
23:21 09/07/2022
Protestuesit hynë në rezidencën e kreut të shtetit
Presidenti i Sri Lankës, Gotabaya Rajapaksa, njoftoi se do të largohet nga detyra më 13 korrik, vetëm pak orë pasi protestuesit hynë në rezidencën e tij qeveritare. Lajmin e bëri të ditur kryetari i parlamentit me anë të një deklarate, i cili tha se presidenti ka informuar se do të largohet nga posti të mërkurën.
Edhe kryeministri i Sri Lankës shprehu gatishmërinë të japë dorëheqjen për t’i hapur rrugë një qeverie shumëpartiake. Lajmi për vendimin e presidentit u përshëndet me fishekzjarre festive në Colombo.

Njoftimi për largimin e presidentit erdhi pas një përshkallëzimi dramatik të protestave antiqeveritare këtë të shtunë të shkaktuara nga kriza më e rëndë ekonomike e 7 dekadave të fundit.
Protestuesit hynë më herrët në rezidencën zyrtare të Presidentit në Kolombo, ndërsa ushtria dhe policia nuk ishin ne gjendje të ndalnin turmat e protestuesve të cilët marshuan në të gjithë qytetin. Ky është momenti teksa ata hyjnë brenda rezidencës.

Protestuesit arritën të hyjnë edhe në rezidencën e kryeministrit të vendit, të cilës i vunë edhe flakën. Sri Lanka, vendi ku jetojnë rreth 22 milionë banorë po përballet me një mungesë të madhe valutore që ka kufizuar importet thelbësore të karburantit, ushqimit dhe ilaçeve.
Tv Klan