Federata e opozitës, Agron Gjekmarkaj tregon si vjen PD në pushtet. Po Berisha?

Nënkryetari demokrat i Parlamentit, Agron Gjekmarkaj beson se ka një zgjidhje që opozita të kapërcejë ngërçin dyvjeçar dhe të bëhet gati për zgjedhjet 2025 si një forcë fituese. Ai ka propozuar krijimin e një federate, që bashkon çdo opozitar. Po çfarë do të thotë kjo? “E imagjinoj si diçka që përfaqëson çdo valencë opozitare në Shqipëri, ku secili ruan identitetin e vet, numrat e vet, koherencën e ideve të veta. Ne edhe sot kemi qendrime të ndryshme për çështje të ndryshme. E shoh si bashkëjetesë në diversitet, si një gjë të madhe që mund të na përmblidhte të gjithëve. Pastaj, modalitetet, formulat, realizohen. Mjafton të ketë vullnet dhe realizohet.”- tha zoti Gjekmarkaj për emisionin “Pa Censurë”. Ai foli edhe për nevojën e daljes me një kandidat për kryeministër, si dhe për rolin e Sali Berishës.

PJESË NGA INTERVISTA NË EMISIONIN “PA CENSURË”

Pyetje: Kjo që po shohim në parlament është grupi parlamentar i Sali Berishës apo grupi parlamentar Gazment Bardhit?

Agron Gjekmarkaj: Në parlament është opozita, e votuar para dy vitesh. Ne nuk jemi aty për t’iu rikthyer historive të vjetra, por as për të mohuar koherencat dhe qendrimet që kemi patur. Ne jemi të bashkuar në frontin opozitar dhe zoti Bardhi po spikat këto kohë. E them me miqtë që, nëse zoti Basha do të kishte bërë çdo ditë këtë që zoti Bardhi po bën prej 2 muajsh, PD do të kishte qenë me kohë në pushtet. E shoh një politikan energjik, aktiv, siç ishte dhe Salianji në seancë, që vërtet mbajti një peshë të admirueshme. Këta janë politikanë që premtojnë dhe duhen ushqyer në gjeneratën e re të politikanëve që duhet të marrin në dorë PD.

Pyetje: Ju pyes për çështjen e lidershipit në grup, pasi ka një përceptim që grupi i deputetëve të drejtuar nga zoti Bardhi tani është asimiluar nga zoti Berisha dhe është ai lideri juaj.

Agron Gjekmarkaj: Jo, nuk ka asnjë asimilim. Ne jemi ulur në një tryezë të përbashkët në Kuvend, ku mblidhemi për të folur për të gjitha çështjet opozitare. Në disa tryeza të përbashkëta, kam hedhur idetë e mia për mënyrën sesi e shoh unë opozitën që do të përballet në 2025-ën dhe formulat që duhet të gjejmë për ta bërë atë konkuruese, fituese, federative, për një kandidat kryeministër që duhet të dalë me rregulla të qarta.

Pyetje: Kur mendoni se mund të nisin diskutimet mes grupit të zotit Bardhi dhe grupit të zotit Berisha për çështjen e përfaqësimit në zgjedhjet e ardhshme? Pra, që të ketë edhe një shkrirje apo siç e quani ju Federatë në opozitë.

Agron Gjekmarkaj: Ne tani jemi në një betejë dhe përfitoj nga prania ime në këtë emision për ta ftuar qeverinë të reflektojë. Në vendet demokratike mbi protestat reflektohet, ato nuk dhunohen, nuk shtypen. Është qeveria ajo që merr përgjegjësinë në vendet perëndimore për të dëgjuar kërkesat e opozitës dhe për t’u dhënë atyre një zgjidhje ligjore. Është fare pak gjë kjo që kërkohet. Lejimin e komisioneve hetimore dhe reformën zgjedhore me bashkëkryetar nga opozita e vërtetë e vendit, ajo që do të ndeshet me qeverinë. Nuk ka shumë kohë, bie dakord me ju. Në momentin që do të tejkalojmë këtë betejë, është koha për të hapur gamën e diskutimeve mbi të ardhmen e opozitës, mbi mënyrën sesi ajo do të rithemelohet, si duhet të rikonceptohet, çfarë prurjesh të reja do të sjellë dhe si do të konkurrojmë në zgjedhjet e 2025-ës.

Pyetje: Dhe mendoni se koha më e mirë është vitin e ardhshëm, në janar psh apo e mendoni dhe më herët??

Agron Gjekmarkaj: Nëse ne e tejkalojmë këtë ngërç, pse jo, janari, por dhe shkurti mund të jetë një kohë e përshtatshme për të hapur këtë temë.

