjellorusisë, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se migrantët në kufi me Poloninë po kërkojnë të “ushtrojnë të drejtën e tyre për të aplikuar për statusin e refugjatit në BE”. Ai këmbënguli se ata “nuk përbëjnë kërcënim për sigurinë” dhe “nuk po sillen në mënyrë agresive”.

Steffen Seibert, zëdhënës i Kancelares Angela Merkel, u tha gazetarëve të hënën se “regjimi bjellorus po vepron si trafikant i qenieve njerëzore”.

Në Bruksel, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Adalbert Jahnz tha se situata është “një vazhdimësi e përpjekjeve të dëshpëruara të regjimit të Lukashenkos për të përdorur njerëzit si gurë shahu për të destabilizuar Bashkimin Evropian dhe natyrisht vlerat që përfaqëson blloku”.

Bix Aliu, i ngarkuari me punë i Shteteve të Bashkuara në Varshavë, shkroi në Twitter se regjimi i Lukashenkos po rrezikonte jetët e migrantëve dhe se po “i përdorte ata për të thelluar krizën kufitare dhe për ta provokuar Poloninë”.

“Veprimet armiqësore të Bjellorusisë po përkeqësojnë situatën në kufirin me BE-në dhe NATO-n në mënyrë të rrezikshme dhe duhet t’i japin fund menjëherë”, tha ai.

Kryeministri polak Mateusz Morawiecki zhvilloi një mbledhje emergjente të kabinetit lidhur me situatën në kufi. Kryeministri shkroi në rrjetin Facebook se, “Kufiri i shtetit polak nuk është vetëm një vijë në hartë. Ky kufi është diçka e shenjtë për të cilin është derdhur gjak polak për breza me radhë”.

Që nga sezoni i verës, Polonia dhe Lituania janë përballur me mijëra migrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika që përpiqen të kalojnë në Bashkimin Evropian. Polonia është përpjekur të bllokojë hyrjen e migrantëve dhe t’i kthejë në Bjellorusi migrantët e ndaluar./VOA

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *