“Fati nuk ka qenë me ne”, sulmuesi i Skënderbeut: Jemi ekipi më në formë në Superiore









Skënderbeu do të kërkojë rritjen e mëtejshme në pjesën e dytë të sezonit. Të paktën kështu pretendon Elvi Berisha, sulmuesi i bardhekuqve që ka zhvilluar një pjesë të mirë të sezonit në nivele të larta.

ELVI BERISHA

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi i Skënderbeut tregon rrugëtimin e afërsisht gjysmës së parë të kampionatit, ndërsa ka pretendimet e veta për pikët që korçarët kanë marrë deri më tani.

Sipas Berishës, fati në një numër të madh ndeshjesh nuk ka qenë me Skënderbeun, ndaj në pjesën e dytë të kampionatit përqendrimi dhe cinizmi duhet të jetë shumë herë më i madh.

“Kemi mbyllur një pjesë të parë të sezonit dhe deri diku jemi të kënaqur me atë që kemi arritur në javët e fundit. Forma jonë ka qenë e mirë në gjashtë ndeshjet e fundit ku me bindje e them se kemi zhvilluar futboll të bukur dhe kemi qenë ekipi më në formë i kampionatit. Të them të drejtën, kur shoh ndeshjet që kemi zhvilluar dhe pikët e grumbulluara në këtë pjesë të parë të kampionatit, më vjen keq.

Duhet të kishim shumë më shumë pikë në klasifikim pasi kemi prodhuar shumë. Fati në pjesën më të madhe të rrugëtimit nuk ka qenë në krahun tonë pasi ndeshjet e zhvilluara kanë merituar të mbyllen me tjetër rezultat. Por, gjithsesi, jemi të bindur në forcën tonë dhe premtojmë të vazhdojmë kështu edhe në pjesën e mbetur.

Besimi na është kthyer që pas ndeshjes me Kukësin. Ai takim ka ndryshuar gjithçka në mentalitetin tonë dhe prej andej e në vazhdim kemi pësuar rritje të vazhdueshme”, theksoi fillimisht Berisha.

VIJIMËSIA
Duke parë ecurinë momentale të ekipit dhe pretendimet e drejtuesve për afrime në merkato, Berisha është i bindur se pjesa e dytë e sezonit do të flasë krejt ndryshe.

“Jemi në një pozicion të mirë për sa i përket formës dhe normalisht do të mundohemi ta rinisim atje ku e lamë. Klubi po tregohet aktiv në merkato dhe kjo na bën mirë pasi rrit cilësinë dhe konkurrencën. Jemi të bindur se do t’ia dalim të ngremë ekipin në pozicione të qeta për këtë sezon”, mbylli Berisha.

LL.SARO-PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.