Pyetje: Ju flisni ër një federatë opozitore. Çfarë do të thotë kjo? Si e imagjinoni?

Agron Gjekmarkaj: E imagjinoj si diçka që përfaqëson çdo valencë opozitare në Shqipëri, ku secili ruan identitetin e vet, numrat e vet, koherencën e ideve të veta. Ne edhe sot kemi qendrime të ndryshme për çështje të ndryshme. E shoh si bashkëjetesë në diversitet, si një gjë të madhe që mund të na përmblidhte të gjithëve. Pastaj, modalitetet, formulat, realizohen. Mjafton të ketë vullnet dhe realizohet.

Pyetje: Funksionimi me sukses i kësaj Federate, ku e pozicionon Sali Berishën?

Agron Gjekmarkaj: Sali Berisha ka kuotat e veta në ketë federatë, kuota maxhore, nëse nisemi nga numrat. Por duke parë po numrat, duke lënë mënjanë retorikën e abuzimit me zgjedhjet, abuzim që ka ndodhur pafund me zgjedhjet e fundit në Shqipëri, janë numra të konsiderueshëm, por të pamjaftueshëm. Atëherë, ne duhet të prekim tastën dhe të zgjojmë pulsin e pjesës gri të shoqërisë, pjesës liberale të shoqërisë, që e kapërcen elektoratin e Sali Berishës. Atëherë ne na duhet një figurë e re, që ruan trashëgiminë, kuotat politike të Sali Berishës, por i sjell opozitës kuota të reja, besim të ri dhe mundësi alternative për fitoren e zgjedhjeve 2025.

Pyetje: E shikoni këtë figurë tek një emër që ka aktualisht opozita?

Agron GJekmarkaj: Opozita ka disa emra…

Pyetje: E përmendët Gazment Bardhin më parë, por a është ai personi i duhur?

Agron Gjekmarkaj: Nuk mendoj se Gazment Bardhi është në këtë betejë aktuale për një karrige apo pozicion, por nuk e përjashtoj Gazment Bardhin, siç nuk përjashtoj politikanë të tjerë të opozitës apo personalitete jashtë opozitës, që vendosin t’i bashkohen asaj për të konkuruar me qeverinë dhe për të qenë fituese.

Pyetje: Kur flisni për personin karizmatik që do të drejtojë Federatën e Opozitës dhe që duhet të ketë dhe mbështetjen e Sali Berishës, kush është ky person, kush ju vjen ndërmend, një profil i tij?

Agron Gjekmarkaj: Nuk dua që ky person të jetë produkt i Sali Berishës. Sigurisht duhet të jetë një person që duhet të ketë miratimin e Sali Berishës dhe të të tjerëve që mendojnë ndryshe nga Sali Berisha, ku të ndihen të sigurtë brenda këtij personi. E përsëris, PD ka personalitete. Nuk është detyra ime që të flas për emra sot dhe të bëj diversion. Ju përmendët zotin Bardhi. Është një politikan që ka të gjithë stimën time. E çmoj shumë për energjinë dhe vokalitetin që po i jep opozitës në këtë kohë, duke spikatur. Në një moshë të tillë nuk është pak të mbash ngarkesa të tilla dhe të krijosh binomin Bardhi-Berisha apo Berisha-Bardhi. Ka një dualitet, por ka dhe plot të tjerë politikanë që mund të jenë nesër përfaqësues të opozitës për kryeministër, duke bërë një betejë dinjitoze dhe fituese.

Pyetje: E shikoni të veshtirë që Sali Berisha ta pranojë këtë ide tuajën, që, mesa kuptoj, është ide edhe e deputetëve të tjerë? Që Berisha të terhiqet dhe të mos jetë ai kandidati për kryeministër apo personi që udhëheq opozitën në një fushatë elektorale përballë Edi Ramës?

Agron Gjekmarkaj: Nëse studiojmë me vëmendje 33 vitet, Berisha nuk e ka të lehtë tërheqjen si natyrë, por ka patur raste që ai është tërhequr dhe ka bërë kthime të mëdha pas në gjykimin për ngjarjet, për perosnat. Më tipiku ka qenë në vitin 2005. Tani jemi në një situatë tjetër, shumë më të vështirë se 2005. Nuk e di si do të sillet zoti Berisha, nuk kam folur për këtë, por në debatin për çështjet e opozitës Berisha ka qenë komod. Nuk ka kërkuar asgjë nga ne dhe ne s’i kemi kërkuar asgjë. Kemi folur për çështje të opozitarizmit gjatë gjithë kësaj kohe. Kur të vijë momenti dhe të diskutojmë për çështje të opozitës, atëherë do të bëjmë një tjetër intervistë.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts