Fatmir Xhafaj kritikon qeverinë për agjencinë që do kontrollojë administratën: Nuk ofron shërbime, por…(Debati i plotë)








MARIGLEN KUME/ Qeveria synon që të sanksionoj me ligj nismën e normuar me një vendim të Këshillit të Ministrave bashkëqeverisjen me qytetarët. Por, duke e ngritur në lartësinë e një ligji, agjencia që synon të krijohet nën varësinë e Kryeministrit me një drejtor që emërohet do të kontrollojë çdo institucion shtetëror.

Madje, drejtuesi i agjencisë do të ketë kompetencë të ndërmarrë masa administrative shtrënguese madje deri sa të kërkojë shkarkimin e ministrit. Projektligji u miratua në parim vetëm me votat e maxhorancës. Por, ajo që ra në sy ishte qëndrimi kritik i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ndaj projektligjit.

Xhafaj i vuri në dukje ministres Spiropali mangësitë që kishte projektligji, duke theksuar se nuk përcaktohen kompetencat dhe tejkalon objektin. Në konkluzion Xhafaj tha se ligji ishte shkruar keq. Ndërkohë për opozitën qëndrimi ishte i prerë që në parim kundër. Sipas tyre, me këtë projektligj maxhoranca synon që të legjitimoj patronazhistët. Pasi të tillë do të jenë edhe kontrollorët që do jenë në çdo institucion publik. Më tej, sipas opozitës, me këtë nismë maxhoranca stimulon administratën që të neglizhojë punën, pasi do të jetë e dyzuar mbi vendimet që do të marrë dhe mund të pres rekomandime nga agjencia.

DEBATI

Spiropali: Projektligji do sjellë një rregullim të imtësishëm të marrëdhënieve të agjencisë me subjektet e interesuara dhe organet e tjera publike. Risia që sjell projektakti është fakti që e ngre në një nivel më të lartë kuadrin normativ, duke e rregulluar atë në nivel ligjor. Risi tjetër është vendosja e agjencisë në ndërmjetës publik ndërmjet organit administrativ dhe subjektit të interesuar për realizimin e të drejtave të këtij të fundit. Pa përjashtuar mjetet e tjera ligjore. Një tjetër element i rëndësishëm është profilizim me seksione të veçanta për secilin aspekt të veprimtarisë së agjencisë. Risi është parashikimi i mjeteve dhe mekanizmave shtrëngues për garantimin e zbatimit të akteve të agjencisë. Një vend të posaçëm zënë dispozitat për kundërvajtjet, sanksionet administrative dhe inspektimet.

Klotilda Bushka: Shumë herë kemi qenë vetë që banorët ku ne shërbejmë ankohen për mospërgjigje apo përgjigje me vonesë nga institucionet. Është përcaktuar edhe procedura e shqyrtimit të ankesave si një mjet kontrolli. Janë parashikuar edhe mekanizmat shtrënguese. Kjo fuqizon rolin e qytetarëve.

Dhurata Çupi: Ligji duket sikur trajton çështje që ju doni t’i jepni përgjigje qytetarëve si “Fjala ime”, “Puna ime”. Në fakt ligji në tërësi kupton “Vota ime” dhe bëhet për të kontrolluar votën e shqiptarëve. Pyetja ime është se a është ky ligj për të mbrojtur patronazhistët?

Fatmir Xhafaj: “Projektligji në thelb ka qëllim të mirë dhe duhet mbështetur. Por, ligji vetë shkon përtej dhe nuk është i shkruar mirë, është i shkruar keq. Edhe relacioni është shumë i thatë, jo argumentues për qëllimet që ka pasur nisma vetë. Ministrja bëri një prezantim të mirë dhe sqaroi disa momente të rëndësishme. Por unë ende kam disa paqartësi dhe dua të shtroj disa pyetje. Relacioni flet për riorganizim të agjencisë. Cili është statusi aktual i agjencisë në administratën shtetërore? Cilat janë disa nga arritjet dhe problematikat e konstatuara të kësaj strukture? Cilat janë arsyet pra që ndikojnë këto për ta ngritur në forcën e ligjit? Sa qytetarë i janë drejtuar kësaj agjencie në këto vite? Sa i janë drejtuar administratës me letra e takime fizike, dhe si është ky raport dhe me këtë ligj sa të sigurt jemi se do i ti harmonizojmë këto të dyja sepse ligji se jep të qartë. Agjencia e sjell në këtë formë ligjore nuk arrijmë ta kuptojmë çfarë statusi dhe pozicioni ka në strukturën e administratës shtetërore. Ku hyn agjencia në strukturën e administratës shtetërore dhe është institucion varësie apo agjenci autonome? Sa i përmbush kriteret e këtij ligji kuadër, pikërisht pozicionimin në një nga tipologjitë. Apo kemi një tipologji të veçantë. Neni 3 i ligjit 90 për administratën, ka qartësuar parimet e administratës shtetërore, e funksionimit. Si përthyen këto në frymën e organizimit të agjencisë. Projektligji rregullon gjithçka për të tretë por tregon shumë pak dhe për afatet e veta të agjencisë. Flasim shumë pak për vetë agjencinë. Shikojeni me kujdes nenin 32. Është parashikuar drejtori i Përgjithshëm, cilat janë kriteret dhe kush është drejtuesi, me çfarë përgjegjësish. Kush është struktura tjetër mbështetëse, si është e organizuar? Po të shohim statusin e punonjësve, përjashto nenin 38 germa “e” asgjë nuk thuhet. Nuk jepet asnjë kriter në ligj, përvoja. Ngremë një armatë kontrollorësh, por nuk themi fare si i rekrutojmë. Me kod pune i ndihmon apo i penalizon? U tha se agjencia është për ofrimin e shërbimeve publike. Agjencia nuk ofron shërbime, por administrata, ndërsa agjencia është kontrolluese. Mesa shoh unë agjencia tejkalon objektet dhe rolin e saj atë që parashtroni. Ndërkohë, nuk e kuptoj se përse duhet të ketë flamur?

