EURO 2020/ Franca dhe Italia shkëlqejnë, ja notat e pretendenteve






Kush do të fitojë në fund mbetet për t’u mësuar dhe zbuluar. Fundja, shumica e skuadrave ka luajtur vetëm ndeshjet e para të grupeve dhe ka ende kohë (edhe pse jo shumë në këtë kompeticion) për të kuptuar se cila skuadër në fund do të ngrejë trofeun. Ndërkohë, e përditshmja italiane “La Repubblica” ka stiluar një listë notash të skuadrave pretendente me ndeshjet e para të luajtura, për të kuptuar diçka më shumë.

Euro 2020

ITALIA 7.5 – Në ndeshjen e parë u pa një Itali dominuese. Dhe tani pyetja e italianëve është më se legjitime: Deri në cilën gradë është e drejtë të festojnë pas fitoreve 3-0 ndaj Turqisë dhe Zvicrës? Debati i kushtohet, në fakt, një përzierjeje besëtytnish dhe vendesh të përbashkëta: nëse e nisin mirë e mbyllin keq, e nëse e nisin keq e mbyllin mirë. Sigurisht që skuadra e Mançinit zhvilloi dy ndeshje pozitive dhe ndoshta që tani është e drejtë që dikush nga “Axurrët” të ketë nisur t’i bjerë daullen. Në një analizë më të thellë: kujtoni shumë skuadra të pajisura me një lojë moderne sulmuese dhe ndërkohë mbrojtësit që japin më të mirën në pozicion të tërhequr, në duelet një kundër një në zonën e tyre? Është diçka e rrallë dhe mund t’i dërgojë larg.

BELGJIKA 7 – Rusia për ta është shndërruar disi në një “thes boksi” (dy fitore në fazën kualifikuese dhe e treta të shtunën në Shën Pjetërburg, që ishte sidoqoftë një transfertë: në tri ndeshje 10 gola të shënuar dhe 2 të pësuar), megjithatë siguria të cilën Belgjika tregoi ishte mahnitëse. Lukaku është një kandidat i qartë për titullin e kryegolashënuesit në mungesë të Eden Hazardit (në ndeshjen e tretë do të mësohet më shumë) dhe De Bryjne lokomotiva e një grupi ku ka ardhur momenti vendimtar: mbrojtja është plakur dhe po humbet pjesë, momenti për të fituar është ky. Sinjale inkurajuese kanë ardhur nga zëvendësimet e yjeve me Tilemans dhe Karraskon, por i dukshëm sa qendror për ambiciet maksimale është së paku rikuperimi i De Bryjnes.

ANGLIA 6.5 – Pritshmëritë e gjeneruara nga Liga e Kampioneve janë të larta dhe pesë finalistët e Portos në formacionin e Sauthgejtit tingëllonin si një sfidë: “Jemi më të mirët, hajde na kapni!” Anglia fitoi në mënyrë të pastër (Kroacia mbetet në çdo rast finaliste e Botërorit të kaluar), por duke marrë shumë nga persona si Filips dhe Rajs që kupat nuk i kanë luajtur, e duke regjistruar dështimin e Kejnit, anonim dhe larg nga dopioroli i bomberit dhe “regjisorit” sulmues. Pa harruar që Mings ka zëvendësuar mirë Meguajërin, shumë do të kalojë nga zgjedhja e fantazistit. Maunt dhe Foden së bashku, me Belingam dhe Sançon prapa, janë e ardhmja që do të fitojë të tashmen.

KROACIA 5 – Nëse Luka Modriç në moshën 35 vjeç tregon përjetësinë e klasit (nuk ka zonë taktike ku inteligjenca e tij taktike të mos shkëlqejë) pjesa tjetër e Kroacisë së 2018-ës duket të mos jetë më e njëjta, viktimë e rënies së rendimentit të yjeve të tjerë dhe mbi të gjitha e ndryshimit të gjeneratës. Kovaçiç vazhdon të mos bindë, Brozoviç ka humbur ritmin, Rebiç funksionon si sulmues i dytë me një sulmues përpara, ndërkohë që nuk bind si zgjedhje e parë. Kundër çekëve nesër do të jetë një sfidë direkte, edhe pse Shik duket sikur po drejton një kombëtare më të uritur. Do të sulmojë mbi të gjithë Vida.

