Erdogan mbështet anëtarësimin e Ukrainës në NATO

08:22 08/07/2023

Presidenti turk priti Zelenskin në Turqi: Do të punojmë për zgjatjen e marrëveshjes së grurit

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan priti në Stamboll homologun e tij ukrainas, i cili po zhvillon një turne evropian për të siguruar mbështetjen për anëtarësimin e Ukrainës në NATO pas përfundimit të luftës me Rusinë. Erdogan i shprehu Zelenskit mbështetjen e Ankarasë  për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

“Ukraina e meriton anëtarësimin në NATO. Do të doja të ritheksoja një pikë që e kam mbrojtur gjithmonë me këmbëngulje. Një paqe e drejtë nuk krijon humbës. Pavarësisht dallimeve midis palëve, është dëshira jonë më e sinqertë për t’u  rikthyer përpjekjeve për paqe”, tha Erdogan.

[embedded content][embedded content]

Presidenti Erdogan tha gjithashtu se Turqia po punonte drejt zgjerimit të një marrëveshjeje për drithërat, të ndërmjetësuar nga Turqia dhe OKB-ja.

“Në Mars të vitit të kaluar, ne organizuam një takim jashtëzakonisht të rëndësishëm midis komiteteve negociuese të Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll. Më pas, në Korrik, nisëm  zbatimin e marrëveshjes falë ndërmjeësimit të Kombeve të  Bashkuara. Shpresoj që marrëveshja e cila i ka hapur rrugën eksportit të më shumë se 30 milionë tonë drithërave ukrainase përmes Detit të Zi të zgjatet sërish në 17 Korrik”, tha Erdogan.

Marrëveshja, e cila ndihmoi në zbutjen e rritjes së çmimeve globale të ushqimit, do të skadojë më 17 Korrik. Rusia ka hezituar të zgjasë marrëveshjen, duke përmendur pengesat për eksportet e saj të ushqimit dhe plehrave. Presidenti Zelenski akuzoi Rusinë për pengim të lëvizjes së anijeve.

“Rusia sillet sikur kontrollon të gjithë Detin e Zi, sikur të jetë pronar i gjithë zonës”, tha Zelensky.

Erdogan tha gjithashtu  se Presidenti rus Vladimir Putin do të vizitonte Turqinë në gusht, kur ai shpresonte të diskutonte rinovimin e marrëveshjes së drithit, si dhe arritjen e një marrëveshje për një shkëmbim të mundshëm të të burgosurve.

Turqia ka mbajtur lidhje të ngushta me Ukrainën dhe Rusinë, duke i përdorur marrëdhëniet e saj me të dyja vendet për të vepruar si pale ndërmjetësuese.

Klan News

Të ngjashmeBurimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne :bopta sotwww.botasot.al

Spread the love

Similar Posts