
Italia u trondit mbrëmjen e djeshme nga një “tërmet” politik, pasi kryeministri Mario Draghi fitoi votën e mosbesimit me mungesën e partnerëve të koalicionit, partisë “5 Yjet” të drejtuar nga, Giuseppe Conte, dhe 15 minuta më pas i dorëzoi dorëheqjen presidentit Mattarella.
Ky i fundit ndërkohë e refuzoi kërkesën për dorëheqje të kryeministrit teknik ialian, duke kërkuar që palët të gjejnë gjuhën e përbashkët pasi sipas tij ka ende vend për të drejtuar Italinë nga një qeverie e profilit të lartë.
Dhe eksperienca për Draghin ka përfunduar me një duartrokitje të gjatë, me kryeministrin ende në fuqi të Italisë, i cili pas qetësisë së dukshme, ka tradhtuar emocionet, zhgënjimin dhe vendosmërinë e fortë e të dhimbshme për t’u larguar.
Është këshilli i fundit i ministrave, por edhe “supertekniku” Draghi, i thirrur 17 muaj më parë si shpëtimtari i Italisë nga Mattarella, që pas refuzimit të dorëheqjes tani duhet të shpresojë për të formuar “një qeveri të re të profilit të lartë” pas përfundimit traumatik të negociatave me Conten.
Është pikërisht avokati pulian që është tashmë arkitekti i krizës, emër që askush në Palazzo Chigi nuk guxon ta shqiptojë në prani të kryeministrit. Për Draghin loja ka përfunduar, nuk ka “kohë shtesë” të evokuar nga Giorgetti.
E edhe nëse përballë kreut të shtetit, për respekt dhe etikë institucionale, ai nuk zgjodhi formulën përfundimtare të dorëheqjes “të parevokueshme”, ata që e njohin e dinë se ai zakonisht nuk i bën hapat e tij. Si mund të rifillojmë nëse “pakti i besimit” ka dështuar? Dhe kush mund të garantojë që pas kryetarit të “5 Yjeve”, nuk do të jetë lideri i Lega Nord, Mateo Salvini ai që do të kërcënojë për të mbajtur peng qeverinë italiane?
Nga prapaskenat u mësua se u bë heshtje, tension dhe siklet kur kreu i qeverisë hapi mbledhjen e qeverisë dhe ngriu shpresat e ministrave më besnikë: “Dua të njoftoj se sonte do të jap dorëheqjen në duart e Presidentit të Republikës”.
Ishin këto fjalët që hapën krizën dhe e zhytën Italinë në pasiguri.
“Shumica e unitetit kombëtar është zhdukur. Pakti i besimit në bazë të veprimit të qeverisë ka dështuar”, u shpreh Draghi më tej.
Në mbledhje ai nuk përmendi emrin e Contes, dhe as “5 Yjeve”. Draghi pretendon se ka vendosur “përkushtimin maksimal për ë vazhduar rrugën e përbashkët”, pavarësisht presioneve, ultimatumeve, shantazheve të forcave politike.
Preferon të thotë “ka nevojë”, por kuptimi është se i është besuar Tajanit në orët e sfidës së Contes, dhe vetëdija qëndron te fakti se koalicioni i bashkimit kombëtar është shembur dhe nuk do të mund të ngjiten më copat.
Kompaktësia ishte “themelore” për të adresuar emergjencat e pandemisë, luftës, inflacionit që kafshon pagat, por “këto kushte nuk janë më”. Shumica është zhdukur. Më pas i thotë faleminderit të gjithëve “për rezultatet e shumta të arritura” pavarësisht se qeveria “nuk zgjati shumë” dhe rekomandimi për të dalë me kokën lart: “Duhet të jemi krenarë për atë që kemi arritur, në një moment shumë të vështirë, në interesi i të gjithë italianëve”. Së fundi, disa fjalë “vlerësimi dhe dashurie” për ministrat që jetuan këtë përvojë “të shkurtër dhe intensive” me të.
Dhe këtu nisin duartrokitjet, por ndërpriten nga Andrea Orlando, i cili merr fjalën dhe thotë: “President, tabloja e pasigurisë së madhe në këtë fazë, qoftë edhe në nivel ndërkombëtar, rrezikon të komprometojë punën e madhe që kemi bërë. Nëse ka vend për të rimenduar, mendoj se duhet ta konsideroni…”.
Draghi heshti, madje të gjithë heshtën. Derisa Stefano Cingolani theu heshtjen dhe sfidoi ministrin, duke thënë: “Flisni ju që jeni të Partisë Demokratike dhe keni bërë lojën e Kontes”.
Tension ishte i lartë, por shkëndija u shua menjëherë në heshtjen e përgjithshme. Madje Draghi bën një batutë me Giorgettin, i cili ka sjellë disa pulla përkujtimore: “Një ditë do të të shtypin një”. Më pas ai përgatitet të kthehet te Mattarella, këtë herë për dorëheqjen e tij.
Kur zbriti nga Quirinale, përshtypja që la ishte se kishte ende një çarje. Një hapësirë mbase “e vogël”, por me kalimin e orëve do të bëhej “minimale”.
Në Palazzo Chigi, ku Draghi ndoqi në mëngjes debatin në Senat me stafin e tij, nuk humbi apeli për të qëndruar mbi të gjitha nga Partia Demokratike, e cila lëviz në linjë me Conten.
“Për të realizuar sfidat e mëdha me të cilat përballemi, ne kemi nevojë për unitet – ky është arsyetimi i Draghit – dhe ky unitet nuk ekziston. Marrëdhënia e besimit është prishur dhe të qëndrosh në qeveri për t’ia dalë mbanë nuk do të kishte kuptim”, pretenduan demokratët.
Dhe ka edhe një arsye tjetër që do ta shtynte Draghin të mbante refuzimin e madh. Ajo është bindja se në moshën gati 75-vjeçare dhe pas një karriere të gjatë të mbushur me suksese ndërkombëtare, nuk mund të qëndrosh në Palazzo Chigi për t’u rraskapitur nga ambiciet elektorale të partive. Megjithatë, matet distanca nga qasja e ndryshme e Mattarellës, ku u shpresua ta bindte atë të kthehej në Dhomën e Senatit për një debat parlamentar dhe një votim të ri për një rezolutë.
Brenda pesë ditësh gjithçka mund të ndodhë, “përveç Draghit që e mendon thellë këtë”. Kështu thonë bashkëpunëtorët më të besuar, të cilët e kanë parë kryeministrin të mbyllur prej kohësh në studion e tij për të reflektuar.
Mes bisedës së parë dhe të dytë me Mattarellën, është rikonstruksioni i një ministri që zbuloi se, “Draghit iu desh të luftonte mes dhimbjes për padrejtësinë që pësoi dhe ndjenjës së përgjegjësisë ndaj vendit”.
Të mërkurën do t’i duhet t’ua shpjegojë italianëve dhe nuk përjashtohet që të dëshirojë të heqë disa guralecë nga këpucët e tij, qoftë edhe me stilin e tij britanik. Një akuzë ndaj atyre që vendosën ta zvarrisnin vendin në votime, “në momentin më të vështirë që nga paslufta”.
(BalkanWeb)
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al