“Enver Hoxha ka sjellë më shumë të mira, se të këqija”/ Jonila Godole: PS të mbajë qëndrim për deklaratën e pavend të Luljeta Bozos! Në një shtet demokratik do të…

Drejtuesja e Institutit për Demokraci Media dhe Kulturë, njëherazi shkrimtarja dhe pedagogia Jonila Godole, ka reaguar pas deklaratës së bërë nga kryesuesja e listës së kandidatëve të PS në Tiranë, Luljeta Bozo, e cila u shpreh se Enver Hoxha ka sjellë më shumë të mira se të këqija.

godole

Ndërsa shprehet se është në pritje të një sqarimi nga Bozo, Godole i kujton inxhinieres se Kuvendi ka miratuar dy rezoluta që dënojnë krimet e komunizmit.

Godole thekson se PS duhet të mbajë një qëndrim zyrtar për këtë deklaratë të pavend të kandidates për deputete, duke shtuar se: “Në një kontekst të ngjashëm në një shtet demokratik perëndimor në mos do të sillte pasoja deri edhe ligjore për këdo që relativizon apo glorifikon publikisht krimet e diktaturës, do të përballej me kritikë të prerë nga ana e një partie që operon mbi vlera demokratike”.

Komenti i plotë

Në pritje të një sqarimi nga zonja Bozo dhe partia që e ka kandiduar si deputete në Tiranë, pas deklaratës së saj se „Enver Hoxha i ka sjellë më shumë të mira se të këqija“.

Mbase zonja në fjalë nuk e di që Kuvendi i Shqipërisë, në të cilin ajo synon të ulet si deputete pas zgjedhjeve të 25 prillit ka miratuar së paku dy rezoluta, për të respektuar një sërë iniciativash dhe rezolutash të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës (në vitet 1996, 2006, 2009, 2019), Deklaratën e Pragës (2008) “Mbi ndërgjegjen europiane dhe komunizimin” që përcaktonte angazhimin për të dënuar krimet e komunizmit, sipas praktikës së Gjyqit të Nyrenbergut, si krime kundër njerëzimit, etj.

Konkretisht në Rezolutën Nr.11 e miratuar në Kuvendin e Shqipërisë më 30 tetor 2006 „Për dënimin e krimeve të kryera gjatë regjimit komunist në Shqipëri“ shkruhet e zezë mbi të bardhë se „regjimi totalitar komunist i Enver Hoxhës dhe klikës së tij që qeverisi Shqipërinë pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1990, u karakterizua nga dhunimi masiv i të drejtave të njeriut, vrasjet dhe ekzekutimet individuale dhe kolektive, me dhe pa gjyq, vdekjet në kampet e përqendrimit, vdekjet nga uria, torturat, dëbimet, puna skllavëruese, terrori fizik dhe psikologjik, gjenocidi për shkak të origjinës politike apo trashëgimisë së pronës, si dhe dhunime të lirisë së ndërgjegjes, mendimit, shprehjes, lirisë së shtypit, lirisë së besimit fetar dhe lirisë së pluralizmit politik“ (Neni 2, Rezoluta 11, 2006).

Gjithashtu Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar më 27 tetor 2016 edhe Rezolutën „Për dënimin e krimeve të komunizmit ndaj klerit, si dhe mirënjohjen e veçantë për rolin dhe veprimtarinë e klerikëve në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut“.

Mirë do të ishte që këto rezoluta të njiheshin si nga qytetarë, ashtu edhe nga parlamentarë e kandidatë për deputetë.

Por edhe nëse zonja Bozo nuk i i ka lexuar këto rezoluta, dhe pavarësisht prejardhjes së saj familjare të privilegjuar mbase nga regjimi, ajo, me përvojën e saj të gjatë jetësore nuk mund të mos i njohë këto fakte. Dhe kësisoj ajo nuk mund të glorifikojë publikisht „sukseset industriale“ të komunizmit, kur sot edhe nxënësit e dinë se këto vepra janë kryer më së shumti me gjakun dhe jetën e të burgosurve politikë, apo me punën e tyre të detyruar prej skllavi në kampet e burgjet e Hoxhës në gjithë vendin.

Më e pakta që ajo mund të bënte është të kërkojë ndjesë publike për glorifikim të një regjimi që vrau, burgosi mijëra burra e gra, dhe internoi e persekutoi mijëra familje për gjysmë shekulli. Para kësaj panorame vrastare sistematike, gjithë „sukseset“ e tjera janë të papërfillshme. Ky nuk është modeli i përfaqësuesit të shtetit që mund t‘i ofrojmë brezit të ri dhe shoqërisë shqiptare.

PS gjithashtu duhet të mbajë një qëndrim zyrtar për këtë deklaratë të pavend të kandidates për deputete, e cila në një kontekst të ngjashëm në një shtet demokratik perëndimor në mos do të sillte pasoja deri edhe ligjore për këdo që relativizon apo glorifikon publikisht krimet e diktaturës, do të përballej me kritikë të prerë nga ana e një partie që operon mbi vlera demokratike.

Sepse nuk mjafton vetëm që lista të ketë kandidatë të pastër, të parrokuptuar dhe pa lidhje kriminale, por edhe që ata të mos glorifikojnë e justifikojnë krimet e regjimit të djeshëm. Kush mbyll sytë para krimit të djeshëm, nuk e ka për gjë të justifikojë të sotmin. Përndryshe çdo premtim për pastërti figure është demagogji.

Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *