
11:32 15/09/2022
Një nënë 30-vjeçare e tre fëmijëve që u gjetën të vdekur në bregun e Coney Island në Brooklyn, është arrestuar dhe akuzuar për vrasjen e tyre.
Mbi Erin Merdy rëndojnë tre akuza për vrasje të shkallës së dytë, tre për indiferencë morale ndaj jetës njerëzore dhe tre për vdekjen e tre të miturve nën moshën 11 vjeç.
Fëmijët vdiqën për shkak të mbytjes ditën e hënë dhe vdekjet e tyre janë shpallur vrasje. Të afërmit lajmëruan policinë pasi Merdy u kishte thënë se “fëmijët kanë ikur”. Kur u mor në pyetje nga hetuesia, Merdy iu tha se “kishte ëndërruar sikur shëtiste fëmijët mbi ujë”, thanë autoritetet.

Tre fëmijët u deklaruan të vdekur në spital pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për t’i dhënë ndihmën e parë.
Në orën 2 të mëngjesit të së hënës, policia mori një telefonatë shqetësuese nga një familjar i gruas, i cili tha se fëmijët ishin në rrezik. 90 minuta më vonë, ata gjetën Merdy të lagur qull dhe këmbëzbathur, pa fëmijët e saj, në plazhin Brighton, përbri Coney Island.
Në orën 4:30, oficerët gjetën 3 fëmijët e pajetë, djali 7 vjeç, vajza 4 dhe e sapolindura, 3 muajshe e gjysmë. Nëna i është nënshtruar një vlerësimi psikologjik për gjendjen mendore. Autoritetet po ekzaminojnë nëse depresioni pas-lindjes ka qenë një faktor për vrasjet.
Erin Merdy nuk ka historik penal, çrregullimi emocional, abuzimi apo neglizhence ndaj fëmijëve. Megjithatë, ajo ka qenë e përfshirë në incidente ngacmimi që kanë shkuar deri në agresive, për të cilat nuk është akuzuar.
Një ish-punonjës i një strehe për të mbijetuarit nga dhuna familjare tha për “CNN” se tre fëmijët kishin qenë gjithnjë të qetë dhe të sjellshëm./tvklan.al
Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al