Fatmir Mediu: Do t’ju lutem të më thoni një vend europian ku funksionon një agjenci e tillë. Sepse një vend i Amerikës Latine ku është aplikuar, në Venezuelë, arriti dhe shkatërroi gjithë sistemin, duke e çuar në vendin më të varfër që u trafikua më pas nga Hugo Çavez. Ajo që më shqetëson është se raporti i OSBE/ODHIR-it ka ngritur problemin e njehsimit të shtetit me maxhorancën.

Elisa Spiropali: Po e nis pikërisht nga ironia. U përmend këtu edhe Çavezi, ndjesë pastë. Modeli “alo Hugo” është modeli i kundërt i asaj që ne duam të kalojmë sot në parim këtu në komisionin tuaj. Nëse ajo parashikon telefonatën me liderin suprem, kjo parashikon një projektligj që përcakton qartë normat e një agjencie që nuk përplas kompetencat me institucionet e tjera, përkundrazi jep mjete të tjera në duart e qytetarëve për të kontrolluar administratën dhe për të marrë shërbime. Nuk është modeli venezuelas, por është modeli grek dhe bullgar, por ngjan edhe me atë hungarez. Më i ngjashëm është me modelin grek, i cili ka dhe platforma si “Nisma ime”, “Biznesi im”, pra nuk e kemi shpik ne. Ka katër vite që funksion dhe nuk ka qenë e rregulluar me ligj, por me VKM.

Enkelejd Alibeaj: Keni lebetitur shqiptarët sot me këtë nismë që keni sjell. E keni shndërruar këtë parlament në dhomën horrorin e komunizmit. Ky që bën tërmete, dhe më i ndershmi del Fatmir Xhafaj. Nostalgjikët e komunizmit janë mbledhur duke kthyer makthet e komunizmit. Shteti i së drejtës qëndron në kushtetutë. Administrata është e pavarur dhe i bindet ligjit. Kjo ndryshon nga diktatura. Në diktaturë bëhej gjithçka me urdhër, ndërsa tani me ligj.

Oerd Bylykbashi: Dublikimi i drejtimit nga do marrin urdhrin do çojë në atrofizimin e funksionimit. Kjo do ulë efektivitetin e administratës, do çojë në rritjen e konfliktit të kompetencave dhe në më shumë ankesave që do i drejtohen gjyqësorit. Ju kamufloni dështimin në Reformën në Drejtësi.

Gazmend Bardhi përplaset me Ermonela Felaj: Ta tregoj ty! Ty ta tregoj dhe një gjë të tillë! Po vazhdo atje fjalën me projektligjin. Të lutem tërhiqi vëmendjen të qëndrojë brenda temës.

Ermonela Felaj: Atë tregoja dikujt tjetër. Nëse nuk do të dëgjosh, mungesa jote nuk është shqetësuese për askënd. Për sa jemi në një komision je i detyruar të më dëgjosh.

Gazmend Bardhi: Kujt i tregon mungesën ti. Çfarë të duket vetja ty?

Ermonela Felaj: Siç të dëgjova unë ty dhe të tjerët edhe ti do më dëgjosh ose do largohesh!

Gazmend Bardhi: Unë të largohem? Do më largosh ti?!

Ermonela Felaj: Rregullorja e përcakton shprehimisht se çfarë sjellje duhet të kemi në komision.

Gazmend Bardhi: Ec mo aty mos më trego mua rregulloren mua, vazhdo fjalën aty. Të lutem të kërkova me shumë mirësjellje kujdes me fjalët. Po na bën ajo moral ne. Mos më detyro të të them ndonjë gjë që e meriton.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *