Fermerët goditen rëndë nga thatësira në Itali

10:15 03/07/2022

Rritja e ujit të kripur në lumin Po po kërcënon arat dhe kjo rrezikon që të krijojë një tjetër krizë ushqimore

Thatësira në Itali po përhapet me shpejtësi, me lumenjtë dhe rezervuarët që po thahen teksa temperaturat vijojnë që të shënojnë rekorde. Pjesa më e madhe e lumit Po, i cili përshkon rajonet kryesore veriore, është tharë, por një pjesë e ujit të mbetur po infiltrohet nga uji i kripur i detit që rrjedh nga deti Adriatik përmes deltës. Më shumë se një e treta e prodhimit bujqësor të Italisë zhvillohet në 30,000 km2 që rrethon lumi Po, zona më e madhe e kultivuar në Itali. Kripëzimi i ujit e bën vaditjen pothuajse të pamundur pasi rrezikon djegien e të korrave.

Një raport i projektit evropian të vëzhgimit të Tokës, Copernicus, tha se ndërhyrja ishte e rëndë dhe parashikonte nivele të ulëta rekord të ujit gjatë verës. Disa rajone italiane kanë shpallur tashmë një gjendje të jashtëzakonshme, duke kërkuar të lirojnë fonde për të luftuar krizën në rritje të ujit, ndërsa shoqatat bujqësore thonë se prodhimi do të bjerë këtë vit në zonat kryesore të rritjes.

“Nëse në 10 apo 15 ditët e ardhshme nuk do të ketë reshje shiu, të korrat do të ikin. Në këtë fazë po humbasim në mënyrë progresive të korrat. Sa më shumë të zgjasë situata, aq më keq bëhet problemi dhe aq më shumë zonat e mbjella nuk prodhojnë. Ka pjesë të fushave pa bimë dhe të tjera ku bimët rriten rregullisht. Problemi është se ky është një fenomen progresiv dhe sa më gjatë të zgjasë, aq më keq është”.

Federica Vidali, 29 vjeçe, një sipërmarrëse që ka një fermë të vogël në Itali shprehet se rritja e ujit të kripur në lumin Po ka bërë që ajo të mos mund të ujitë arat e saj, ku zakonisht kultivon grurë, sojë dhe jonxhë.

“Rrjedha e ujit të lumit Po ka rënë ndjeshëm dhe kështu nuk është e mjaftueshme. Kjo do të thotë se në kanalet tona vaditëse kemi ujë të kripur që nuk është i përshtatshëm për ujitje. Po mundohem të jem optimiste por në momentin kur nuk bie shi dhe sheh të gjithë vitin e punës të humbur, frikësohesh dhe trishtohesh”.

Federica është gjithashtu një bletërritëse, por thatësira po dëmton gjithashtu prodhimin e mjaltit, sepse, pa ujë të mjaftueshëm, lulet e jonxhës dhe sojës nuk kanë nektar dhe bletët nuk prodhojnë mjaltë. Ajo gjithashtu nuk mund të përdorë ujin nga kanalet vaditëse sepse përmban kripë që do të vriste bimët. Federica vlerëson një humbje prej më shumë se 60% të buxhetit vjetor.

Shoqata bujqësore e Italisë, Coldiretti, ka paralajmëruar se pellgu i lumit Po kërcënon më shumë se një të tretën e prodhimit bujqësor të Italisë, duke përfshirë frutat, perimet dhe grurin, dhe gjysmën e blegtorisë kombëtare. Kriza e infiltrimit të ujit të detit është më shumë se shqetësuese për ekonominë bujqësore.

Kjo sipas ekspertëve vjen pas një prej dimrave më të thatë në dekada. Të dhënat satelitore Copernicus regjistruan pothuajse asnjë reshje në rajonin e Piemonte që nga dhjetori 2021,  vetëm 40 mm deri në shkurt të këtij viti ndërkohë që duhet të ishte deri në 160 mm shi.

“Ky vit ishte vërtet sfidues. Gjatë dimrit, akumulimi i reshjeve ishte 70-80% më pak, kështu që lumi Po ka një mungesë 2-4 metra në nivelin e ujit që duhet të kishte në këtë sezon. Aktualisht jemi duke përjetuar një rënie të madhe. Edhe liqenet e mëdhenj në Italinë veriore kanë nivele shqetësuese të ujit, ndaj ne duhet të zbatojmë çdo lloj strategjie për të provuar dhe zgjidhur këtë emergjencë. Kjo është koha kur të gjitha industritë bujqësore kanë nevojën më të madhe për ujitje dhe burimet janë të pakta”.

Nivelet e ulëta të pazakonta të ujit kanë ndikuar gjithashtu në prodhimin e misrit dhe grurit dhe fermerët vendas janë të detyruar të pompojnë ujin nga lumi me ndihmën e pompave të ujit për të minimizuar dëmet, por shumë kultura tani humbasin në mënyrë të pashmangshme.

“Për drejtimin e këtyre pompave të ujit përdoren motorët e traktorit. Nëpërmjet këtij sistemi ne mund ta ngremë ujin me rreth një metër, i cili është i mjaftueshëm që pompat e sistemit të ngritjes së ujit të mund të funksionojnë siç duhet. Sigurisht, shkalla e rrjedhës e ujit varet nga sasia e ujit që mund të nxjerrim nga lumi, kështu që edhe me një prurje të vogël mund t’i ujitim pak arat, përndryshe do të kishin mbetur pa ujë për një javë”.

Shqetësimin e shton edhe parashikimi i motit për pjesën tjetër të muajit, ku temperaturat pritet të jenë 10-12 gradë Celsius mbi normalen ku rajonet e Sardenjës dhe Siçilisë pritet që të shënojnë temperature rekord.

Klan News

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.