FMN e prerë: Të mos preken paratë e skemës së pensioneve në Kosovë, rrezikohet seriozisht financimi buxhetor!

Fondi Monetar Ndërkombëtar, kundërshton tërheqjen e një pjese të kursimeve të pensioneve në Kosovë, duke vlerësuar se një gjë e tillë do të ishte një goditje e rëndë për qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve.

Në një deklaratë të këtij fondi thuhet se tërheqja e një pjese të kursimeve do të shkurtonte fuqishëm vlerën reale të pensioneve në të ardhmen.

“Tërheqjet do të përktheheshin gjithashtu në një tkurrje të madhe të tregjeve vendase të kapitalit, duke rrezikuar seriozisht financimin buxhetor dhe qëndrueshmërinë e borxhit”, thuhet në deklaratë.

Kërkesa për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve nga skemat e pensioneve është shndërruar në debate të ashpra ndërmjet opozitës që e sheh atë si mbështetje financiare për shkak të rritjes së çmimeve dhe qeverisë që kundërshton një mundësi të tillë.

Fondi i Kursimeve të Pensioneve të Kosovës apo i njohur shkurt si Trusti është institucion publik i pavarur, i themeluar nga parlamenti i Kosovës, në vitin 2001. Ky institucion menaxhon kontributet e detyrueshme dhe vullnetare të pensioneve të të punësuarve në Kosovë. Me ligj, çdo qytetar mund t’i tërheq paratë pas pensionimit në moshën 65 vjeçare.

Në vitin 2020, parlamenti i Kosovës kishte votuar për lejimin e tërheqjes deri 10 për qind të parave të kursyera nga qytetarët për shkak të përkeqësimit të situatës ekonomike nga pasojat e pandemisë COVID-19.

Për të lejuar sërish një gjë të tillë duhet të ndryshohet ligji për Fondin e Kursimeve të pensioneve.

Partia Demokratike në opozitë tashmë ka dorëzuar projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji, nëpërmjet të cilit kërkon që tërheqja e kursimeve të pensioneve të bëhet me kategori të ndryshme, varësisht nga shuma e kursimeve. Sipas propozimit, ata që kanë kursime më të mëdha do të lejohej të tërheqin 10 për qind të parave të tyre, ndërsa ata me kursime më të ulëta të tërheqin 30 për qind të mjeteve.

Opozita paralajmëroi se javën që vjen do ta hedh në parlament për votim këtë projektligj. Por, qeveria vlerëson se tërheqja rrezikon të ardhmen e sistemit të pensioneve.

Fondi Monetar Ndërkombëtar tha ndërkaq se lufta në Ukrainë paraqet një tronditje të rëndë për Kosovën, për shkak të ndikimit që ushtron rritja e çmimeve ndërkombëtare të ushqimeve dhe energjisë në importet e Kosovës.

Sipas fondit si rrjedhojë e rritjes së çmimeve të importit, inflacioni në Kosovë pritet të arrijë në më shumë se 10 për qind në vitin 2022./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.