Ditën e hënë Shqipërinë do ta vizitojë Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i cili do të mbajë edhe një fjalë përshëndetëse në Parlament.
Fjalimi i Erdogan do të jetë në orën 17:00, ndërsa Konferenca e Kryetarëve ka vendosur edhe rregulla për gazetarët. Ndër të tjera thuhet se në respekt të akteve normative të mbrojtjes nga pandemia Covid-19, gazetarët dhe kameramanët, të cilët ndjekin seancën, duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose testin negativ, përpara zhvillimit të seancës.
“Mbështetur në vendimin e Konferencës së Kryetarëve të datës 12 tetor 2021, gazetarët dhe operatorët mund të ndjekin e transmetojnë punimet e seancës plenare nga galeria e sipërme e sallës së seancave.
Operatorët mund të marrin plane me kamerat e tyre në fillimin e seancës plenare, për një periudhë kohore deri në 5 minuta nga hapja e seancës.
Pas marrjes së planeve, operatorët do të shoqërohen nga punonjësit e Zyrës së Shtypit në ambientet e jashtme, ndërsa gazetarët mund të qëndrojnë në galeri gjatë gjithë kohëzgjatjes së seancës plenare.
Ju lutem, mbani parasysh që, në respekt të akteve normative të mbrojtjes nga pandemia Covid-19, gazetarët dhe kameramanët, të cilët ndjekin seancën, duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose testin negativ, përpara zhvillimit të seancës.
Certifikata ose testi do t’i dorëzohen punonjësit të Zyrës së Shtypit në hyrjen e sallës së seancave”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al