FOTO/ “Themi loja dhe arbitri, por ne në fakt kemi defektet tona”, stërvitje në llucë, Gjyla: Shitemi lirë









Lushnja mori një tjetër humbje, që e lë në vendin e 13-të. Rrezikohet rënia, e megjithatë verdhejeshilët nuk dorëzohen. Skuadra ka nisur dje stërvitjen anti-Vorë, nga e cila pret kthesën. Ajo që binte në sy ama, ishin kushtet skandaloze në të cilat u detyruan të përgatiteshin. Vetëm fushë nuk mund të quhet, përveçse moçal.

Ilir Gjyla Lushnja

Ilir Gjyla nuk dëshiron që të justifikohet. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, nuk e mohon se po i vështirësohet gjithnjë e më shumë puna, por në fund pranon:

“E kemi thënë dhe stërthënë. E di gjithë bota, ndaj po shmang përsëritjet. Ju e shikoni vetë. Të flas kot unë, pasi është mërzitur e gjithë Shqipëria duke e dëgjuar e lexuar. Kur erdha këtu, e dija fushën. Me këto kushte që kemi do të punojmë. Nuk kemi çfarë të bëjmë”.

HUMBJA – Tekniku analizoi disfatën e pësuar në Shijak. Ai rrëfen se çfarë i tha skuadrës pas 4 golave të pësuar. “Skuadrës i thashë që shitemi shumë lehtë. Nuk mjafton vetëm të luash në sulm dhe të qarkullosh topin. Ka edhe mbrojtje. Kur vjen puna prapa, ne shitemi lirë fare. Në momentin më të bukur tonin, pësojmë një gol. Një herë na hedh një top në zonë kundërshtari dhe ndëshkohemi.

Në momentin tjetër më të mirë, prapë na hedh një top në zonë dhe sërish në rrjetë. Pastaj vjen autogoli, që sigurisht që është pa dashje dhe aksident. Nuk ka më histori. Ta fillosh lojën në minutën e tetë 0-2 nuk është e lehtë. Pa asnjë blerje e me disa të rinj, nuk mund ta ngresh më kokën. Edhe pse luajtëm mirë e kishim raste, prapë nuk e ngre dot më kokën kur përballë ke Erzenin me 25 blerje”, theksoi Gjyla.

DEFEKTET – Deri në fund të vitit, kalendari është disi favorizues për Lushnjën. Gjithsesi, trajneri u mëshon defekteve që ka ekipi. “Nuk je i favorizuar nëse nuk shënon. Problemi është se edhe ne kemi defektet tona. Përtej gjykimit, ne nuk finalizojmë. Ua thashë sot (dje) lojtarëve, duhet ta heqim nga mendja që do na japë diçka gjyqtari.

Duhet ta marrim vetë. Për të qenë i sinqertë, kam punuar shumë me këtë pjesë, fort ama. Që në fillim e pashë mangësinë e sulmit. Të gjitha seancat tona, të gjitha ushtrimet tona, të gjitha përfundojnë me goditje në portë, në një mënyrë apo tjetër. Qoftë nga krahët, qoftë nga ballorja.

Shikoj që kemi mangësi te shënimi i golit. Ne nuk luajmë keq, por pak rëndësi ka. Në këto vite të fundit nuk kam pasur skuadër që prodhon kaq shumë. Por ama, nuk kam parë skuadër që e pëson golin kaq lehtë dhe që nuk shënon. Sivjet, mënyrën e lojës si skuadër e kemi më mirë nga ajo e vjetshmja.

Vjet vërtet nuk shënonim shumë, por as nuk pësonim prapa. Është defekti ynë ky dhe jo i tjetërkujt. Është momenti të kapemi me defektet tona”, përfundoi numri një i pankinës së Lushnjës.

fot

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *