Finale historike/ Sytë nga Tokio, Luiza Gega mbyll sot garat për Shqipërinë










E gjithë Shqipëria sot është me sy e zemër te Luiza Gega. Atletja kuqezi do të zbresë në pistën e stadiumit të Tokios për finalen e madhe në garën e 3000 metrave me pengesa, teksa starti do të mbahet në 13:00 me orën e Shqipërisë. Bëhet fjalë për një event historik për atletikën tonë, pasi për herë të parë një atlete nga Shqipëria do të marrë pjesë në finalen e Lojërave Olimpike.

Gega Luiza

Luiza Gega arriti të siguronte një vend mes 15 atleteve më të mira të botës, falë një paraqitjeje të shkëlqyer të bërë në kualifikuese. 32-vjeçarja regjistroi kohën 9.23.85, duke u pozicionuar e pesta në baterinë 2 dhe e 11-ta në renditjen e përgjithshme, në një garë ku konkurruan 41 atlete.

Kujtojmë se kualifikimi për në finale ishte edhe objektivi kryesor që kishte Luiza Gega për në “Tokio 2020”. Megjithatë, edhe pse e ka përmbushur me sukses misionin e saj, atletja kuqezi nuk kërkon të ndalet, ndërsa tashmë ka në shënjestër thyerjen e rekordit kombëtar, gjë që do t’i jepte një pozicionim mjaft të mirë në finale. Këtë atletja e konfirmoi edhe në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, pas kualifikueseve.

“Di të them vetëm që do të jap maksimumin tim në finale dhe dua të vendos një rekord të ri pikërisht në Olimpiadë. Ky është edhe synimi im kryesor, që rekordi im i ri të shkruhet këtu në Tokio. Do të përpiqem shumë fort që t’ia arrij dhe uroj që t’ia dal. Nëse ia dal të vendos rekord, do të mundësonte edhe një pozicionim të mirë në finale, aty ku uroj të futem në top-10. Këto janë synimet e mia dhe besoj që janë të arritshme.

Luiza Gega Tokio

Gjithmonë mundohem të them gjëra që vërtet mund t’i arrij, sepse nuk dua të zhgënjej qoftë veten time dhe askënd, por mendoj që top-10 është e arritshme”, tha ndër të tjera Luiza Gega, e cila është atletja më e mirë që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, gjë që e dëshmojnë qartë rezultatet e saj të jashtëzakonshme. Rekordi kombëtar që mbahet nga Gega në garën e 3000 metrave me pengesa është 9:19.93, rezultat të cilin atletja e shënoi në Kampionatin Botëror të Dohas në vitin 2019, aty ku u rendit në vend të nëntë.

Gara Luiza Gega

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *