
E padëgjuar në 50 vjet: Një zjarr i madh pyjor shkatërroi më shumë se 300 hektarë në pesë ditë, në një luginë në Finlandën veriperëndimore.
“Zjarri, që nisi të hënën rreth 25 kilometra në jug të portit të vogël të Kalajokit në Gjirin e Bothnia, u lehtësua sot për shkak të shirave në zonë, por ende nuk është plotësisht nën kontroll”, thanë autoritetet zyrtare.
“Pylli ende po digjet, por zjarri nuk po përparon përtej një zone të kufizuar prej 300 hektarësh, perimetri i së cilës është tetë kilometra”, shpjegoi shefi i operacioneve i brigadës së zjarrfikësve, Jarmo Haapanen.
“Do të duhet të paktën një javë ose edhe dy-tre për ta shuar atë plotësisht”, shtoi ai.
Për shuarjen e zjarrit u mobilizuan rreth 250 persona, përfshirë përforcimet ushtarake, si edhe katër helikopterë.
Sipas ekspertëve, edhe pse është relativisht i vogël në krahasim me zjarret e mëdha, që shkatërruan Siberinë ose Kanadanë këtë verë, ai është më i madhi në Finlandë që nga zjarri i vitit 1971, që përfshiu 1 600 hektarë.
Shkaku i saktë i zjarrit nuk dihet, por autoritetet vunë në dukje tharjen e pemëve pas qershorit dhe korrikut jashtëzakonisht të nxehtë, ku temperaturat u rritën mbi 30 gradë Celsius në disa zona.
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al