Fjalimi i parë si Kancelar! Scholz përgatit gjermanët për shndërrimin më të madh në 100 vitet e fundit, premtimi që bën për punëtorët e huaj

Në deklaratën e tij të parë qeveritare, kancelari gjerman, Olaf Scholz, njoftoi shndërrimin më të madh të ekonomisë dhe të prodhimit në 100 vjet. Në të njëjtën kohë, ai foli për kapërcimin e krizës së koronas.

“Pas nesh ndodhen 250 vjet, në të cilat prosperiteti ynë u bazua në djegien e qymyrit, naftës dhe gazit. Tani kemi rreth 23 vjet para nesh për të braktisur lëndët djegëse fosile dhe do t’i braktisim ato,” tha kancelari Olaf Scholz gjatë deklaratës së tij të parë qeveritare në Bundestag. Gjermania duhet të arrijë neutralitetin klimatik deri në vitin 2045. Qeveria është e përkushtuar të respektojë marrëveshjen e Parisit për klimën dhe do të kontribuojë në suksesin e saj. “Prandaj ne kemi përpara transformimin më të madh të industrisë dhe ekonomisë sonë, të paktën të 100 viteve (të fundit)”

Scholz-i shprehu besim, për kalimin e suksesshëm të furnizimit me energji në alternativa më miqësore me klimën. Për këtë, Gjermania duhet të paktën të dyfishojë prodhimin e energjisë elektrike të rinovueshme deri në vitin 2030. Deri atëherë, 80% e nevojave për energji elektrike duhet të mbulohen nga burime të ripërtëritshme. Kjo është një detyrë gjigante. “Por jam shumë i bindur se do ta arrijmë”, tha politikani i SPD-së. Mirëqënia e vendit varet nga aftësia për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme në epokën e neutralitetit klimatik. Kjo është veçanërisht e dukshme në fushën e furnizimit me energji, tha Scholz.

Scholz-i premton një qeveri progresi

Qeveria e tij është qeveri e progresit social, shoqëror dhe kulturor, tha kancelari i ri, por theksoi mbi të gjitha përparimin teknik. Vetëm me të Gjermania do të jetë në gjendje të arrijë neutralitetin klimatik dhe të mbetet konkurruese në konkurrencën globale. Qeveria e re federale do të nisë me vendosmëri rrugën e përtëritjes dhe transformimit në të gjitha nivelet, tha Scholz.

“Forca e përparimit” manifestohet pikërisht në pandemi, shtoi kreu i qeverisë. Vaksina kundër koronas e zhvilluar në Gjermani u ka shpëtuar jetën miliona njerëzve në mbarë botën. Vaksina e firmës Biontech është kështu “prova më e mirë se përparimi inteligjent, inovacioni inteligjent dhe modernizimi inteligjent e bëjnë botën një vend më të mirë”.

Nuk ka vija të kuqe në luftën kundër pandemisë

Lidhur me pandeminë e koronas, Scholzi ripohoi objektivin për të injektuar 30 milionë doza vaksinash deri në fund të vitit, si vaksinim të parë, të dytë ose përforcues. Që nga 18 nëntori, tashmë janë injektuar 19 milionë doza. Tani ka rëndësi që të bëjmë pjesën tjetër në ditët që kanë mbetur. Kjo është mënyra e vetme që Gjermania të lërë pas valën e koronas, tha Scholzi.

“Qeveria federale nuk do të pushojë për asnjë moment dhe ne do të aktivizojmë të gjitha levat e mundshme derisa të rifitojmë jetën tonë të mëparshme dhe të gjitha liritë tona”, vazhdoi kancelari. Për këtë kabineti i tij do të marrë të gjitha masat e nevojshme. “Ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme, nuk ka asnjë vijë të kuqe për qeverinë federale.”

Rezistencë kundër një pakice ekstremiste

Politikani socialdemokrat në të njëjtën kohë i siguroi qytetarët për mundësinë e kapërcimit të krizës së koronas: “Po gjërat do të përmirësohen, po, ne do ta zhvillojmë luftën kundër kësaj pandemie me vendosmërinë maksimale dhe po, do ta fitojmë këtë betejë. “. Megjithatë, nuk ka kohë për të humbur, shtoi ai. Scholz pranoi se ndonjëherë ishte e vështirë të mos të të braktisë guximi në këto “ditë të errëta”. Askush nuk ndihet shumë mirë këto ditë, madje as ai. “Unë e di se mbajtja e distancës dhe të qenit i lumtur nuk përshtaten mirë me njëra-tjetrën.”

