Filloi punimet “Forumi Ndërparlamentar i Evropes Juglindore të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së”

filloi punimet forumi nderparlamentar i evropes juglindore te asamblese parlamentare te osbe se
filloi punimet forumi nderparlamentar i evropes juglindore te asamblese parlamentare te osbe se

Sot në Kuvendin e Shqipërisë filloi punimet “Forumi Ndërparlamentar i Evropes Juglindore të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së”, i cili organizohet nga AP e OSBE-së, në bashkëpunim me Kuvendin.

Ne Forum marrin pjesë delegacionet në AP e OSBE-së nga Italia, Qipro, Greqia, Hungaria, Slovenia, Bosnje- Herzegovina dhe Mali i Zi.

Në seancën e hapjes së këtij Forumi përshëndeti  Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.

“Shqipëria është një anëtare aktive e organizatës dhe këtë kontribut, përveçse nëpërmjet qëndrimeve aktive të delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare, e materializuam edhe gjatë Presidences në vitin 2020, kur, një periudheje delikate për paqen dhe sigurinë, iu shtuan edhe vështirësitë e pandemisë.

Ne jemi mbledhur sot në Shqipëri, në një vend të rajonit që prej vitesh e quajmë Europa Jug-Lindore, një term që e ka kapërcyer tashmë përmbajtjen gjeografike dhe ka marrë një konotacion të mirëfilltë politik. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me termin tjetër, Ballkani Perëndimor.

Rrudhja e koncepteve gjeografikë dhe “natyralizimi” i tyre në koncepte të mirëfilltë politikë apo gjeopolitikë, nga njera anë është pasojë e shpejtësive të ndryshme të proceseve transformuese politike në atë që para tre dekadash quhej thjesht Europa Lindore. Prandaj ndërgjegjësimi ynë për ndryshimin e këtij realiteti është shumë i rëndësishëm.

Shpejtësitë e ndryshme të proceseve demokratizuese e integruese kanë krijuar dhe mund të vijojnë të krijojnë implikime edhe për stabilitetin, paqen dhe sigurinë, në rajon e më gjerë. Prandaj, sa më shumë të zhvillohen dhe sa më shpejt të integrohen vendet tona, aq më mirë mund të përballohen kërcënimet që vijnë nga jashtë rajonit, por edhe nga inercitë dhe zgjimi i pasojave apo demonëve nacionaliste brenda tij. Demokratizimi, siguria dhe europianizimi zhvillohen paralelisht dhe mbështesin njeri-tjetrin.

OSBE nuk është vetëm një faktor për mbrojtjen e paqes dhe të sigurisë, por edhe një mbështetje e modernizimit dhe perëndimizimit të vendeve të rajonit tonë.”, theksoi znj. Nikolla.

Kryetari i Delegacionit të Kuvendit në AP të OSBE, z. Damian Gjiknuri, nënvizoi se “Në Forum do të shkëmbejmë opinione dhe ide mbi rritjen e bashkëpunimit parlamentar dhe të gjithanshëm mes vendeve tona, mbi ngjashmëritë, të përbashkëtat dhe ndryshimet, me qëllim që të mësojmë dhe mbështesim njeri-tjetrin në përballimin e sfidave të përbashkëta për vendet tona dhe rajonin. Duke folur në mënyrë të lirë, të hapur, të drejtpërdrejtë e pa barriera, ne shprehim ndjenjat, miqësinë, aspiratat dhe interesat e qytetarëve tanë.

Përfaqësuesi Special i Europës Juglindore në AP të OSBE-së, z. Kyriakos Hadjiyianni, vuri në dukje se “Forumi synon të nxisë bashkëpunimin dhe mbështesë nismat rajonale të AP të OSBE-së, të shkëmbejë eksperiencat tona që të kontribuojmë në konsolidimin e miqësisë, bashkëpunimit dhe vlerave të popujve tanë, për progresin në rajon dhe nxitjen e oportuniteteve të zhvillimit,. Duke bashkëpunuar e mbështetur njeri-tjetrin mund t’i shndërtojmë sfidat dhe vështirësitë në oportunitete zhvillimi e paqeje për vendet tona dhe rajonin, për sot dhe për brezat e ardhshëm.”

Kryetarja në detyrë e Prezencës së OSBE-së, znj. Clarisse Pasztory, nënvizoi se  “Ky rajon është i ndërvarur. Ajo që ndodh në një vend ka rëndësi në një tjetër, pozitive dhe negative. Do të doja ta vlerësoj Shqipërisë si një qendër rajonale për rrjetëzimin në Evropën Juglindore, ndërkohë që inkurajoj pjesëmarrjen dhe angazhimin proaktiv në forume të ndryshme dypalëshe dhe shumëpalëshe, si OSBE.”

Forumi do të vijojë punimet sot dhe nesër.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts