FOTOT/ 31 vite nga shembja e murit të ambasadës, Presidenti Meta kujton ditën e eksodit masiv të shqiptarëve. Ja mesazhi pas takimit me ‘heroin’ e ngjarjeve të 2 korrikut 1990








Si sot 31 vite më parë, u shënua ai që u quajt eksodi masiv i mijëra shqiptarëve, të cilët u strehuan në selitë e ambasadave të huaja në Tiranë.

pjimage - 2021-07-02T151119.377

Për të kujtuar këtë ditë, Presidenti Ilir Meta, priti në ambientet e Presidencës Yllbardh Bodinakun, i cili u bë shqiptari i parë që hyri në Ambasadën Gjermane, i hipur në kamionin e tij duke shembur murin e saj.

Ky gjest për kreun e shtetit, shërbeu atë ditë për të hapur “një dritare shprese, guximi dhe lirie për mijëra shqiptarë, pas dekadash terrori dhe izolimi total”.

“Me rastin e 31-vjetorit të eksodit masiv të mijëra shqiptarëve, të cilët në 2 korrik 1990 u strehuan në selitë e ambasadave të huaja në Tiranë, pata sot kënaqësinë dhe nderin e veçantë t’i akordoj “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, Heroit të veçantë të ngjarjeve të asaj dite, z.Yllbardh Bodinaku, i cili me ‘Skodën’ e tij, hyri në historinë e Shqipërisë për aktin e pashembullt të vetëmohimit, trimërisë dhe të guximit qytetar, duke i dhënë një goditje të fortë diktaturës, me shembjen e ‘murit shqiptar të Berlinit”, për të hapur një dritare shprese, guximi dhe lirie për mijëra shqiptarë, pas dekadash terrori dhe izolimi total”, shkruan Presidenti Meta në një postim në rrjetet sociale.

Sipas kreut të shtetit, ende sot, ëndrra e shqiptarëve për ta bërë vendin si gjithë Europa është ende e paplotësuar.

“Ëndrra e një Shqipërie si e gjithë Europa vazhdon ende e paplotësuar edhe pas tre dekadash. Ndaj sot është edhe një ditë angazhimi, që të punojmë më fort, me vendosmëri dhe me përgjegjshmëri maksimale për të shlyer këtë detyrim, që i kemi brezit të atyre viteve.

Njëkohësisht, për të përmbushur detyrimin, që kemi ndaj rinisë tonë sot, për të pasur një Shqipëri plotësisht europiane, ku mund ta ndërtojnë të ardhmen e tyre, të lirë dhe me standarde perëndimore.

Liria ndërtohet mbi guximin. Ndaj ne i jemi gjithmonë mirënjohës z.Bodinaku, por edhe të gjithë atyre shqiptarëve, të cilët treguan një guxim të jashtëzakonshëm më 2 korrik 1990 për të dhënë dhe një mesazh të madh frymëzimi, për të rrëzuar çdo mur dhe për të kapërcyer çdo pengesë, që na ndan nga Europa e Bashkuar, në çdo kohë.

Mirënjohje heronjve dhe guximtarëve të 2 Korrikut!
E ARDHMJA U PËRKET GUXIMTARËVE GJITHMONË!”, shkruan Meta.

Ndërkohë, kreu i shtetit ka sjellë shembullin e djalit të Yllbardh Bodinakut, i cili 31 vite më parë, më 2 korrik, kur babai i tij shembi murin e ambasadës, ishte vetëm 3 muajsh.

Sot, ai nuk mendon të largohet nga Shqipëria.

rr2

“Më 2 korrik 1990, Rikeli hyri 3 muajsh në Ambasadën Gjermane, me “Skodën” e babait të tij, Ylli Bodinaku, që shembi “murin shqiptar të Berlinit”.

“Foshnja” e Demokracisë sot është 31-vjeç dhe nuk mendon të largohet nga Shqipëria, kjo falë edhe përpjekjeve të palodhura të babait të tij, që pas disa viteve pune në Gjermani, u kthye dhe qëndron në Atdhe, sepse qëllimi i tij është që Rikeli të vazhdojë të punojë dhe të ndërtojë të ardhmen e sigurt europiane në Shqipëri, së bashku me të gjithë gjeneratën e tij.

Ky duhet të jetë qëllim i përbashkët dhe angazhimi i të gjithëve sot në këtë 2 Korrik!” thekson kreu i shtetit.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *