Fuqia e Realit të Madridit në Europë i kalon kufijtë. Madrilenët kanë triumfuar në pothuajse çdo stadium kryesor të Europës, përfshirë të Bajernit, Juventusit, PSG-së, Ajaksit dhe klubeve londineze. Spanjollët kanë fituar në katër prej 6 stadiumeve kryesore të klubeve që dominojnë në ishull.
Megjithatë, stadiumi ku ata do të luajnë nesër u ka rezistuar madrilenëve. Ata kanë luajtur tri herë në impiantin e Mançester Sitit, por nuk kanë fituar ende. Bilanci është 2 barazime dhe 1 humbje, ajo në çerekfinalen e kthimit të Champions-it në 2019-‘20, pas së cilës ata u eliminuan.
Në vizitën e tyre të mëpërparshme në sezonin 2015-‘16, një barazim 0-0 u shtroi rrugën gjysmëfinaleve, të cilat u vulosën nga një gol i Bejlit në “Bernabeu”. Ndërsa në debutimin e tyre në “Etihad”, në sezonin 2012-‘13 erdhi një tjetër barazim, me Agueron që barazoi golin e Benzemasë.

Shumë pranë “Etihad”-it, në “Old Trafford”, Reali ka përjetuar mbrëmje magjike. Në sezonin 1999-2000, “Los Blancos” fituan 3-2 në “Teatrin e Ëndrrave” duke u kualifikuar në gjysmëfinale. 13 vite më vonë, perla e Modriçit i shtroi rrugën fitores 2-1 (firmosi edhe Ronaldo) për ta dërguar skuadrën e Murinjos në çerekfinale.
“Anfield” u gjunjëzua përpara rekordmenëve të Europës në 2014 falë dy golave të Benzemasë dhe një të Kristianos. Kjo ishte një ndeshje për fazën e grupeve, por sërish shërbeu si hakmarrje për humbjen 4-0 në “Anfield” në 1/8-at në 2009.
Në stadiumin e vjetër të Totenhemit, “White Hart Lane”, Reali ka triumfuar dy herë. Në fillim, në çerekfinalet e Kupës UEFA 1984-‘85, falë një autogoli të Perriman. Suksesi i dytë në 2011 në Champions, 4-0.
Stadiumi i katërt i “Big 6” ra këtë sezon, në çerekfinalet e vajtjes në “Stamford Bridge”, ku Benzema shënoi tripletën në suksesin 3-1 ndaj Çelsit. Arsenali mund të jetë zhdukur nga Champions-i prej disa vitesh, por ish-stadiumi i tyre legjendar “Highbury” i ka rezistuar Realit.
Në raundin e 1/8-ave në 2006, londinezët fituan falë një goli të Henrisë në “Bernabeu” ndërsa në ndeshjen e kthimit arritën të rezistojnë.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al