HOLANDA 6.5 – Nota do të ishte më e lartë pa ndërlikimin e përmbysjes dhe e goditjes së pësuar në limite, që nga njëri krah mund të kuptohet se përse Ukraina është mes më të mirave të radhës së dytë, por në tjetrën sinjalizon një problem në menaxhimin e avantazhit (me De Ligtin mund të shkojë më mirë). Përballë akuzave të fazës mbrojtëse, bazuar në një lexim të paraprirë të modulit, skuadra e De Burit ka shprehur me raste lojë holandeze puro, falë dyshes së mesfushës (Vajnaldum dhe De Jong) të cilëve t’u hiqet topi është e vështirë dhe mbrojtjes që u garanton De Ron. Skema 3- 5-2 ka normalisht kuptim nëse mund të mbështetesh te një sulmues krahu si Damfris. Edhe Depaji ndihet mirë, ndonëse për momentin ka dështuar.

SPANJA 6.5 – Nëse nuk merret rezultati si metër i vetëm i gjykimit, në nisjen e kombëtares spanjolle u panë sinjale të një skuadre në formë. Zero në kutinë e golave të shënuar është një event i rastësishëm: disa gabime të Moratës, disa pritje me nivel të Olsenit, situata të tjera ku mbrojtja suedeze ishte në pikën e rënies. Në pjesën e parë, mbi të gjitha, mekanizmi i rikuperimit të topit në zonën e lartë ka qenë më i miri i parë deri tani, një rigjenerues i vazhdueshëm rastesh. Për t’u regjistruar cenueshmëria ndaj kundërsulmeve, si në rastin e Isakut. Pra, me disa vida për të shtrënguar edhe Spanja do të jetë konkurruese.

PORTUGALIA 7 – Iu desh shumë për të fituar superioritet ndaj Hungarisë, duke rrezikuar edhe rënien, por në fund sasia e talentit në gatishmëri të Fernando Santosit ndihmon. Ndjesia është që hierarkitë e brendshme duhen rregulluar, sepse tani nuk është vetëm Ronaldo, por Ronaldo peshon ende. Për këtë arsye ishte thelbësore që kompeticioni të nisej me tri pikë të pastra dhe rezultati 3-0 është pozitiv.

FRANCA 7.5 – Ishte në “pole” në start, shkoi në krye në “kthesën” e parë, cilësia e individëve është e lartë dhe mënyra me të cilën Deshamp lidh lojtarët u lejoi kampionëve të botës të kalojnë thuajse lehtësisht testin e Gjermanisë. Franca fitoi me autogol, vërtet, por mrekullia e dy golave të anuluar për pozicion jashtë loje me centimetra dhe rrezikshmëria e Mbapesë dhe Benzemasë janë momente shou. Por, nuk shkëlqen vetëm sulmi. Edhe pjesa tjetër e skuadrës ka xhiruar si një orë zvicerane nga mbrojtja e bazuar te Kimpembe te Pogba zot i mesfushës. Asnjë risi: mbetet më favoritja.

GJERMANIA 6 – Nëse të hënën te Polonia u pa Levandovski pa Bajernin, të martën në Mynih luajti Bajerni pa Levandovskin: një skuadër me vlerë të madhe që në zonën e rreptësisë nuk gjen goditjen e duhur. Nuk do të përballet gjithmonë me mbrojtje si ajo franceze, por Europiani është i shkurtër dhe në rastin për t’u përballur me favoriten dështoi. Lëv nuk guxoi, fundja: duke kaluar më herët te mbrojtja me katër do të kishte pasur më shumë mundësi të eksperimentonte me mbrojtjen kundërshtare, ndoshta me Sanenë në shtim të Havercit dhe jo në vendin e tij. Por, do të kishte pasur më shumë kohë për të pësuar gola të tjerë dhe në fund diferenca e golave mund të peshojë.

Përgatiti: LEDIO NASE

Panorama Sport 

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *