Ende dhjetëra të pagjetur në pallatin e shembur në Miami, ekipet e shpëtimit kërkime nën rrënoja: Dëgjojmë zhurma njerëzish

Dhjetëra vetë figurojnë të humbur dhe besohet se kanë gjetur vdekjen nën rrënojat e një kompleks ibanimi pranë Majamit të Floridës që u shemb pjesërisht të enjten në mëngjes. Të paktën një person është konfirmuar i vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë nxjerrë deri tani gjallë nga rrënojat.

Ndërsa familjet dëshpërimisht presin për lajme, ekipet e kërkimit thonë se ata po punojnë gjatë gjithë kohës dhe mund të dëgjojnë njerëz që përplasen mes rrënojave.
Të paktën 102 persona deri tani janë lokalizuar, por është e pasigurt se sa ishin në ndërtesë kur ajo u shemb. Dhjetëra të mbijetuar janë nxjerrë nga rrënojat.

Një pjesë e kompleksit 12-katësh të banimit në zonën Sërfsajd në brigjet e Atlantikut u shemb në 1:30 pas mesnate. Deri në orët e vona të pasdites afro 100 vetë ende figuronin të humbur, thanë autoritetet, duke zgjuar shqetësime se numri i viktimave mund të rritet ndjeshëm. Zyrtarët nuk e dinë sa vetë ishin në ndërtesë në momentin e shembjes.

“Ndërtesa u bë petë,” tha kryebashkiaku i komunitetit Sërfsajd. “Më dhemb zemra se me sa më thotë mendja, nuk do të kemi shumë sukses për të nxjerrë njerëz gjallë”.

Për orë të tëra pas shembjes vazhdojnë përpjekjet e kërkim-shpëtimit. Ekipet nxorën një nënë dhe fëmijën e saj, pasi u detyruan t’i presin gruas këmbën, tha shefi i shërbimeve emergjente për Majamin.

Specialistët po përpiqen të futen në ndërtesë nga një garazh i nëndheshëm.
Guvernatori i Floridës Ron DeSantis, i cili vizitoi skenën e ngjarjes, tha se pamjet televizive nuk e përcjellin dot seriozitetin e ngjarjes.

Një ekip me 10-12 specialistë kontrollon një zonë të rrënojave me qen për të nuhatur trupat si dhe me pajisje të tjera. Pasi lodhen nga lëvizja e copave të betonit dhe mbetjeve të tjera inerte, ekipi zëvendësohet nga një grup tjetër kolegësh që puna të vazhdojë pa ndërprerje, tha shefi i shërbimeve zjarrfikëse për Floridën.

Autoritetet nuk kanë bërë spekulime për shkakun e shembjes. Në video shihet pjesa qendrore që shembet e para, ndërsa seksioni më pranë bregut dridhet dhe fillon të shembet disa sekonda më pas. Ndërkohë një re e madhe pluhuri mbështjell gjithë zonën.

Mësohet se në tarracën e ndërtesës po bëheshin punime, por zyrtarët thonë se nuk shohin mundësi që këto punime të kenë shkaktuar shembjen. Presidenti Joe Biden ka premtuar të ofrojë ndihmë federale nëse kërkohet.
Kryebashkiaku tha se disa hotele kanë ofruar të strehojnë banorët e zhvendosur dhe se po organizohen operacione për t’u dërguar ushqime e ilaçe sipas nevojave.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *