“Fatura të majme deri në 200 milionë euro dhe politikanë që hyjnë e dalin në SPAK”/ DW: Në Shqipëri, ëndrra për qytetet pa mbetje dhe afera me inceneratorët

fatura te majme deri ne 200 milione euro dhe politikane qe hyjne e dalin ne spak dw ne shqiperi endrra per qytetet pa mbetje dhe afera me inceneratoret

































Fatura të majmeve që kapin shifrën rreth 200 milionë euro, tre inceneratorë në letra por asnjëri në punë, biznesmenë e politikanë të lartë në kërkim policor e shumë të tjerë që hyjnë e dalin nga dera e SPAK, landfille të tejmbushur që rrezikojnë një krizë mjedisore. Këto janë pasojat e deritanishme të inceneratorëve, dosjet penale të të cilëve kanë shkaktuar dëme të mëdha financiare dhe mjedisore. 

sharra

Pak kilometra në dalje të Tiranës, një tabelë e vendosur në anën e majtë të rrugës tregon drejtimin për të shkuar në Sharrë. Aty gjendet një prej varrezave publike të kryeqytetit, që sot është kthyer edhe në një “varrezë” mbetjesh. “Mezi mbushemi me frymë. Në mëngjës dhe natën era e rëndë është e padurueshme” – i thotë DW-së një banor i Sharrës. Ata kanë frikë të flasin, pasi fjala “incenerator” ka peshë më të madhe në zonë.

Këtu ishte parashikuar që kompania “Integrated Energy.BV.SPV”, të ndërtonte inceneratorin që do t’i jepte një herë e mirë drejtim situatës së mbetjeve për bashkitë e qarkut të Tiranës. Por zgjidhja që u reklamua si një “shpëtim” përfundimtar, sipas ekspertëve është thjesht përmbysje e piramidës së BE-së për menaxhimin e mbetjeve. “Faza e parë është reduktimi, më pas ripërdorimi, riciklimi, prodhimi i energjisë që është i ndryshëm nga incerimi – është waste to energy, pra djegie e mbeturinave për të prodhuar energjinë – dhe në fund fare vjen asgjësimi, që mund të bëhet përmes djegies, pra incenerator ose përmes asgjësimit. Në këtë moment jemi tek hallka e fundit, që akoma s’po funksionon” – thotë për DW inxhinieri i mjedisit, njëkohësisht ekspert i ekonomisë qarkulluese, Lulzim Baumann.

Për Pano Sokon, ekspert ekonomie dhe përfaqësues i “Nisma Thurje”, e cila ka kallëzuar penalisht në SPAK disa afera korruptive, përfshirë edhe inceneratorin e Fierit, daullet e alarmit ranë pikërisht kur u kuptua përmbysja e kësaj hierarkie mbetjesh. Nga tre inceneratorët për të cilët paguajnë shqiptarët, ai i Tiranës, Elbasanit dhe Fierit, asnjë prej tyre nuk djeg mbetje. “Pikën 0 të vetën, çështja e incerimit e pati në momentin kur qeveria shqiptare, në mënyrë totalisht të pashpjegueshme vendosi të ndryshojë strategjinë e trajtimit të mbetjeve, kur incenerimin që ishte i fundit në hierarki, me një vendim papritur e kaloi të parin” – thotë Soko për Deutsche Welle.

“Flamujt e kuq”

Strategjia e re e inceneratorëve nuk u përqafua që në fillim nga Baumann. Duke njohur edhe eksperiencën europiane të trajtimit të mbetjeve, kishte disa elementë që nuk e bindën atë rreth metodës së djegies së mbeturinave. “Së pari, Gjermania ka ndarjen në burim të mbeturinave. Nuk mund të digjen mbeturinat e pandara, çka është një pamundësi për ta funksionalizuar inceneratorin. Së dyti, për të djegur një ton mbeturina, kostoja mininale është 60 Euro, në Gjermani shkon 80 Euro dhe më shumë. Në Shqipëri për momentin, një ton ka koston 30 Euro. Ekonomikisht nuk ka logjikë. Më mirë e dërgon në landfill, se sa në incinerator sepse është 2-3 herë më shtrenjtë. Së treti, në Gjermani mbeturinat e rrezikshme ndahen veçmas, kryesisht bateritë dhe akumulatorët. Këto në mënyrë kategorike nuk duhet të përfundojnë në incinerator, sepse janë mbeturina toksike të rrezikshmërisë së lartë, madje dhe radioaktive herë pas here. Në Shqipëri, sistemi aktual, nuk na garanton në asnjë mënyrë që ka ndarje të mbeturinave elektrike dhe ato nuk do të përfundojë në incinerator” – argumenton eksperti i ekonomisë qarkulluese.

Edhe për Sokon, kishte disa sinjale të qarta për të kuptuar anomalinë e të gjithë procesit. “E para, ishte momenti kur inceneratorët si koncept fillestar janë prezantuar si vepra që do të ndërtoheshin me kontributin e privatit, i cili pasi t’i kishte ndërtuar dhe ne të kishim filluar që të merrnin përfitimet dhe shërbimet, do të fillonim ta paguanim. Ajo çka ndodhi ishte se ne i parapaguam inceneratorët. Flamuri i dytë i kuq ishte fakti se inceneratori i Fierit, edhe pse nuk kishte bërë asnjë punim për gati 2 vite rresht – për shkak të protestave që kishin bërë banorët e zonës për të mos lejuar ndërtimin e tij – ai po merrte sistematikisht rreth 600 mijë euro çdo muaj nga buxheti, ku jo vetëm që ishte premtuar se do ta ndërtonte privati por tashmë edhe kur e ndërtonte shteti po ia paguante lekët privatit para se ai të fillonte punimet. Dhe flamuri i tretë i kuq ka qenë fakti që pavarësisht kohës që po kalonte, Tirana nuk kishte një incinerator. Dhe Tirana vazhdon të mos ketë edhe sot një incenerator. Ne kuptuam se kjo ishte një skemë e mirëfilltë vjedhjeje e parasë publike, ku inceneratorët dhe koncensionet po përdoreshin si një mjet transporti për paranë që të kalonte nga llogaritë e shtetit tek llogaritë personale të disa individëve, pse jo më pas të transferoheshin në xhepat e politikanëve apo vendimmarrësve”.

