“Fryma e kompromisit e nevojshme”, DASH: Kosova dhe Serbia të kenë prioritet dialogun

Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në “frymën e kompromisit të nevojshëm”, që të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e raporteve. “Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta kenë prioritetet dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, të punojnë në minimizimin e tensioneve dhe të ndjekin negociatat me fleksibilitet dhe në frymën e kompromisit të nevojshëm për të arritur një marrëveshje normalizimi gjithëpërfshirëse që do të mundësojë rrugën e tyre përkatëse evropiane”, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

Këtë përgjigje DASH-i e dha duke iu përgjigjur pyetjeve të REL-it për një raport të publikuar së fundmi nga Institutit për Politika të Jashtme të Universitetit Johns Hopkins (SAIS) dhe Qendrës Wilson, që ia rekomandonte administratës amerikane vendosjen e sanksioneve për politikanët e Kosovës dhe Shqipërisë që me deklaratat e tyre promovojnë bashkimin e të dyja shteteve.

“Ne e vlerësojmë këndvështrimin akademik dhe të organizatave për këto çështje. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për një Kosovë sovrane, të pavarur, multiektnike, siç parashihet në Kushtetutën e saj”, tha zëdhënësi i DASH-it, duke mos e komentuar këtë raport.

Një nga kontribuuesit në raportin e titulluara “Nga kriza në konvergjencë – Strategjia për të trajtuar paqëndrueshmërinë dhe burimin e saj në Ballkan”, Lulzim Peci, tha për Radion Evropa e Lirë se e sheh si mundësi reale që SHBA-ja të sanksionojë politikanët që promovojnë “bashkimin” e Kosovës dhe Shqipërisë.

“Në një të ardhme të afërt, nëse aktorët kryesorë politikë nuk i ndryshojnë qëndrimet e tyre politike, unë mendoj që ky opsion është shumë real, sepse, praktikisht, një retorikë e tillë e pengon stabilizimin e Ballkanit, por edhe arritjen e zgjidhjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Peci. Por, vendosja e sanksioneve për këtë çështje nuk duket si masë reale për njohësin e çështjeve politike, Agon Maliqi. “SHBA-ja nuk e ka praktikë të sanksionojë opinione. Në raste të tilla praktikohet shmangia e vizitave ose izolimi politik”, tha Maliqi për Radion Evropa e Lirë.

Së fundmi, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj politikanëve në Ballkanin Perëndimor lidhur me dyshimet për përfshirjen e tyre në korrupsion. Në maj të vitit 2021, ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha u shpall ‘persona non grata’ (person i padëshiruar) për shkak të, siç tha Uashingtoni, përfshirjes në korrupsion të gjerë.

Ndërkaq, më 5 janar 2022, SHBA-ja zgjeroi sanksionet ndaj anëtarit serb të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, për përfshirje në korrupsion dhe minimin e stabilitetit të Bosnjës dhe rajonit. Zëvendësndimës Sekretari për Çështje Evropiane dhe Euro-Aziatike, njëherësh i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka paralajmëruar se SHBA-ja do të sanksionojë edhe politikanë të tjerë në këtë rajon.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të përkushtuara në të gjitha nivelet për suksesin e rajonit dhe Zëvendësndimës Sekretari për Çështje Evropiane dhe Euro-Aziatike, njëherësh i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor [Gabriel Escobar], së bashku me ambasadorët e SHBA-së në Prishtinë dhe Beograd, mbeten bashkëbiseduesit kryesorë të SHBA-së për këto çështje”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.