Në këtë kuadër, kancelari shqiptoi kritika të ashpra për mohuesit e koronës. Sipas tij, në Gjermani ekziston një pakicë e vogël, ekstremiste dhe e shfrenuar, e cila në pandemi i ka kthyer shpinën jo vetëm shkencës, racionalitetit dhe arsyes, por edhe shtetit, shoqërisë, demokracisë dhe komunitetit. Scholzi njoftoi se ai do t’i kundërshtonte me vendosmëri tendencat e radikalizimit në shoqëri. “Ne nuk do të lejojmë një pakicë të vogël ekstremistësh të shfrenuar që të përpiqen t’i imponojnë vullnetin e tyre gjithë shoqërisë tonë,” tha ai qartë. Ne do ta kundërshtojmë këtë “minoritet tepër të vogël” me të gjitha mjetet e shtetit ligjor demokratik. “Demokracia jonë është një demokraci që mbron veten”.

Në të njëjtën kohë, Scholzi bëri thirrje për një kohezion më të madh social. “Një nga pikat e forta të vendit tonë dhe një nga pikat kryesore

“Një nga pikat e forta të vendit tonë dhe një nga kushtet kryesore për suksesin tonë ekonomik ka qenë gjithmonë kohezioni ynë social”, tha ai. Por ky solidaritet social është i kërcënuar. Kjo është arsyeja pse “respekti, njohja dhe konsiderata e tjetrit” duhet të mbizotërojë përsëri.

Kundër racizmit dhe seksizmit, për një migrim të udhëhequr nga arsyeja

Scholz-i u premtoi njerëzve me origjinë të huaj që jetojnë në Gjermani pjesëmarrje më të madhe në shoqëri. “Po flasim për gati një të katërtën e popullsisë sonë këtu”. Republika Federale është një vend imigrimi, por duhet të bëhet një vend edhe më i mirë integrimi, shtoi ai. Problemet e kohës sonë mund të kapërcehen vetëm nëse “nuk e humbim kohezionin social në rrugë e sipër”, theksoi kancelari.

Çdo politikë respekti nënkupton kundërshtimin sistematik të racizmit, seksizmit dhe çdo diskriminimi tjetër

Për Scholz-in, lehtësimi për të marrë shtetësinë gjermane është gjithashtu pjesë e kësaj politike. Shtetësia e shumëfishtë duhet të jetë e mundur, si dhe marrja e shtetësisë pas pesë vjetësh. “Ne do të ndjekim një politikë migrimi të udhëhequr nga arsyeja, e cila inkurajon migrimin legal dhe redukton migrimin e parregullt.” Kjo nënkupton procedura të shpejta të azilit dhe perspektiva të mira për njerëzit që janë të integruar mirë këtu, por edhe kthime të konsiderueshme në vendet e origjinës, veçanërisht për kriminelët dhe njerëzit e rrezikshëm, shpjegoi socialdemokrati.

Kreu i grupit parlamentar unionist kritikon deklaratën e qeverisë

Përfaqësuesi i opozitës, Ralph Brinkhaus kritikoi përmbajtjen dhe stilin e deklaratës së qeverisë. “Unë nuk pres që një kancelar Federal, gjatë deklaratës së tij të parë të qeverisë, të bëjë një prezantim fragmentar të kontratës së koalicionit, por pres që ai të tregojë linjat kryesore,” tha kryetari i grupit.CDU/CSU parlamentare. “Përparimi dhe e ardhmja kanë nevojë për entuziazëm. Nuk e kam parë atë entuziazëm në 90 minutat e fundit,” tha Brinkhaus.

Politikani i CDU-së ofroi mbështetjen e grupit të tij parlamentar në përballimin e pandemisë – edhe pse këto janë masa jopopullore. Por Brinkhausi theksoi gjithashtu se respekti dhe gatishmëria për të bashkëpunuar “nuk është një rrugë njëkahëshe”. “Një demokraci ka nevojë për opozitë të fortë në nivel të barabartë,” tha ai. Brinkhaus më tej përforcoi se “nuk do të kishte koalicion në opozitë”. “Për arsye të ndryshme nuk do të bashkëpunojmë me Të Majtën dhe me AfD-në”, tha ai./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.