“Faturë e kripur” financiare dhe mjedisore

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka prej vitesh në duar dosjet penale të inceneratorëve të Tiranës, Fierit dhe Elbasanit, të cilat u hetuan ndarazi nga njëra-tjetra, edhe pse skema e funksionimit është thuajse e njëjta. Për dy të fundit, Gjykata e Posaçme GJKKO dha muaj më parë dënimet për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit, ndaj dy biznesmenëve të kompanive koncensionare, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të shpallur në kërkim policor ndërkombëtar. Për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit u gjetën fajtorë edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, Alqi Bllako. Në kërkim policor ndërkombëtar është edhe ish-zëvëndeskryeministri shqiptar Arben Ahmetaj, akuzuar për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë”, “fshehje pasurie” dhe “pastrim parash”. Në lidhje me inceneratorin e Elbasanit, rreth një vit më parë u arrestua në Vjenë për qëllime ekstradimi edhe Stela Gugallja, administratore e një prej kompanive koncensionare.

Hetimet vazhdojnë ende për inceneratorin e Tiranës, e cila rezulton të jetë llokma më e majme e të gjithë skemës korruptive. Edhe këtu kompanitë koncensionare janë nën pronësinë e Mërtirit dhe Zotos, ndërsa figurat më të larta politike, që janë marrë në pyetje deri tani nga prokurorët e SPAK, janë Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë si dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në deklaratën e tij të shkurtër pas daljes nga mjediset e Prokurorisë së Posaçme pak ditë më parë, Agaçi tha se “ishte thirrur si person që ka dijeni për inceneratorin e Tiranës dhe se të gjithë duhet të jenë në dispozicion të drejtësisë”. Ndërsa drejtuesi i bashkisë së Tiranës Veliaj, tha se “kishte shkuar në SPAK në cilësinë e bashkëpunëtorit dhe se kishte dhënë të gjitha sqarimet e duhura në lidhje me çështjen”.

“Deri më sot, flasim për 75-80 milionë euro që kanë qenë pagesat e inceneratorit të Tiranës dhe rreth 60 milionë euro janë pagesat e dherave, e cila është një marrëveshje bashkëngjitur inceneratorit të Tiranës por aq korruptive sa vetë inceneratori i Tiranës. Rreth 30 milionë euro ka kushtuar inceneratori i Fierit, dhe rreth 25 milionë euro ka kushtuar inceneratori i Elbasanit, i cili nuk punon. Të gjitha në total shkojnë në 195-200 milionë euro dëm, nëqoftëse llogarisim dhe buxhetin e këtij viti. Pse konsiderohet si dëm, është sepse ne sot praktikisht duhet të kishim tre inceneratorë të cilët digjnin plehra, por në fakt nuk kemi asnjë incinerator” – analizon Soko.

Përveç dëmit gjigant financiar, duket se inceneratorët kanë shkaktuar edhe një dëm të madh mjedisor. “Rreth 85% e mbeturinave që ne po grumbullojmë sot, groposen. Kjo groposje ka pasoja mjedisore, nga momenti i groposjes dhe deri 25-30 vite minimum, kanë nevojë për një kontroll shumë strikt, sepse ka shumë ndotje të ujërave nëntokësorë, nga shtypjet dhe ujërat e zeza që dalin nga landfilli dhe njëkohësisht edhe ndotja e gazit metan, që është ndër gazet më të rrezikshëm për efektet serë. Është edhe gaz toksik por edhe gaz shpërthyes, që mund të krijojë shumë probleme” – thotë inxhinieri i mjedisit, Baumann. Sipas tij, Shqipëria gjendet tashmë në një katastrofë ekologjike dhe nëse nuk do të bëhet një menaxhim i duhur i mbetjeve, “kriza do të vazhdojë pafundësisht”.

Deutsche Welle iu drejtua me një kërkesë për koment Kryeministrisë, për të marrë përgjigje mbi ndryshimin e strategjisë për menaxhimin e mbetjeve si dhe marrjen në pyetje nga SPAK të Sekretarit të Përgjithshëm, Agaçi. Burime zyrtare pranë këtij institucioni, duke cituar ligjin 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, bënë me dije se “ky ligj rregullon të drejtën e njohjes me informacionin që prodhohet ose mbahet nga autoritetet publike, por nuk sanksionon detyrim të autoritetit publik për të përgatitur analiza, komente, për t’ju përgjigjur pyetjeve”.

DW iu drejtua me një kërkesë për koment edhe Bashkisë së Tiranës, për të marrë përgjigje mbi mosfunksionimin e inceneratorit të Tiranës dhe thirrjes në SPAK të kryebashkiakut Veliaj. Kërkesa jonë për koment nuk mori përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi./DW

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” <!–

–> © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts