Festa Kombëtare e Francës/ Presidenti Meta uron Macron-in: Mirënjohje të thellë për mbështetjen në procesin e integrimit

Kreu i shtetit shprehet se beson fort se tradita e shkëlqyer e bashkëpunimit mes dy vendeve do të zgjerohet edhe më tej në fushën ekonomike, tregtare dhe në rritjen e investimeve franceze në Shqipëri.

Më lejoni gjithashtu të shpreh mirënjohjen e thellë për mbështetjen e rëndësishme dhe inkurajimin, që Ju dhe Franca, i keni dhënë dhe po i jepni Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian, që mbetet qëllimi madhor, strategjik dhe kombëtar i popullit dhe vendit tim!“, thuhet në mesazhin e Metës.

Mesazhi i plotë

I nderuar President, Sh.T.Z Emmanuel Macron,
Me rastin e Festës Kombëtare të Francës, Ditës së Bastijës, më lejoni që, në emrin tim dhe në emër të popullit shqiptar, të përcjell urimet më të mira e të sinqerta për Ju personalisht dhe për popullin mik të Francës.

Në një ditë kaq të rëndësishme për vendin dhe popullin Tuaj, jam i kënaqur të konstatoj se marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira mes dy vendeve dhe popujve tanë mbështeten në miqësinë, bashkëpunimin dhe partneritetin e shëndoshë euroatlantik.

Jam i bindur se, kjo frymë bashkëpunimi do të forcohet edhe më tej, veçanërisht në përballjen me sfidat globale e rajonale, që të dy vendet do të kenë përpara në kuadër të Këshillit të Sigurimit të Organizatë së Kombeve të Bashkuara, ku Shqipëria do të jetë anëtare jo e përhershme, duke filluar nga 1 janari 2022.

Besoj fort se, tradita e shkëlqyer e bashkëpunimit mes dy vendeve do të zgjerohet edhe më tej në fushën ekonomike, tregtare dhe në rritjen e investimeve franceze në vendin tim.

Më lejoni gjithashtu të shpreh mirënjohjen e thellë për mbështetjen e rëndësishme dhe inkurajimin, që Ju dhe Franca, i keni dhënë dhe po i jepni Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian, që mbetet qëllimi madhor, strategjik dhe kombëtar i popullit dhe vendit tim!

Duke shprehur vullnetin e sinqertë për forcimin më tej të marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe urimet e mia më të mira për shëndetin dhe lumturinë Tuaj, si dhe për zhvillimin dhe përparimin e mëtejshëm të Francës, Ju lutem pranoni, Shkëlqesi, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *