Fjalimi i Putin: 5 momentet kur kërcënoi me armët bërthamore

08:36 01/10/2022

Gjatë fjalimit të tij të premten, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka marrë disa referenca rrëqethëse mbi armët bërthamore. Udhëheqësi rus pretendon se SHBA e ka vendosur një precedent për përdorimin e armëve bërthamore kundër Japonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Po ashtu, ai paralajmëroi se do të përdorë të gjithë fuqinë që ka për të mbrojtur Rusinë. Ai akuzoi “elitat perëndimore” për “satanizëm të plotë” dhe i fajësoi ata për shpërthimet e gazsjellësit Nord Stream.

Deklaratat vijnë mes frikës se Putin mund të përpiqet të përdorë armë taktike bërthamore për të ndalur kundërsulmimin e shpejtë të Ukrainës kundër forcave ruse.

Këto janë 5 momentet rrëqethëse të fjalimit të fundit të Putin:

Rusia do të përdorë “të gjithë fuqinë e saj”

Putin paralajmëroi se do të përdorë “të gjitha fuqitë dhe mjetet në dispozicion” për të “mbrojtur” Rusinë. Deklarata erdhi pasi referendume të rreme u mbajtën në katër zona të pushtuara ruse të Ukrainës këtë javë. Putin i ka aneksuar ilegalisht zonat, duke i shpallur zyrtarisht si pjesë të Rusisë.

Tashmë ai mund të përpiqet ta cilësojë çdo sulm ukrainas në këto rajone si një sulm kundër atdheut. “Ne do ta mbrojmë tokën tonë me të gjitha fuqitë dhe mjetet që kemi në dispozicion”, u shpreh Putin.

Kërcënimi bërthamor

Në një referencë rrëqethëse për armët bërthamore, Putin argumentoi se SHBA-ja e ka krijuar tashmë një “precedent” duke përdorur bomba atomike kundër Japonisë. Vendet perëndimore frikësohen se Putin mund të përdorë armë taktike bërthamore në Ukrainë për të ndalur kundërsulmin e Kievit.

Shtetet e Bashkuara janë i vetmi vend në botë që kanë përdorur dy herë armët bërthamore, duke shkatërruar qytetet japoneze të Hiroshimas dhe Nagasakit dhe duke krijuar një precedent”, u shpreh Vladimir Putin.

“Satanizmi” perëndimor

Putin akuzoi shoqëritë perëndimore se po kthehen drejt “satanizmit të plotë” duke braktisur vlerat tradicionale.

Tani ata kanë kaluar tërësisht në një mohim radikal të normave morale, fesë dhe familjes. Diktatura e elitave perëndimore është e drejtuar kundër të gjitha shoqërive, duke përfshirë edhe vetë popujt e vendeve perëndimore. Kjo është një sfidë për të gjithë. Ky është një mohim i plotë i njerëzimit, përmbysje e besimit dhe e vlerave tradicionale. Në të vërtetë, vetë shtypja e lirisë ka marrë tiparet e një feje: Satanizmin e plotë”, u shpreh presidenti rus.

Sabotimi i Nord Stream

Putin fajësoi gjithashtu vendet perëndimore për shpërthimet në tubacionet e gazit Nord Stream në Detin Baltik. Udhëheqësi rus, i cili është fajësuar për shpërthimet, nuk dha asnjë provë për të mbështetur pretendimin e tij.

“Sanksionet nuk u mjaftuan për anglo-saksonët: ata kaluan në sabotim. Është e vështirë të besohet, por është një fakt që ata organizuan shpërthimet në tubacionet ndërkombëtare të gazit Nord Stream, të cilat kalojnë përgjatë Detit Baltik…”, tha ai.

Rajonet e aneksuara janë ruse “përgjithmonë”

Putin tha se rajonet e pushtuara të Ukrainës tani do t’i përkasin Rusisë “përgjithmonë”.

“Unë dua që autoritetet e Kievit dhe zotërinjtë e tyre të vërtetë në Perëndim të më dëgjojnë, në mënyrë që ta kujtojnë këtë. Njerëzit që jetojnë në Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia po bëhen qytetarët tanë. Përgjithmonë! Ne i bëjmë thirrje regjimit të Kievit që menjëherë t’i japë fund armiqësive, t’i japë fund luftës që ata filluan në vitin 2014 dhe të kthehet në tryezën e bisedimeve. Ne jemi gati për këtë… Por ne nuk do të diskutojmë zgjedhjen e njerëzve në Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson. Rusia nuk do t’i tradhtojë ata”, tha ai./tvklan.al

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *