
15:51 25/04/2022
Por ende larg planit për një BE të unifikuar
Me fitoren e të dielës, Emmanuel Macron bëhet i pari President që fiton një mandat të dytë, në 15 vitet e fundit në Francë.
Është hera e dytë radhazi që ai shpëton Francën dhe gjithë Bashkimi Europian nga rënia në duart e të nacionalistëve dhe ekstremit të djathtë, e rrjedhimisht nga largimi prej unionit i një prej vendeve themeluese.
Përmbush kështu një prej misioneve të tij për të shpëtuar Bashkimin Europian. Zgjedhjet e fundit treguan po ashtu se Macron arriti të shfaktorizojë forcat tradicionale politike, të djathtën e rrymës De Golit dhe socialistët e Miteranit që dominuan skenën politike të vendit pas luftës në më shumë se gjysmë shekullin e fundit, edhe pse shumica i është bashkuar atij nga frika e triumfit të nacionalistëve.
Macron arriti ta rikthejë Francën si një vend lider në unionin e dominuar nga Gjermania e Merkelit, që e kishte lënë në hije.
Megjithatë, pas 5 vitesh në krye të Francës, nuk mund të thuhet dot se ai përmbushi një premtimeve kryesore që ndikuan në ardhjen e tij në pushtet, një BE më të unifikuar, me një ushtri, financa e politikë të jashtme të përbashkët.
Analistët ia atribuojnë atij fajin për një shoqëri franceze edhe më të polarizuar, pasi me politikat e tij ka krijuar hapësirë që veçanërisht ekstremi i djathtë, por edhe ai i majtë, të fitojë terren.
Tv Klan